E Diel, 1 Nëntor 2026

Anglia fiton, skocezët e kthejnë Londrën në kosh plehrash

Armiqësitë rinisën në rivalitetin më të vjetër sa i përket futbollit ndërkombëtar, ditën e mërkurë, dhe, pavarësisht se konsiderohej vetëm si një miqësore, Anglia e Skocia zhvilluan një përballje kompetitive dhe të ashpër në “Wembley”, sfidë që u vendos nga një gol “ëndrrash” nga debutuesi Rickie Lambert.

Sulmuesi 31-vjeçar i Southampton u fut në fushë, pasi e nisi ndeshjen nga pankina, pas një orë loje nga trajneri i Anglisë, Roy Hodgson, dhe vetëm pak çaste më pas i kaloi "3 Luanët" në avantazh 3-2, pas një goli me kokë nga goditja e këndit.

Lambert zëvendësoi sulmuesin e Manchester United, Wayne Rooney, i cili është bërë subjekt i spekulimeve të vazhdueshme në lidhje me të ardhmen e tij te Chelsea, teksa londinezët duken të vendosur për firmën e tij.

Rooney u duk pa përgatitjen e duhur fizike dhe pati shumë pak raste, për të shtuar numrin e golave me kombëtaren, 36 deri më tani, por stadiumi me kapacitet të tejmbushur shfaqi një atmosferë tepër të nxehtë.

Dy ekipet luajtën për herë të parë në 1872, teksa Skocia ka qenë gjithnjë e etur për t’i mposhtur “armikun e vjetër”, e veçanërisht në "Wembley".

Ndeshjet e përvitshme mes tyre u ndalën në 1989, por këtë vit u zhvillua sërish, si shenjë e 150-vjetorit të Federatës Angleze, e para ndeshje mes tyre që prej 14 vjetësh.

Por rivaliteti mes dy kombëtareve u pa edhe te tifozët skocezë, të cilët për disa orë i shndërruan rrugët dhe sheshet kryesore të Londrës në kosh mbeturinash duke hedhur ku të mundnin shishe dhe kanaçe birre. /albeu 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›