E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anglia, në buzë të greminës. Kapelo: Sfida më e rëndësishme

“Tre Luanët” kërkojnë kualifikimin në sfidën e sotme kundër Sllovenisë

E mbërritur në Afrikën e Jugut si një prej favoriteve për fitimin e Kupës së Botës 2010, Anglia zbret sot në fushën e lojës kundër Sllovenisë, me synimin që të evitojnë eliminimin e parakohshëm. Nëse nuk merr tri pikët, skuadra e Kapelos, e cila ka regjistruar vetëm dy barazime, do të përsëriste dështimin e vitit 1958, kur nuk arriti të kalonte fazën e grupeve. Tashmë, pas 52 vitesh, situata është e thjeshtë: ata duhet të mposhtin kryesuesit e Grupit C. Fitorja përballë Sllovenisë do t’i lejonte të vazhdonin aventurën, ndërkohë që çdo rezultat tjetër (përveç barazimit 3-3, i kombinuar me barazimin 0-0 të SHBA-së me Algjerinë), do ta dërgonte skuadrën e Fabio Kapelos në shtëpi. Tensioni është i madh. Madje, edhe një trajner si Fabio Kapelo, i cili ka shumë eksperiencë dhe ka arritur suksese në stolat e shumë klubeve të rëndësishme, ka pranuar se situata nuk është ndër më komodet. Për “BBC”-në, tekniku italian deklaroi: “Kundër Sllovenisë luaj një prej ndeshjeve më të rëndësishme në karrierë. Nuk kemi zgjidhje tjetër; duhet vetëm të fitojmë”. Ai ka nënvijëzuar se problemi i skuadrës, në dy barazimet me SHBA-në dhe Algjerinë, nuk lidhet me çështje teknike apo taktike. “Absolutisht mendoj se ishte një problem psikologjik. Kur je nën presion, një presion kaq të madh, mund të ndodhë që edhe këmbët nuk funksionojnë si duhet. Nuk kemi regjistruar rezultate të mira, sepse skuadra nuk ka luajtur për 90 minuta ashtu si duhej. Të impenjohesh maksimalisht vetëm për 5-6 minuta gjatë një ndeshjeje, nuk mjafton. Shpresoj që kundër Sllovenisë, skuadra të rigjejë lojën dhe entuziazmin që kishte gjatë eliminatoreve”, deklaroi Kapelo. Për të realizuar objektivin e përbashkët dhe për të evituar zhgënjime, në përfaqësuesen angleze kanë arritur të sheshojnë brenda një kohe të shkurtër edhe problemet brenda skuadrës. Në fakt, Xhon Terri kishte kritikuar trajnerin, por tashmë mbrojtësi i çelsit kërkoi publikisht ndjesë. “Nuk kërkoja të kundërshtoja zgjedhjet e trajnerit, apo shokët e skuadrës. Nëse e kam bërë diçka të tillë kërkoj falje. I konfirmova trajnerit se ai gëzon mbështetjen time”, deklaroi Terri.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›