Franca kthehet në shtëpi mes turpit
Meksika dhe Uruguai janë dy skuadrat që kualifikohen në 1/8-at e Botërorit 2010. Ndeshjet e fundit në Grupin A kanë dhuruar mjaft emocione. Në fakt, Afrika e Jugut është tallur me Francën. Ose më mirë, me atë që ka mbetur nga përfaqësuesja e “gjelave”, pas kaosit të krijuar në skuadër gjatë këtyre ditëve. Kombëtarja e vendit organizator, e mbështetur si zakonisht nga zhurma e pambarimtë e vuvuzelave, besoi se do ta realizonte ëndrrën që të kualifikohej deri në minutën e 71-të, moment kur Maluda realizoi golin e vetëm të Francës në këtë turne. Aventura e bluve përfundon me humbjen 2-1, në një ndeshje ku luajti për 65 minuta në inferioritet numerik (karton i kuq i Gurkuf) dhe në vendin e fundit në grup. Ndërkohë, në ndeshjen tjetër, Uruguai fitoi 1-0 përballë Meksikës, me rrjetën e Suarez. Një rezultat që gjithsesi nuk u prish punë meksikanëve: edhe pse me pikë të barabarta me Afrikën e Jugut, ata kualifikohen falë golavarazhit më të mirë.
Uruguai e mbyll Grupin A në vendin e parë, me 7 pikë dhe +4 gola, ndërsa Meksika me 4 pikë dhe +1 gol. Me 4 pikë, por golavarazh -2, eliminohet Afrika e Jugut, e cila bëhet skuadra e parë organizatore në histori, që nuk arrin të kalojë turin e parë. Gjithsesi, ata mund të mburren se me triumfin e djeshëm kanë regjistruar rezultatin më të mirë në një Kupë Bote. Në vendin e fundit klasifikohet Franca (vetëm 1 pikë e grumbulluar). Tashmë, në 1/8-at e finales, Uruguai do të ndeshet me Korenë e Jugut, e cila është skuadra e klasifikuar në vendin e dytë në Grupin B.
Amerikanojugorët kualifikohen në fazën e dytë të aktivitetit pas 20 vitesh: për herë të fundit ata e realizuan këtë objektiv më 1990, në Botërorin e zhvilluar në Itali. Në anën tjetër, Meksika do të ndeshet me fituesen e Grupit B, Argjentinën, skuadër e cila e ka eliminuar në Gjermani 2006 (ndeshja mbaroi 1-2 pas kohës shtesë). Franca kthehet në shtëpi mes turpit, si skuadra e renditur në vendin e fundit. Për herë të fundit, blutë nuk e kishin kaluar fazën e grupeve në vitin 2002, në aktivitetin e zhvilluar në Japoni dhe Korenë e Jugut. Skuadra e Domenek del nga skena duke barazuar dy rekorde negative: 0 fitore (ashtu si ka ndodhur edhe në 4 botërorë të mëparshëm) dhe 2 humbje (ashtu si ka ndodhur në 6 botërorë të mëparshëm). Menjëherë pas humbjes, ku bëri edhe një skenë të pakuptueshme, duke mos i shtrënguar dorën kolegut të tij, Parreira, Rajmond Domenek deklaroi: “Jemi të zhgënjyer dhe të trishtuar. Nuk ka asnjë justifikim. Gjithsesi, ajo që pashë në fushë më pëlqeu: skuadra u sakrifikua, luajti me zemër dhe u shfaq solide. Më vjen keq që fati nuk ishte në anën tonë, por ka raste kur gjërat nuk të ecin mbarë dhe nuk mund të bësh asgjë. Jam i zhgënjyer dhe i trishtuar, ashtu si të gjithë”. Kjo ishte ndeshja e fundit e Domenek në krye të Francës, ndërsa pasardhësi i tij do të jetë Loren Blank. “Ishte ndeshja ime e fundit? Në këto momente nuk jam gati të bëj një bilanc të aventurës. E theksoj se kjo skuadër ka të ardhme dhe i uroj suksese pasardhësit tim. Unë e kam dashur Kombëtaren franceze dhe kam përjetuar momente të jashtëzakonshme”.
#