E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anglia nuk luajti futboll

Legjenda e futbollit gjerman, Franz Beckenbauer, ka lansuar një sulm të rëndë për stilin e lojës angleze dhe për ndeshjen e parë të tyre në Kampionatin botëror. Derisa ekipi i Fabio Capellos barazoi 1:1 me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania e dërrmoi Australinë, duke e mposhtur me rezultat 4:0.

“Ajo që e pashë unë tek Anglia kundër SHBA-së, ka të bëjë me të vërtetë pak me futbollin. Më dukej sikur Anglia ishte rikthyer në ditët e saj të vjetra dhe të këqija”, tha 64-vjeçari.

Ekipi i Joachim Loewit dukej se impresionoi në ndeshjen e parë në Afrikën e Jugut, ndërsa tabloidi gjerman Bild shkruante: “Ne do t’i godasim të gjithë”.

Anglia po shpreson që ta përmirësojë paraqitjen e vet në ndeshjet kundër Algjerisë dhe Sllovenisë, për ta mbyllur në krye fazën e grupeve (janë pjesë e Grupit C), dhe për ta evituar kështu përballjen me Gjermaninë, e cila duket se do të prijë në Grupin D, derisa Gana e Serbia do ta kërkojnë pozitën e dytë, ndërsa Australia duket me më pak gjasa.

Beckenbauer, i cili ishte kapiten i vendit të tij në fitoren e vitit 1974 kundër Holandës, ndërsa luajti edhe në finalen e Botërorit 1966, në humbjen nga Anglia, beson se problemet e anglezëve janë si rezultat i mungesës së talentëve në Premierligë.

“Unë nuk jam i sigurt nëse selektori i Anglisë, Fabio Capello, mund të ndryshojë ndonjë gjë. Anglezët janë ndëshkuar për faktin se futbollistëve të tyre u jepen më pak hapësira në Premierligë, në krahasim me futbollistët e huaj, që vijnë nga vende të ndryshme të botës”, ka thënë ai për të përditshmen jugafrikane, The Times.

Pa dyshim, Capello do të dëshironte më shumë futbollistë anglezë të aktivizohen në ligën angleze, por një lëshim tjetër është se ekipi nuk ka bërë përgatitje sa duhet me topin e ri, Jabulani, i cili po përdoret në Afrikën e Jugut. Ky top ishte përdorur në futbollin gjerman, francez e argjentinas, që nga muaji shkurt, por jo edhe në Angli.

Qëndrimi është një faktor tjetër që ka afektuar në skuadrën angleze, me mbrojtësin John Terry, i cili javën e kaluar thoshte se futbollistët kanë kërkuar kohë që të adaptohen me kushtet atje. Kontingjenti anglez është vendosur në Rustenburg, 1,403 metra lartësi mbidetare, derisa Gjermania po i zhvillon ndeshjet në nivel detar, në Durban.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›