E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anglia vendos të ekstradojë ish-shikasin Ilir Kumbaro

25/03/2009  Ishte kapur në Londër, pasi akuzohet për pjesëmarrje në zhdukjen e Remzi Hoxhës

LONDËR- Më së fundi ish-shikasi Ilir Kumbaro që akuzohet për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha, do të ekstradohet në Shqipëri. Vendimi është marrë nga togat e zeza të gjykatës britanike, të cilat pasi janë njohur me provat dhe argumentet e palëve, kanë arritur në konkluzionin se shtetasi që maskohej me emrin e Remë Shaqa Shatri, është i shumëkërkuari Ilir Kumbaro. Ish- oficeri i lartë i Shërbimit Sekret pritet të apelojë vendimin e ekstradimit të tij. Por autoritetet shqiptare shprehen se provat e grumbulluara nga ana e tyre dhe që do paraqiten në përpara Gjykatës së Apelit, do të ndikojnë plotësisht në ekstradimin e njërit prej të akuzuarve në dosjen “Remzi Hoxha”. Nuk dihet me saktësi se kur është përcaktuar data ekzakte e transportimit me avion nga Londra në Tiranë e Kumbaros, por sipas autoriteteve të drejtësisë shqiptare kjo gjë pritet të ndodhë në muajt e ardhshëm. Kumbaro u arrestua në Londër në muajin tetor, pas një kërkimi ndërkombëtar nga Interpoli dhe pas një kohë të gjatë nën survejim. Mësohet se për një periudhë të gjatë agjentët e “Scotland Yard” në Londër e kanë survejuar Kumbaron në çdo moment. Sipas të dhënave që ata kanë mbledhur, i shumëkërkuari i drejtësisë shqiptare kishte ndërruar disa herë adresën e banimit në kryeqytetin britanik, për të mos rënë në gjurmët e policisë. Pas dyshimeve dhe lëvizjeve të herëpashershme të Ilir Kumbaros, agjentët e anglezë kanë intensifikuar orët e mbajtjes nën vëzhgim për të konfirmuar faktin nëse ai ishte në të vërtet personi që kërkohej nga drejtësia shqiptare apo nëse kishin të bënin me një person tjetër. Fill pas këtyre dyshimeve autoritetet britanike në datën 6 tetor kanë zhvilluar një gjyq, që ka pasur si palë Ilir Kumbaron, i cili duhet të paraqiste dokumentet pranë gjykatës britanike, që të vërtetonte se ishte personi që identifikohej e jo një tjetër.

Identifikimi

Ndërkohë që në të njëjtën kohë agjentët kanë kryer kontroll në banesën e ish-shikasit, në të cilën kanë gjetur një certifikatë shqiptare me emrin e Ervin Kumbaros, që më pas rezultoi djali i Ilir Kumbaros. Të dhënave të pakundërshtueshme iu shtuan edhe disa prova nga pala shqiptare, që vërtetonin identitetin e të shumëkërkuarit. I ndodhur në këtë situatë Ilir Kumbaro së bashku me avokatin e tij, pretenduan se ai ishte një shtetas kosovar me emrin Shaqa Shatri. Por nga verifikimet që kreu gjykata londineze rezultoi se me emrin e sipërcituar ishte një shtetas çek. Nisur nga këto të dhëna të pabazuara në prova, ditën e djeshme gjykata e Londrës vendosi ekstradimin për në Shqipëri të ish-shikasi Ilir Kumbaro. Ky i fundit në muajt e ardhshëm pritet të bëhet pjesë e tre të pandehurve të tjerë Arben Sefgjini, Avni Koldashi dhe Budjon Meçe, për të cilët Gjykata e Krimeve të Rënda është duke zhvilluar procesin gjyqësor, për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha.

Të pandehurit e dosjes

Shpallja në kërkim dhe akuzat për të

TIRANE- Ilir Kumbaro është shpallur në kërkim ndërkombëtar që në vitin 2003, kur Prokuroria e Tiranës arrestoi tre të akuzuarit e tjerë për ngjarjen, Arben Sefgjini, Avni Koldashi dhe Budjon Meçe. Sipas dosjes së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Ilir Kumbaro ka qenë i pranishëm gjatë shoqërimit dhe marrjes në pyetje të tre personave, Ziso Kristopulli, Remzi Hoxha dhe Avdyl Loshaj. Ata dyshohet se janë mbajtur në bazën sekrete të SHIK-ut në Vain të Lezhës, ku sipas hetimeve janë keqtrajtuar gjatë marrjes në pyetje nga punonjësit e Shërbimit Informativ. Pikërisht në këtë bazë është zhdukur edhe biznesmeni shqiptaro-maqedonase Remzi Hoxha, trupi i së cilit nuk është gjetur akoma. Prokuroria ka arritur të ndalojë dhe marrë ndaj tre personave masën e “arrestit shtëpiak”, por pas apelimit të vendimit gjykata i dha përsëri lirinë tre të akuzuarve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›