E Shtunë, 31 Tetor 2026

Izraeli, “pazar” me Pinarin për 9996 predha

25/03/2009  Avioni ukrainas ngarkohej me predha në Rinas në praninë e ish-shefit të MEICO-s

Prokurorët dyshojnë se armët shqiptare furnizuan Iranin, Kongon e disa vende aziatike

TIRANE- Grupi hetimor që po kryen hetime mbi misteret e trafikut të 1000 predhave malazeze dhe armëve shqiptare, nga Shqipëria në disa vende të kontinentit aziatik dhe afrikan ka ngritur dyshime se ato janë trafikuar me një avion ukrainas nga dy firma izraelite, të cilat kanë qenë kontraktore me ndërmarrjen e import-eksportit MEICO. Firmat që mendohet se kanë kryer trafikimin e predhave malazeze si dhe të disa mijëra predhave të mortajave shqiptare, dyshohet se janë “Talon”-i dhe “Elmo-Tech Ltd” që të dyja me qendër në tel Aviv të Izraelit. Burime konfidenciale pranë Prokurorisë së Përgjithshme thanë se të dyja firmat e sipërcituara kanë qenë para disa vitesh kontraktore me Malin e Zi. Nisur nga këto rrethana, por edhe nga konstatimi i 1000 predhave malazeze në depon ushtarake të Memajt, autoritetet e organit të akuzës kanë ngritur një sërë dyshimesh, mbi trafikimin e armëve nga aeroporti i Rinasit në drejtim të disa vendeve aziatike dhe afrikane që në atë periudhë kanë qenë në konflikt. Burimet thanë se ndërmarrja shtetërore e import-eksportit MEICO, i ka shitur pak vite më parë një firme izraelite, një sasi të madhe armatimesh dhe municionesh. Por duke qenë se hetimi mbi këtë mister ende sa ka filluar, organi i akuzës nuk jep të dhëna konkrete. Mësohet se kryesish ky armatim i përkiste, armatimit të lehtë si granata hedhëse dhe mortaja, të cilat sipas ekspertëve janë shumë të efektshme në luftë guerilase. Një nga këto ngarkesa është kryer në ditët e para të marsit 2006, ku rreth dhjetë mijë predha mortajash të kalibrit të rëndë dhe të lehtë, janë nisur nga Rinasi për në drejtim të vendeve aziatike dhe afrikane.

Trafiku e destinacioni

Aktualisht Prokuroria nuk ka drejtuar “gishtin” në një shtet konkret po dyshohet se armatimi kishte si denstinacion Kongon, Brunei, Iranin e vende të tjera. Këto shtete armatimin e trafikuar nga Shqipëria e vinin në dispozicion të grupeve guerilase, të cilat më pas luftonin me mbështetësit e sistemeve demokratike. Mësohet se në drejtim të tyre janë trafikuar rreth 9996 predha të mortajave 82 m/m, të cilat janë ngarkuar në orët e para të mëngjesit të 6 marsit 2006, në një avion transporti. Dyshohet se midis këtyre predhave ka pasur edhe predha të prodhimit malazez, si ato që sekuestroi Prokuroria në depon sekrete të MEICO-s në Memaj të Durrësit. Burimet thanë se për magazinimit e kësaj sasi armatimi, janë përdorur hangarëve e avionëve Mig, që ndodhen në aeroportin e Rinasit. Ndërkohë që për transportimin e rreth 50 tonëve me predha është përdorur një avion ukrainas, i cili pasi është ulur në Rinas, menjëherë është ngarkuar me armatimin që dyshohet se ishte blerë nga dy firmat izraelite të sipërcituara. Në prani të këtij procesi ka qenë edhe drejtori i ndërmarrjes MEICO Ylli Pinari.

Depoja në Memaj

Pas tragjedisë së Gërdecit Prokuroria ka konstatuar se në depon ushtarake të Memaj ndodheshin plot 1000 predha të prodhimit të Malit të Zi. Nga verifikimet që janë bërë rezulton se sasia e predhave të prodhimit nga Mali i Zi, ka mbërritur aty në dhjetorin e vitit 2006 e shoqëruar nga vetë drejtori Pinari. Mësohet se gjithçka është kryer natën, nën drejtimin e tij dhe magazinierit të besuar të MEICO-s, Sabri Losha, i cili i është bindur shefit të MEICO-s dhe e ka sistemuar ngarkesën në depot e Memajt, pa asnjë dokument zyrtar.

Akuza për Ina Ramën

Tragjedia e Gërdecit ka vënë “nën akuzë” edhe Kryeprokuroren Ina Rama dhe drejtuesin e hetimit Sokol Stojani. Tre ditë më parë ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu ka kryer një kallëzim penal në ngarkim të Ramës dhe Stojanit, duke i akuzuar këta të fundit për nxjerrje të sekretit hetimor dhe shpërdorim detyre. Sipas ish-ministrit Mediu, i cili është marrë i pandehur nga Prokuroria, Ina Rama ka publikuar në media kërkesën e heqjes së imunitetit të tij, ndërsa prokurori Stojani ka dërguar sms në një emision televiziv.

Pinari, “kyçi i pazareve”

Prokuroria e Përgjithshme thotë se ish-drejtori i ndërmarrjes shtetërore të import-eksportit MEICO, Ylli Pinari është çelësi i trafikimit të armëve dhe municioneve të ushtrisë. Madje Pinari rezulton të jetë edhe njeriu kryesor që ka lidhur kontakte me Henry Tomein dhe të pandehurin Mihal Delijorgji. Gjithashtu i pandehuri Ylli Pinari, mendohet të ketë kryer edhe trafikimin nga Rinasi për vendet në konflikt, të rreth 9996 predhave, të cilat i përkisnin kryesisht mortajave dhe granata hedhëseve (Antitak).

Destinacioni i paditur

Shumica e ngarkesave me armë që janë kryer nga aeroporti i Rinasit nuk dihet me saktësi se çfarë destinacioni konkret kanë patur. Burimet nga Prokuroria e Përgjithshme ngrenë një sërë dyshimesh se shumica e armatimit shqiptar është trafikuar në shtetet e kontinentit afrikan dhe aziatik. Aktualisht Prokuroria nuk ka provuar asnjë shtet konkret, por një sërë dyshimesh ngrihen mbi Kongon, Brunein dhe Iranin. Mësohet se shtetet e përmendura armatimin shqiptar e venë në dispozicion të grupeve guerilase.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›