Fier, rreth 1000 banorë në protestë për rrugën
Banorë të komunës Portëz kanë kërcënuar me bojkotim të zgjedhjeve dhe bllokim të rrugës nacionale
FIER - Rreth 1000 banorë të katër fshatrave të komunës Portëz të Fierit kanë protestuar dje për gjendjen e mjerueshme të rrugës nacionale që përshkon fshatrat e tyre.
Sipas banorëve, në rast se kësaj rruge nuk i jepet rrugëzgjidhje shumë shpejt, ata nuk do të votojnë dhe nuk do të lejojnë kutitë e votimit në zonën e tyre, si dhe do të bllokojnë rrugën nacionale Fier-Ballsh, trenin e punës që kalon në këto fshatra, si dhe nuk do të lejojnë fëmijët e tyre të shkojnë në shkollë.
Rreth 1000 banorë të katër fshatrave të komunës Portëz të rrethit të Fierit me parulla në duar kanë protestuar dje paradite në rrugën nacionale, e cila përshkon fshatrat Mbyet, Kraps, Lalaj, Plyk dhe Gjorgos, të cilat lidhen me rrugën kryesore Fier-Ballsh dhe Kraps-Fier. Shkaku i kësaj proteste ka qenë rruga me të cilën këta banorë lidhen me Fierin e Ballshin. Ajo është e gjatë 9 kilometra, gjithë gropa dhe e pakalueshme nga mjetet.
Sipas kryetarit të këshillit të komunës Portëz, Melsi Bogdani, ky problem është shumëvjeçar dhe askush nuk është kujtuar për të investuar.
Sipas tij, kjo rrugë është bërë një gangrenë e vërtetë jo vetëm për drejtuesit e mjeteve, por edhe për mijëra banorë që u duhet të çojnë në qytet prodhimet e tyre me të cilat mbajnë familjen. Jo pak herë këta banorë kanë protestuar për këtë rrugë.
Qindra prej tyre kanë protestuar para prefekturës vitin e kaluar, por askush nuk u interesua më pas premtimit të dhënë se kjo rrugë do të futet në objektivat e qeverisë.
"Këtë vit, - janë shprehur banorët Melsi Bogdani, Nebi Hoxha, Xhemil Shehu, Koli Gega dhe të tjerë të mbledhur në këtë protestë, - nuk do të pranohen kutitë e votimit dhe askush prej këtyre fshatrave nuk do të shkojë për të votuar. Ne do të bojkotojmë zgjedhjet, - u shprehen banorët në këtë tubim paqësor, - por njëkohësisht do të bllokojmë rrugën nacionale Ballsh-Fier".
Gjithashtu, prindrit nuk do të lejojnë fëmijët e tyre në shkollë. Janë këta të fundit që po vuajnë ashtu si dhe baballarët e tyre, të cilët përshkruajnë këtë rrugë në këmbë në kohë të keqe dhe të mirë mes baltës dhe pluhurit. Në fund banorët, të cilët kishin edhe përkrahjen edhe të drejtuesve të komunës Portëz janë shprehur në rast se nuk do të plotësohen kërkesat e tyre do të hidhen në protesta ekstreme.