Vetëvaret inxhinieri me borxhe në banka
Gjergji Shehu është gjetur i vetëvarur me rripin e pantallonave në banesën e tij dje paradite nga bashkëshortja
Nga hetimi i policisë, dyshohet se shkak i vetëflijimit ka qenë pamundësia e tij për të shlyer në banka kreditë e marra për biznes
TIRANE- Pamundësia për të shlyer kreditë në banka çoi në vetëvarje një inxhinier ndërtimi dje në mesditë në kryeqyte.
Gjergji Shehu, 45-vjeç, me dy fëmijë, është vetëvarur mesditën e djeshme me rripin e pantallonave, në banesën e tij që ndodhet në katin e tretë të një pallati pranë stadiumit "Dinamo" në Tiranë në rrugën "Gjin Bue Shpata". Babai i dy fëmijëve të mitur është gjetur i vdekur nga bashkëshortja e tij, që ka mbetur tronditur nga ngjarja ndërsa ka kërkuar ndihmë.
Efektivët e komisariatit të policisë nr.2, dhe oficerët e zyrës së hetimit të krimit në policinë e Tiranës mbërritën në banesën e inxhinierit të ndërtimit për të zbardhur rrethanat që e detyruan atë të vetëvarej. "Bashkëshortja e 45-vjeçarit pas ngjarjes deklaroi, se Shehu kishte marrë një shumë të konsiderueshme parash kredi në banka.
Dyshohet se biznesi i tij po dështonte duke bërë të vështirë shlyerjen e kredive gjë e cila kishte shkaktuar depresion te inxhinieri i ndërtimit" thanë për "Shekullin" burimet policore.
Vetëvarja
Mesditën e djeshme, 45-vjeçari Gjergji Shehu me profesion inxhinier, ndërsa posedonte një firmë ndërtimi është kthyer në banesën e tij në katin e tretë të një pallati shumëkatesh pranë stadiumit "Dinamo" në Tiranë.
Mësohet se disa kohë më parë Shehu kishte marrë kredi në banka, për të vënë në punë firmën e tij të ndërtimit. Por kohët e fundit sipas burimeve të policisë, biznesi i tij dyshohet se po dështonte ndërsa 45-vjeçari kishte borxhe në banka dhe vështirësia për t'i shlyer po rritej.
Kriza financiare e inxhinierit të ndërtimit dyshohet ta ketë çuar atë në depresion pasi sipas familjarëve të tij prej disa javësh ai kishte shfaqur shenja të kësaj sëmundjeje.
Ndërkohë që mesditën e djeshme ai ka shfrytëzuar një moment ku në banesën e tij nuk ndodhej njeri për t'i dhënë fund krizës në të cilën ndodhej. Me rripin e pantallonave ai ka varur veten ndërsa është gjetur i pa jetë nga bashkëshortja e tij.
Policia
Sapo ka hyrë në shtëpi, gruaja e 45-vjeçarit e cila kishte të njëjtin profesion me të inxhiniere ndërtimit, ka dhënë alarmin kur ka parë bashkëshortin të varej. Ndihma e parë ka qenë e kotë pasi Shehu kishte ndërruar jetë.
Oficerët e policisë nisën menjëherë hetimet për të zbardhur rrethanat e vetëflijimit të inxhinierit duke marrë në pyetje fillimisht bashkëshorten e tij dhe më pas familjarë të tjerë të të ndjerit.
Burime nga policia thanë se nga hetimet e para rezulton se ka qenë gjendja e rënduar e depresionit shkaku që ka detyruar Gjergji Shehun të ndërmarrë aktin fatal duke u vetëvarur. Gjendja depresive nga e cila po vuante inxhinieri i ndërtimit dyshohet të ketë pasur burim krizën financiare në të cilën ndodhej Shehu.
Ai kishte disa miliona lekë për të shlyer në banka dhe vështirësia për të larë kredinë ka çuar në vetëflijim babain e dy fëmijëve të mitur. Ndërkohë policia sekuestroi rripin me të cilin vari veten Gjergji Shehu ndërsa materialet e kësaj ngjarjeje i kaluan prokurorisë për hetime të mëtejshme.
Gruaja
"Bashkëshortja e 45-vjeçarit Gjergji Shehu, u mor në pyetje për të zbardhur shkaqet e mundshme që detyruan bashkëshortin e saj të vetëvarej. Ajo ka pohuar në polici se Shehu kishte kredi për të shlyer në banka gjë e cila po bëhej e pamundur.
Por gruaja e të ndjerit nuk pranoi të rrëfente shumën e parave që iu detyrohej bankave bashkëshorti i saj" thanë për "Shekullin" burimet policore. Ndërkohë që edhe të afërmit e 45-vjeçarit nuk kanë pranuar të flasin për motivet e kësaj ngjarjeje ndërsa kanë tentuar të mbajnë larg mediat.