Anglisë i duhet një Messi

Lionel Messi do të ishte ëndrra e Roy Hodgsonit, nëse do të kishte të drejtë ta merrte një lojtar jo anglez në Kombëtaren angleze.
Selektori i ‘Tre Luanëve’ e ka shfaqur admirimin e tij për yllin e Barcelonës, pas një takimi që pati me tifozët para ndeshjeve kualifikuese për botërorin ‘Brazili 2014’.
“Them se përgjigja e qartë do të ishte Messi, sepse ai ka aftësi ta fitojë i vetëm lojën. Është një pyetje e vështirë, por nëse më duhet ta jap një përgjigje, ai është Messi”, deklaroi trajneri anglez.
65 vjeçari po ashtu ka treguar se nuk ka qenë i aftë ta zgjedhë ende përbërjen e parë të Anglisë për shkak të lëndimeve dhe suspendimeve.
Sulmuesi i Manchester Unitedit, Wayne Rooney ishte i dënuar në dy ndeshjet e para të Evropianit, derisa mesfushorët Gareth Barry e Frank Lampard munguan gjatë tërë turneut për shkak të lëndimit.
Dhe frustrimi i Hodgsonit pritet të vazhdojë, sepse ai nuk do të mund të llogarisë në Rooneyn e lënduar për duelet kualifikuese për botërorin ‘Brazili 2014’ ndaj Moldavisë dhe Ukrainës.
“Sigurisht kam qenë i penguar nga lëndimet e lojtarëve të rëndësishëm. Nuk mendoj se deri tash kam qenë në gjendje ta shijoj ekipin ideal, pasi kanë munguar disa lojtarë të rëndësishëm”, shtoi ai.
Hodgson e mori në dorë Kombëtaren para fillimit të Euro 2012, kur Anglia u eliminua në çerekfinale nga Italia pas penalltive.
Ish trajneri i West Bromit tash po mendon për fushatën kualifikuese për Botërorin e ardhshëm.
“Ne duhet të luajmë shumë mirë, duhet ta ndërtojmë ekipin i cili do të jetë i aftë të sulmojë dhe të mbrohet si është më së miri. Duhet të ngrihemi në nivel të Spanjës, për të cilën flasim të gjithë në këtë moment. Para saj ishte Franca. Duhet ta ndërtojmë ekipin në atë nivel.
“Duhet të gjejmë lojtarë të klasit të lartë, të cilët do të mund t’i bëjnë ballë presionit. Kur shkoni në Botëror ose Evropian, presioni është në ju, syri i botës është tek ju dhe duhet të jeni të aftë të paraqiteni mirë. Është e njëjtë sikur aktori që është fantastik në prova, por nuk do të bëhet kurrë aktor i madh, derisa të dalë në skenë ‘live’ përpara audiencës. Aty, fatkeqësisht, nuk ka vend për gabime”, përfundoi Hodgson.