E humbi respektin për Fergusonin

Dimitar Berbatov e ka sulmuar ish trajnerin e tij Sir Alex Ferguson, i cili e kishte lënë rezervist vazhdimisht sezonin e kaluar.
Këtë verë, sulmuesi bullgar vendosi t’i bëjë valixhet gati dhe e la Manchesterin për t’u transferuar në Londër, respektivisht te Fulhami, i cili për të pagoi 4 milionë funte në fund të afatit kalimtar të verës.
Ish futbollisti i Tottenhamit thotë se trajneri skocez e la të ‘kalbej’ në bankinë për 18 muaj, ndërkohë që e konsideronte si lojtar të vlefshëm.
“Jam mjaft i zhgënjyer me Fergusonin, e kam humbur respektin për të. Suksesi flet vetë se sa i mirë është. Por, nuk e respektoj më për shkak të mënyrës se si më trajtoi”, deklaroi fillimisht për tabloidin britanik The Sun 31 vjeçari, të cilin menaxheri skocez e kishte blerë për 30 milionë funte në vitin 2008.
Ai kontribuoi me 20 gola, teksa United e fitoi titullin në Premierligë në vitin 2011, mirëpo Fergie e la jashtë ekipit final të Ligës së Kampionëve.
“Nuk mendoj se e kam merituar atë tretman në United, duke mos luajtur rregullisht vitin e kaluar. Unë jam krenar me vetveten, por jam paksa i zhgënjyer me Fergusonin si person. Nuk e di nëse ai mendon mirë për mua tash. Kam shkuar 10-15 herë për ta pyetur nëse ka nevojë për mua. Dhe, sa herë që shkoja, më thuhej se isha i rëndësishëm dhe se nuk duhej të largohesha, por më pas nuk isha pjesë e ekipit’, vazhdoi Berba i zhgënjyer.
“Isha i gatshëm të nënshkruaja kontratë të përjetshme me United, por ndoshta është dashur të largohesha kur ai (Ferguson) më la jashtë skuadrës për Champions në vitin 2011. E di se ai është shefi, por unë e kam humbur respektin për të, për mënyrën se si më ka trajtuar”, përfundoi ai.
Berbatov ishte pranë transferimit në Juventus dhe në Fiorentina, por në momentet e fundit e ndërroi mendjen dhe mbeti në Premierligë, respektivisht në Fulham. Ai është njëri prej sulmuesve më të mirë në histori të futbollit bullgar.