E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anglisht në klasë të parë

Viti i ri shkollor në Kosovë, pritet të nisë me shumë ndryshime në planprogramet mësimore, në atë parashkollor, fillor dhe të mesëm.
Ndryshimet e titulluara, të mësosh për të ditur, vepruar, për të qenë dhe të mësosh për të jetuar së bashku me të tjerët, do t’i shtohet edhe shtylla e pestë, që është, të mësuarit për ta transformuar vetveten dhe shoqërinë.

Megjithatë, jo të gjithë i mirëpresin këto ndryshime. Të paktën kështu mendon mësuesja Sevdije Jaha. Ajo thotë se këto ndryshime vetëm sa do të sjellin vështirësi për nxënësit.

“Fëmijët sa fillojnë të mësojnë shqip, u duhet të mësojnë anglisht, madje në klasë të parë. Jam kundër këtij ndryshimi. Për ne si mësuese, është e papranueshme. Ky është një dështim për fëmijët e Kosovës, sepse ata nëpër fshatra nuk shkojnë fare në mësimin parashkollor”, thotë mësuesja Sevdije për Express.

Por sa u përket pjesëve të plan programit ku është paraparë pakësimi i lëndëve mësimore, kjo mësuese thotë se kjo është në favor të nxënësve.

“Më në fund çanta e tyre do të lehtësohet, dhe nëse ka pakësim të lëndëve, kjo padyshim që do t’i ndihmojë fëmijët që të zhvillojnë aftësitë e tyre në lënde, të cilat janë më me interes për ta”, thotë mësuesja Sevdije Jaha.

Por ndryshe mendon udhëheqësi i ekipit të Kornizës së Korrikulumit të Kosovës, Armend Tahirsylaj. Sipas tij, Korniza e Korrikulumit të Kosovës, ka për qëllim të ristrukturojë sistemin arsimor në Republikën e Kosovës, në strukturë dhe përmbajtje.

“Ndryshimet që do t’i sjellë Korniza e Korrikulumit do të avancojë praktikat e mësimdhënies dhe mësimnxënies në shkollat e Kosovës, në mënyrë që nxënësit të përfitojnë kompetenca, dije, shkathtësi e vlera që janë relevante për ta dhe për shoqërinë kosovare”, thotë Tahirsylaj për Express.

Po ashtu me këto ndryshime, synohet të zhduket mësimi përmendsh, kurse arsimi parashkollor, fillor dhe i mesëm, do të jetë i obligueshëm, si dhe do të ketë më pak pushim veror. Shkollat do të kenë kompetencat e tyre në menaxhimin e buxhetit, xhirollogarinë e tyre, hartimin e plan programeve shkollore, e shumë risi të tjera.

Sipas Korrikulumit, përveç të tjerash, sqarohet se të gjitha këto ndryshime do të bëjnë që shkollat e Kosovës të kalojnë nga institocione edukative ku transmetohet dija, në shkolla ku transformohet dhe zhvillohet dija dhe kompetencat të cilat janë kuptimplote dhe relevante për secilin nxënës.

Hartimin e Kornizës së re të Korrikulumit të Kosovës e ka bërë Këshilli Shtetëror për Korrikulumin e Kosovës (KSHKK) me mbështetjen e UNICEF-it në Kosovë dhe të Zyrës Ndërkombëtare të Arsimit të UNESCO-së.

Gjashtë kompetencat
1. Kompetencat e komunikimit dhe të shprehurit  Komunikues efektiv
2. Kompetencat e të menduarit  Mendimtar kritik
3. Kompetencat për të mësuar  Nxënës i suksesshëm
4. Kompetencat për jetë, punë dhe mjedis  Kontribuues produktiv
5. Kompetencat personale  Individ i shëndetshëm
6. Kompetencat qytetare  Qytetar i përgjegjshëm

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›