E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anglishtja, këtë vit në shkolla hyjnë tekste mësimore britanike

Nxënësit e shkollave të mesme dhe 9-vjeçare do të mësojnë me tekste të reja anglishteje. Ato janë botime që vijnë nga shtëpia botuese britanike. Ministria e Arsimit bëri të ditur dje lajmin, duke deklaruar se "ky ka qenë një synim i ministrisë në kuadrin e nismës "Shqipëria anglishtfolëse" dhe është realizuar gjatë përzgjedhjes së librave shkollore në procesin e "Altertekstit 2008". Pra, dy shtëpitë e huaja botuese kanë pasur përparësi përkarshi atyre shqiptare, gjatë përzgjedhjes së librave fitues një muaj më parë nga MASH. Nga 68 tekste të anglishtes të miratuara, 40 u përkasin këtyre 2 botuesve britanikë të specializuar "Ekspres Publishing" dhe "Macmillan".

Këta dy botues do të ofrojnë edhe DVD, që mësimdhënia të realizohet me teknikë audio/video. Epërsia e britanikëve në këto botime tregon qartë se nga shtatori i këtij viti, anglishtja në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme do të mësohet kryesisht me tekste të botuesve të huaj. Sipas Ministrisë së Arsimit, botuesit "Ekspres Publishing" dhe "Macmillan" në shkollat ku do të përdoren tekstet e tyre, do të ofrojnë edhe trajnim të specializuar për mësuesit. Pra, kjo është një ofertë tjetër, që u bëhet mësuesve të lëndës gjuhë e huaj, pasi siç dimë janë ata që bëjnë përzgjedhjen përfundimtare të teksteve mësimore gjatë muajit qershor.

Mësohet se tekstet e anglishtes janë konceptuar në linjë, pra që fillojnë nga klasa e tretë fillore deri në vitin e fundit gjimnaz, ç‘ka do të rrisë dhe koherencën e librave përkatëse për nxënësit që avancojnë nga klasa në klasë. Sipas Ministrisë së Arsimit, ky është një kontribut shumë i rëndësishëm edhe për objektivat e nismës Shqipëria anglishtfolëse.

Në vitin e ardhshëm shkollor, në shtator do të jenë në treg plot 104 tekste alternativë për të gjitha lëndët mësimore. Në fund të prillit përfundoi konkursi i teksteve dhe MASH përzgjodhi 104 nga 169 bocete që u paraqitën. Janë 24 shtëpi botuese që i hedhin në treg këto libra dhe ku shkolla mund të zgjedhë të punojë me njërin nga tri tekstet alternative që janë në treg të botuara nga botues të ndryshëm. E njëjta praktikë vlen edhe për botimet angleze, të cilat kanë si konkurrentë botuesit shqiptarë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›