E Shtunë, 31 Tetor 2026

Superprovimi, 8 orë për konkursin e Arkitekturës

Provimi i Arkitekturës do të jetë një sfidë për të gjithë ata kandidatë, që në muajin e nxehtë të korrikut do të qëndrojnë plot 8 orë në Pallatin e Kongreseve. Konkursi i pranimit të studentëve të rinj është konceptuar nga drejtuesit e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit në tri testime. Dy prej të cilave do të zhvillohen brenda një dite. Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, Andrea Maliqari, ka treguar për gazetën "Shqip" të gjitha detajet e këtij konkursi. Sipas tij, pas kërkesës së Ministrisë së Arsimit, datat e provimit do të jenë në korrik dhe jo në shtator, si vitet e tjera. "Më datë 16 korrik do të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve testi për vizatimin teknik, si dhe testi tjetër për kompozimin arkitektonik", tha Maliqari. Ndërsa një ditë më pas, më 17 korrik, është vizatimi i objektit arkitektonik. Si gjithnjë, ky provim konsiston në një vizatim individual, që bën kandidati me anë të të cilit profesorët vlerësojnë talentin e tyre.

Pra, janë dy seanca testimi që zhvillohen për një ditë. Maliqari tha se secili prej testeve zgjat nga 4 orë. Për shkak të ambienteve dhe mungesës së pedagogëve, ato do të jenë radhazi, me një interval të shkurtër pushimi ndërmjet tyre. "Muaji korrik është mjaft i ngarkuar për fakultetin tonë, pasi studentët e viteve të fundit japin provimin e diplomës, po kështu pedagogët bëjnë gati planet mësimore për vitin e ardhshëm akademik", kështu u shpreh dekani i Ndërtimit. Sipas tij, insistimi i Ministrisë së Arsimit për të mbyllur të gjithë konkurset e pranimit të studentëve të rinj në korrik, e ka bërë mjaft të ngjeshur punën në fakultet. Një arsye tjetër, që ka çuar në vendosjen e dy testimeve në një datë, është edhe mungesa e ambienteve dhe kostoja që ato kanë me qira. Duke qenë se në degën e Arkitekturës konkurrojnë çdo vit afro një mijë maturantë, është planifikuar që konkursi të zhvillohet në një sallë të madhe, siç është Pallati i Kongreseve.

Ndaj, këtë vit, dy testimet do të zhvillohen në një ditë. Më datë 16 korrik, paradite maturantët japin testin e vizatimit teknik, që zgjat katër orë dhe pasdite testin e kompozimit arkitektonik, që zgjat po katër orë. Ndërsa më datë 17 zhvillohet vizatimi i objektit në natyrë. Përgjigjet me emrat e fituesve dalin për një javë.

Përveç katër provimeve të maturës, me detyrim dhe me zgjedhje, maturantët që dëshirojnë të ndjekin degën e Arkitekturës do të japin edhe testin special. Pikërisht ky test ka edhe peshën më të madhe të pikëve. Raporti është 65 për qind të pikëve testi special që zhvillon fakulteti në datat 16 dhe 17 korrik dhe 35 për qind të pikëve provimet e maturës bashkë me notën mesatare të shkollës së mesme. Kështu, përpos dijeve të marra në shkollën e mesme, ata provohen edhe për njohuritë dhe talentin në arkitekturë. Në 65 përqindëshin e pikëve të testit special, 25 për qind i ka vizatimi i objektit. Ky provim parashikohet të zgjasë mbi 4 orë. Ndërsa testi mbi vizatimin teknik merr një vlerësim prej 20 për qind të pikëve. Po kështu, edhe testi i kompozimit arkitektonik ka 20 për qind të numrit total të pikëve. Për sa u përket pikëve që kandidatët marrin nga provimet e maturës, vlen të theksohet fakti se nota e secilës lëndë shumëzohet me koeficientin. Ndaj, maturantët duhet të japin si provim lëndët me zgjedhje, që kanë koeficientin më të lartë në këtë degë. Matematika, fizika dhe kimia, janë lëndët e preferuara të degës së Arkitekturës, që kanë edhe koeficientin më të lartë.

Dega e Arkitekturës është një ndër më të kërkuarat në universitetet tona. Çdo vit, aty konkurrojnë afro një mijë vetë dhe fitojnë 100 prej tyre. Kjo është kuota që ka kërkuar fakulteti këtë vit. "Kapacitetet janë të vogla, ndaj ne kemi propozuar 100 kuota pranimi për vitin akademik 2008-2009", deklaroi dekani Maliqari. Sipas tij, testimi në këtë degë është i nivelit të lartë dhe zakonisht fitojnë maturantë me rezultate të mira në mësime. Një vit më parë, vija fundore u vu tek 5200 pikë.

Lidhur me kohën e shkurtër që kanë në dispozicion kandidatët për t‘u përgatitur, dekani u shpreh se "arkitektura është punë dhe talent, ndaj ata që shprehin vërtet aftësi në këtë fushë do të arrijnë të kualifikohen, edhe pse provimi është në korrik dhe jo në shtator si vitet e tjera". Ndërsa shtoi se kandidatët për këtë degë bëjnë një punë të vazhdueshme përgatitore, sidomos në ushtrimin e dorës në vizatimin e objekteve.

Për herë të parë këtë vit, kandidatët për studentë do të zhvillojnë konkurset në degët specifike, në gjysmën e dytë të korrikut. Janë degët e Akademisë së Arteve, Akademisë Sportive dhe dega e Arkitekturës që do të marrin në provim maturantët në afatet 15-30 korrik.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›