Arrestohet i dënuari për vrasje, figuronte në burg
Policia e Fierit zyrtarizon prangosjen e shtetasit Gramoz Yzeiri, i shpallur në kërkim për vrasje, por që deri para dy vjetësh figuronte i burgosur. Sipas informacioneve zyrtare të policisë së Fierit, arrestimi i 39-vjeçarit Gramoz Yzeiri është bërë mbrëmjen e kaluar, në fshatin Kreshpan, ku ai banonte. Yzeiri është shpallur në kërkim në muajin prill 2010, ndërkohë që vepra penale për të cilën ai akuzohet është kryer më 11 korrik 1997, në fshatin Cakran. Nga burimet policore mësohet se dosja për këtë vrasje të kryer në bashkëpunim mes dy vëllezërve Gramoz dhe Ilir Yzeiri ka qenë e mbyllur për mungesë provash, ndërsa është rihapur pak muaj më parë dhe ka grumbulluar provat për të prangosur 39-vjeçarin mbrëmjen e së enjtes. Gjatë kësaj kohe, Gramoz Yzeiri ka qenë i lirë, ndërkohë që çështja e tij ishte nën hetim.
Nga burimet zyrtare nga Gjykata, Prokuroria dhe Policia e Fierit, dy vite më parë rezultonte se Gramoz Yzeiri ndodhej në Burgun e Peqinit, duke vuajtur dënimin e dhënë nga Gjykata e Fierit me 23 vjet burg për vrasjen e shtetasit Sabri Yzeiri nga fshati Kreshpan, vrasje kjo e kryer në bashkëpunim me vëllain e tij, Ilir Yzeiri, më 11 korrik të 1997-s. Sipas informacioneve të asaj kohe, procesi gjyqësor ndaj dy vëllezërve kishte përfunduar më 10 korrik 2008 dhe Ilir Yzeiri ishte gjykuar në mungesë dhe ishte dënuar me 22 vjet burg.
Ndërkohë, sot me anë të një komunikate zyrtare të policisë së Fierit mësohet se “ndaj shtetasit Gramoz Yzeiri u ekzekutua Urdhri i Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Fier në bazë të Vendimit Penal të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, e cila e ka dënuar këtë shtetas me 25 vjet burg për veprën penale ‘Vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim’ dhe ‘Mbajtje pa leje të armëve luftarake’”.
#