E Diel, 1 Nëntor 2026

Anija cisternë, rinisin kërkimet për trupin e marinarit

DURRES - Dy polumbarë turq rinisën kërkimet për gjetjen e përgjegjësit të marinarëve të anijes cisterne ‘Edirne’,  që u mbyt pak ditë më parë, 6 milje larg Porto Romanos në ujërat territoriale shqiptare.

Pas mbylljes së kërkimeve nga pala shqiptare, autoritetet turke kanë rinisur operacionin e kërkimit me mjete të specializuara, në depozitat e anijes, pas kërkesës së pronarit të mjetit.

Marinari rezulton i zhdukur menjëherë pasi anija pësoi incidentin e rëndë, ku fillimisht mori flakë dhe pas 20 minutash u mbyt.

NGJARJA
Marinarët dëshmuan se në anije, kryesisht në depozitat e poshtme po kryheshin punime për pastrimin e tyre dhe ndonjë shkëndijë e mundshme e saldatrices mund të ketë sjellë shpërthimin.
Fillimisht u dëgjuan disa zhurma dhe kapiteni zbriti të shihte ç'po ndodhte, por më pas ndodhi shpërthimi i madh dhe anija nisi fundosjen.

Bilanci i mbytjes së anijes cisternë u përmbyll me 3 viktima dhe 12 të shpëtuar. Trupat e 2 marinarëve të mbytur u gjetën pak ditë pas ngjarjes, ndërsa trupi i përgjegjësit rezulton ende i zhdukur.

Marinarët e anijes ishin të disa kombësive. Tre prej tyre ishin turq, dy ukrainas, katër azerbaxhanas dhe 6 gjeorgjianë. Pas shpërthimit anëtarët e ekuipazhit të anijes u ndodhën të traumatizuar në det.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›