E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anija e mbytur, largohen 12 antarët e ekuipazhit

Janë larguar nga territori shqiptar 12 anëtarët e ekuipazhit të anijes çisternë e cila u mbyt pranë bregdetit të Durrësit. Pas përfundimit të punës së grupit hetimor, lidhur me marrjen e provave dhe dëshmive në vendin e ngjarjes, marinarët janë lënë të lirë të largohen nga territori shqiptar në drejtim të vendeve të tyre. Ndërkohë, janë ndërprerë kërkimet nga ajri dhe nga anijet patrulluese në distancë, ndërsa po vazhdon zhytja e polumbarëve në zonën ku ka ndodhur aksidenti për gjetjen e trupit të kapitenit të anijes. Ngjarja e rëndë është shënuar mesditën e së djelës në Porto Romano ku anija çisternë "Edirne" me flamur të Sierra Leones, me 15 anëtarë në bord është mbytur 6 milje larg Portit të Durrësit ndërsa ekuipazhi i saj përbëhej nga shtetas gjeorgjanë, ukrainas dhe nga Azerbaxhani. Si pasojë e mbytjes së anijes humbën jetën dy prej pjesëtarëve të ekuipazhit, ndërsa rezulton ende i zhdukur kapiteni i anijes, ndërsa 12 pjesëtarët e tjerë u evakuuan menjëherë. Anija çisternë ka shkarkuar disa ditë më parë një ngarkesë prej 3500 tonë karburant dhe ishte duke u larguar nga vendi ynë kur papritur ka marrë flakë si pasojë e një shpërthimi brenda saj dhe më pas është fundosur e tëra. Dyshohet se shkak për fundojen e anijes është bërë shpërthimi i gazit brenda anijes çisternë në momentin kur pjesëtarë të ekuipazhit ishin duke pastruar tankerat, të cilat shërbejnë për të mbajtur karburantin por ende vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›