E Diel, 1 Nëntor 2026

KLSH, Berisha uron Leskajn: Ke mbështetjen e qeverisë

TIRANE-Kryeministri Berisha zhvilloi sot, një takim me Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, zotin Bujar Leskaj, të cilit i uroi zgjedhjen e tij në këtë post dhe suksese në realizmin e detyrës së tij.

Sic bën të ditur zyra për shtyp e qeverisë, Kryeministri theksoi se lufta kundër korrupsionit dhe transparenca e qeverisjes janë gur themeli në një shtet demokratik. Duke e vlerësuar KLSH si një institucion themelor në këtë drejtim, Kryeministri theksoi se qeveria do të mbështesë punën e këtij institucioni.

Më tej, Kryeministri shprehu besimin se KLSH do të shqyrtojë gjithçka me rigorozitet dhe objektivitet maksimal në përputhje me ligjin. Kryeministri kërkoi që kontrolli të ketë si objektiv të gjitha institucionet si në nivel qendror ashtu edhe në nivel vendor.

Ndër të tjera, Kryeministri theksoi se është e nevojshme dhe shumë e rëndësishme që veprimtaria e KLSH të përqendrohet ne shtratin e saj ligjor që ia përcakton qartë Kushtetuta dhe ligjet.

Kryeministri u shpreh se Departamenti i Kontrollit të Brendshëm Administrativ dhe Antikorrupsion , pranë Këshillit të Ministrave, dhe te gjitha institucionet e tjera të kontrollit janë të gatshme të bashkëpunojë me KLSH-në.

Nga ana e tij, Kryetari i KLSH, zoti Bujar Leskaj falënderoi kryeministrin Berisha për pritjen dhe besimin e treguar nga maxhoranca për mandatimin e tij në këtë detyrë, duke theksuar se misioni i tij në krye të KLSH është zbatimi i Kushtetutës dhe ligjit.

Leskaj theksoi se “strategjia e re e KLSH do të jetë në sintoni me Strategjinë Antikorrupsion të qeverisë të miratuar në vitin 2008 duke siguruar nga ana tjetër se do të synojë në një zbatim profesional dhe efikas të ligjit jashtë çdo interesi tjetër”.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›