E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anija holandeze e aborteve bllokohet në portin e Marokut

Një anije e një organizate holandeze për të drejtat e njeriut, e cila ofron aborte falas për gratë shtatzanë, u pengua nga autoritetet marokene që të ankorohej në portin e Smirit.

Grupi i quajtur “Gratë në Dallgë” ofron aborte ose këshilla të specializuara, në bordin e anijeve, të cilat qëndrojnë në ujra ndërkombëtarë, pranë shteteve ku praktika e ndërprerjes së shtatzanisë konsiderohet e paligjshme.

Udhëheqësja e grupimit, Rebecca Gomperts, deklaroi për “BBC” se organizata është duke planifikuar një “përgjigje surprizë”.

Sipas saj, autoritetet marokene nuk kanë të drejtë të ndalojnë një anije që lundron nën flamur holandez.

Megjithatë, ministri i Shëndetësisë së Marokut, deklaroi në një televizion vendas se anija nuk do të lejohet “kurrë” të ndalojë në një port të vendit, pasi bie në ndesh me ligjet dhe kodet morale që zbatohen në Marok.

Organizata “Gratë në Dallgë” synon të ndërgjegjësojë popullsinë botërore mbi planifikimin familjar.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›