E Diel, 1 Nëntor 2026

Anija turke u mbyt në 9 minuta, mbijetojnë kapitenët, 8 të zhdukur

SHKRUAN: Vladimir Karaj 21-10-2011 14:23

Anija tregtare “Reina 1” u përplas në mesin e saj nga trageti “Ankara”, çka ka sjellë edhe ndarjen në dy pjesë. Prefekti Alizoti: Pati angazhim maksimal për gjetjen e të zhdukurve, presim një anije të specializuar turke

Dy kapitenët e anijes tregtare “Reina 1” janë të vetmit e mbijetuar të përplasjes fatale, prej së cilës rezultojnë të zhdukur 8 anëtarët e tjerë të ekuipazhit. Ekipet e kërkimit të Rojës Bregdetare, Policisë Kufitare dhe Guardia di Finazias me bazë në Durrës, kanë kërkuar gjithë zonën në vendin e aksidentit, rreth 20 milje nga bregu shqiptar, por pa rezultat. Ndërkohë, pritet që mëngjesin e sotëm të mbërrijë edhe një anije ushtarake turke, e specializuar në kërkim-shpëtim, për të bërë të mundur kërkimin brenda mbetjeve të anijes së mbytur, për trupat e ekuipazhit.

Aksidenti

Përplasja mes dy mjeteve detare ka ndodhur një orë pas mesnatës së djeshme, për shkaqe që mbeten ende të paqarta, por që duket se lidhen me pamundësinë e palëve për të njoftuar njëra- tjetrën për vendndodhjen. Dëshmitarë okularë dhe ekuipazhi i anijes së mbytur kanë rrëfyer se gjithçka ka ndodhur në pak minuta. Sipas të dhënave nga ekipet e shpëtimit, anija “Reina 1” që udhëtonte me flamur maltez është goditur në mes nga trageti “Ankara”, disa herë më i madh se ajo, duke u ndarë menjëherë në dy pjesë. Koha prej përplasjes deri në mbytjen e anijes ka qenë e shkurtër, sipas zyrtarëve shqiptarë që po ndjekin nga afër ngjarjen. “Janë dashur rreth 9 minuta që anija të fundosej plotësisht”, thotë prefekti i Durrësit, Genci Alizoti. Ai sqaroi se nuk kishte pasur asnjë sinjal nga anija që po mbytej, por njoftimi për aksidentin ishte bërë nga trageti. Një varkë e këtij të fundit ka mundur të nxjerrë nga uji kapitenin e parë dhe të dytë të anijes tregtare “Reina 1”, Ahmed Bal dhe Ahmed Soytyrk, që janë edhe të vetmit të mbijetuar deri tani nga tragjedia. Anija e tyre ishte nisur nga porti rus i Novorossiyskut në detin e Zi, ku është ngarkuar me alumin dhe duhej të mbërrinte mëngjesin e sotëm, rreth orës 7.00 në portin e Barit në Malin e Zi. Ajo u përplas me tragetin “Ankara”, që ishte nisur nga Durrësi dhe udhëtonte drejt Italisë. Anijet kanë rënë në kontakt me njëra-tjetrën në ujërat ndërkombëtare, rreth 20 milje nga Durrësi, ku edhe për motive ende të paqarta ka ndodhur përplasja.

Operacioni

Menjëherë në vendin ku është sinjalizuar aksidenti kanë shkuar forca të policisë kufitare dhe Rojes Bregdetare dhe operacionet e kërkim shpëtimit kanë filluar në të njëjtin moment, por nuk kanë dhënë asnjë rezultat. Ndërkohë nga mëngjesi është përfshirë në kërkim edhe një helikopter i Ministrisë së Mbrojtjes, por edhe ky nuk ka mundur të zbulojë më shumë për fatin e tetë marinarëve të zhdukur. Nga të dhënat paraprake mësohet se anija është mbytur në vendin ku edhe ka ndodhur përplasja, por nga ana tjetër nuk ka asnjë të dhënë nëse ekuipazhi ndodhet brenda saj apo është hedhur në det në kohën e përplasjes. Prefekti Alizoti tha se pritet mbërritja e një anije turke të specializuar, që mund të bëjë edhe më shumë në këtë drejtim, pasi palës shqiptare i mungonin mjetet për të verifikuar nëse kishte trupa marinarësh në anijen e mbytur. Nga ana shqiptare, operacioni i kërkimit u ndërpre në mesditë, por rifilloi në orët e pasdites, por deri vonë në mbrëmje nuk pati asnjë të dhënë rreth fatit të 8 marinarëve të zhdukur. Prefekti Alizoti tha se ka pasur një angazhim maksimal për të gjetur të mbijetuar, ndërsa dy të shpëtuarve u janë krijuar kushte maksimale dhe kanë pasur përkujdes shëndetësor nga një staf i kualifikuar.

Hetimet

Ende janë të paqarta shkaqet e aksidentit, por mësohet se hetimi rreth ngjarjes që ka ndodhur 5 milje larg ujërave territoriale të Shqipërisë do t’u kalojë autoriteteve turke. Pritet që ekuipazhi dhe pasagjerët e tragetit do të pyeten në Itali, ku edhe kanë mbërritur pasditen e djeshme. Nga ana shqiptare ndërkohë janë bërë disa verifikime dhe pritet të bëhet marrja në pyetje e dy të mbijetuarve që ndodhen në Durrës, por hetimet rreth ngjarjes pritet të ndërmerren nga ana e Turqisë. Ndërkohë, nga ana e Policisë Kufitare dhe ekipeve të shpëtimit thuhet se është arritur të kuptohet në një farë mase se çfarë ka ndodhur. Sipas Alizotit që drejtoi shtabin e emergjencës për këtë ngjarje, mësohet se trageti ka goditur anijen e vogël tregtare 4500-tonëshe në mesin e saj, duke e thyer atë në mes dhe çuar në mbytjen e saj thuajse të menjëhershme pas përplasjes. Ndërkohë, nuk ka të dhëna se përse anijet nuk kanë komunikuar më herët me njëra- tjetrën dhe si janë gjendur papritur aq afër dhe pa mundësi manovrimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›