“Përplasja ndodhi pas gabimit në trajektore”
Përfaqësuesi i kompanisë që kishte me qira tragetin “Ankara”, Nicolo Carnimeo, pohon se mes dy anijeve ka pasur komunikime. Shfajëson ekuipazhin e tragetit, por pohon se ata ndodhen në dispozicion të hetimeve në Itali
Nicolo Carnimeo, përfaqësues i kompanisë italiano-shqiptare “Adriatica Traghetti“, e cila përdorte tragetin “Ankara” për udhëtimet Bari-Durrës, rrëfen si mësoi nga kapiteni turk përplasjen e dy anijeve. Në një intervistë për MAPO-n, Carnimeo pohon se dy anijet kanë qenë duke komunikuar me njëra-tjetrën, por diçka ka shkuar keq, për të përfunduar më pas me përplasjen fatale. Duke shfajësuar ekuipazhin e tragetit “Ankara”, përfaqësuesi italian shton megjithatë se stafi ndodhet në dispozicion të hetimit nga autoritetet italiane.
Zoti Carnimeo, kur jeni njoftuar ju mbi përplasjen e tragetit “Ankara”, i cili përdoret nga kompania juaj me anijen “Reina 1” në detin Adriatik?
Ka qenë pas mesnate, momenti kur jam njoftuar. Jam njoftuar direkt nga drejtuesit e tragetit, pasi mora menjëherë kontakt me ta.
Trageti është në pronësinë e kompanisë “Adriatica Traghetti”, në të cilën ju jeni përfaqësues. Si e konsideroni përgjegjësinë për këtë ngjarje?
Në fakt, kompania jonë është e dedikuar në transportin e pasagjerëve dhe të një numri mallrash nga Durrësi në Bari dhe anasjelltas. Marrëdhënia e kompanisë me tragetin nuk është marrëdhënie pronësie, por marrje me qira. Pra, ne e përdorim tragetin kundrejt qirasë mujore. Nisur nga kjo marrëdhënie dhe detyrimet tona që janë të kristalizuara në kontratën përkatëse kanë të bëjnë vetëm me transportin, janë detyrime mbi shërbimin në traget dhe pasagjerët. Ekuipazhi drejtues i tragetit “Ankara”, të cilin ne e kemi me qira, është i gjithi turk. Në bazë të kontratës që kemi nënshkruar ne të gjithë, detyrimet dhe përgjegjësitë në lidhje me drejtimin e tragetit janë të ekuipazhit, pasi ne jemi kompani e dedikuar në transportin e udhëtarëve dhe nuk kemi kualifikim në drejtimin e anijeve dhe trageteve. Ndaj e paguajmë këtë shërbim, kemi marrë me qira tragetin dhe bordi, ekuipazhi drejtues, janë turq. Mund t’ju them se kapiteni i anijes është turk, por dhe oficeri i parë dhe oficeri i dytë i anijes janë turq. Pra, hallkat kryesore të zinxhirit drejtues të tragetit janë shtetas turq të specializuar.
Si ua tregoi kapiteni momentin e përplasjes?
Unë kam folur me kapitenin e tragetit, menjëherë pas përplasjes, por edhe më vonë. Nga shpjegimi i tij rezulton se në kohën kur ka ndodhur përplasja, në traget ka qenë oficeri i dytë që drejtonte tragetin. Nga shpjegimi që më ka dhënë kapiteni turk i tragetit, trageti “Ankara” ka patur përparësinë në lëvizje, pra ka qenë në drejtimin korrekt. Anija tregtare “Reina 1” i ka dalë tragetit nga krahu i majtë dhe i ka zënë rrugën. Në dijeninë time ka patur dhe komunikime me radio mes ekuipazhit të tragetit dhe ekuipazhit të anijes “Reina 1”.
Dini diçka konkrete mbi përmbajtjen e këtyre komunikimeve, zoti Carnimeo?
Nuk di të them me siguri se çfarë është folur, por di që janë kontaktuar me njëri-tjetrin dhe ajo që di unë paraprakisht, është fakti që kanë rënë dakord që të vazhdonin në koordinata të përcaktuara prej tyre në komunikim, por diku është gabuar dhe ka ndodhur përplasja.
Sipas gjykimit tuaj, kush ka gabuar?
Sipas qëndrimit dhe asaj që më tha kapiteni turk i tragetit “Ankara”, trageti ka ruajtur përparësinë në lëvizje. Anija tregtare “Reina 1” i ka dalë nga krahu i majtë dhe i ka dalë para tragetit. Pjesa ballore e tragetit ka goditur anijen në mesin e saj, në momentin e përplasjes. Kini parasysh që anija tregtare “Reina 1” është një anije e gjatë, por pa gjerësi. Duke qenë e tillë, goditja nga ana e tragetit mu në mes të saj e bën thyerjen dhe shkatërrimin e saj më të shpejtë. Ky mendoj se është dhe shkaku që anija është mbytur aq shpejt.
Po shpëtimi i dy personave të anijes “Reina 1’ si ndodhi?
Ekuipazhi i tragetit “Ankara” menjëherë pas përplasjes ka vënë re dy persona në det me duart lart. Porsa janë konstatuar këta persona, me urdhër të kapitenit turk të tragetit është hedhur në det një barkë shpëtimi dhe ata janë transportuar për në traget. Në momentin që kanë hipur në traget, dy personat janë prezantuar si kapiteni i anijes “Reina 1” dhe oficeri i parë i së njëjtës anije. Ata kanë thënë se ndodheshin mbi kuvertën e anijes, ndaj kishin mundur t’i shpëtonin fundosjes së shpejtë të anijes. Ata njoftuan se nën kuvertë ndodheshin dhe pesë persona të tjerë dhe në një nivel edhe më të ulët ndodheshin të tjerë persona. Këta janë personat që po kërkohen nga grupet e shpëtimit. Ky ka qenë momenti i shpëtimit të dy personave. Mund t’ju them se në dijeninë time, trageti ka pësuar dëme minimale, se kuptohet që është 10 mijë tonë. Madje, pasagjerë që kanë qenë në gjumë në momentin e përplasjes kanë vazhduar të flenë dhe në mëngjes kanë mësuar për ngjarjen. Pra nuk ka patur ndjeshmëri në traget apo tronditje të fortë nga përplasja me anijen “Reina 1”. Trageti ka mbërritur në Itali pasdite dhe është plotësisht në dispozicion të hetuesve italianë, të cilët do të bëjnë verifikimet dhe hetimet e nevojshme.