Kapiteni: Trageti nuk iu përgjigj thirrjeve tona, tmerri në bord pas përplasjes
Kapiteni i parë i anijes së mbytur, Ahmed Bal, pohon se anija nisi të fundosej, tre minuta pas përplasjes. “Ne ishim me një shpejtësi 8 milje në orë, trageti ‘Ankara’ erdhi drejt nesh dhe na goditi me një shpejtësi te 16 milje në orë. Anija u godit në mes”
Durrës Kapiteni i anijes së mbytur “Reina 1”, Ahmet Bal, rrëfen se përplasja 20 milje nga bregu shqiptar ndodhi shumë shpejt dhe se palët e përfshira e kanë pasur të pamundur të komunikojnë me njëra-tjetrën. Sipas Bal, që ndodhet në spitalin e Durrësit, në drejtim ka qenë kapiteni i tretë, kur ata kanë vënë re anijen tjetër dhe kanë tentuar të komunikojnë me të, por nuk kanë marrë përgjigje. Ai thotë se trageti nuk e ka kuptuar që po shkonte drejt “Reina 1”, ndërsa për të ka qenë e pamundur që të ndryshonte rrugë. Kapiteni i parë dhe i dytë i anijes tregtare janë të vetmit që mundën të shpëtojnë, nga ekuipazhi prej 10 vetash, ku tetë rezultojnë të humbur.
Kur e vutë re tragetin dhe çfarë ndodhi në momentet para përplasjes?
Ngjarja ndodhi në orën 01:05 të mëngjesit. Papritur po shihnim që trageti po afrohej drejt anijes sonë. Në momentin e aksidentit, në kabinë ishte kapiteni i tretë. Ky sinjalizoi tragetin, por nuk mori përgjigje. Pasi u dha alarmi, filloi paniku tek ekuipazhi. Po mundohesha t’i qetësoja, por gjithçka ndodhi në një çast. Nuk kisha kohë as për të rrotulluar timonin që të merrnim një drejtim tjetër. Ishte e pamundur.
Pse nuk mund të manovronit? Si ndodhi më pas përplasja?
Ne ishim me një shpejtësi 8 milje në orë, trageti "Ankara" erdhi drejt nesh dhe na goditi me një shpejtësi tek 16 milje në orë. Anija u godit në mes.
E njihnit kapitenin e tragetit, pasi edhe ai mësohet se ishte turk?
Kapiteni i tragetit që u përplas me ne ishte turk, me emrin Atila, mbiemri nuk më kujtohet. Kapiteni i “Ankarasë” duket se nuk e kuptoi që po vinte drejt anijes sonë. Gjithçka ndodhi shumë shpejt, anija nisi të fundoset brenda tri minutash pas përplasjes.
Si shpëtuat, kush ju nxori nga uji?
Pasi anija filloi të fundosej, personeli i tragetit nisi të jepte ndihmën e parë për të mbijetuarit dhe ata bënë të pamundurën për të na shpëtuar. Ishin momente shumë të vështira për mua dhe kapitenin e dytë. Ne na shpëtoi ekuipazhi i tragetit dhe më vonë mbërritën rojet bregdetare në vendin e ngjarjes. Në fillim na kujtuan të vdekur, sepse ishim në gjendje të fikëti dhe vetëm pasi na nxorën nga uji dhe u përmendëm kuptuan që ishim gjallë.
Çfarë ndodhi me pjesën tjetër të ekuipazhit?
Shpëtuam vetëm unë dhe kapiteni i dytë, kurse për shokët e tjerë nuk di asgjë dhe mezi pres të mësoj për ta, jemi shumë në merak.
Sa ekuipazh kishte në anijen tuaj?
Edhe pasi u dha alarmi ishte shumë e vështirë të shpëtohej i gjithë personeli prej 10 personash i anijes (3 kapitenë, 6 punonjës dhe 1 kuzhiniere).