E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anjeza: Kënga armë e fortë që promovova në Turqi

SHKRUAN: Ilda Lumani 24-09-2011 13:27

Turqia për të nuk është vetëm një vend turistik, ku shumë shqiptarë kalojnë pushimet verore. Ajo ka një përjetim shumë më të madh… Aty ka provuar emocionet e asaj skene të madhe të Eurovizionit, që rrallë vijnë në jetë. Kjo ndjesi përjetohet prej saj sa herë këngëtarja jonë e suksesshme Anjeza Shahini gjendet në Turqi. Aq më tepër që rasti që sjellim sot është po kaq i veçantë. Anjeza ka qenë e ftuar në një reality-show në televizionin TRT AVAZ, ku për një javë ka shijuar qytetet e traditës turke, ka folur për turizmin, ka promovuar qytetet shqiptare, e sigurisht edhe ka kënduara disa nga hitet shqiptare si “Lemza” e “Djaloshi dhe shiu”. Me këtë eksperiencë krejt të rrallë, Anjeza vjen sot në faqet VIP të gazetës “Mapo” për të ndarë me ne këto emocione të papërsëritshme!

Anjeza, pak ditë më parë keni qenë në Turqi, mysafire në një “reality-show”, që kishte në qendër promovimin e turizmit. Mund të na e përshkruani si u bëtë ju pjesë e këtij program?

Po, vërtet unë pata kënaqësinë të isha pjesë e këtij mini reality-show në Turqi për televizionin TRT AVAZ, në të cilin një prej moderatoreve të suksesshme bën pjesë edhe një vajze shqiptare, Nertila Doka. Tashmë në këtë televizion ka edhe programe shqip, ndaj dhe mendimi i tyre ishte të ftonin një artiste shqiptare në këtë program mëngjesi, i cili kishte mëse dy muaj që lëvizte nëpër vendet turistike specifike të Turqisë. Unë mora ftesën dhe e pranova me shumë kënaqësi.

Gërshetimi i kulturave dhe turizmit të dy vendeve ka qenë pjesë e këtij programi. Ju vetë, cila është ajo pjesë që e keni promovuar me dëshirë dhe që mendoni se çdo kush në botë duhet ta shohë në Shqipëri?

Në fakt ky ishte dhe qëllimi i programit, promovimi i turizmit turk, por çdo artist i vendeve të ftuara sigurisht që do përcjellë diçka nga vendi që vjen. Duke parë Cesme dhe Alacati, më kujtoheshin qytetet tona turistike si Berati apo Vlora dhe Saranda, e teksa i përmendja, i krahasoja duke qenë se resurset tona natyrore janë më tepër se të mira, por duke marrë shembuj nga vende të mëdha si Turqia edhe turizmin shqiptar duhet ta promovojmë po aq mirë.

Gjithashtu muzika ka qenë pjesë e këtij programi. Cilat kanë qenë pjesët që keni interpretuar gjatë tij?

Patjetër që kënga ishte një nga armët më të forta për të treguar kulturën tonë dhe ndër këngët që nisa t’i këndoj gjatë programit ishin “Lemza”, “Djaloshi dhe shiu”, të cilat u pëlqyen shumë dhe për këtë isha e sigurt.

Në Turqi keni marrë kujtimet më të bukura, ato të Eurovizionit. A jua rikthehu kjo pjesëmarrje ato emocione dhe a ju pyetën rreth atij kompeticioni?

Sa herë që unë shkoj në Turqi, mendja vetvetiu shkon te festivali. Stafi TRT AVAZ ishin të informuar për këtë dhe patjetër që hera-herës biseda përqendrohej te Festivali Europian dhe te mbresat që më kishte lënë mua mikpritja e tyre.

Cila është gjëja më interesante, eksperienca që ju morët në këtë një javë në Turqi, ajo që do të donit të ndanit me lexuesit?

Eksperienca ishte tepër e bukur. Në fakt, më kujtonte një tjetër eksperiencë që unë kam pasur gjatë 4 javëve të vitit 2007 nëpër Shqipëri me programin “Anija e Artistëve”. Dhe kjo eksperiencë atje më bëri të kuptoj që Shqipëria ka nevojë për promovim, por patjetër edhe për kualitet, gjë që vihet re se ka qenë në përmirësim sidomos nga kontributi i ideve të të rinjve të sotëm, të cilët kanë përfituar edhe nga eksperienca të vendeve të avancuara në botë.

Anjeza, në fund por jo më pak e rëndësishmja, pak ditë më parë keni promovuar klipin “Ti dhe unë” në bashkëpunim me “Zig Zag Orkestër”. Urime për të dhe cili ka qenë emocioni rreth tij? Gjithashtu diçka rreth xhirimeve?

Po kënga “Ti dhe unë” është një ndër ato këngë që për mua kanë qenë tepër domethënëse për vetë impaktin që pati në publik. Bashkë me Drenin, solistin e grupit Zig Zag, e kishim dëshirë të realizonim një videoklip si një simbol për të gjithë ata që na mbështetën gjatë Top Fest. Xhirimet janë bërë në Teter të Prishtinës dhe në Gjirin e Lalsit këtu. Është një produksion i Pinkmoon. Kemi kaluar mjaft bukur, duke qenë se dhe edhe grupi i punës ishin mjaft të këndshëm, por edhe unë ndihesha e përkëdhelur si e vetmja femër në mes djemsh tepër xhentilë (qesh).

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›