E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ankandi per kombetaren

Pavarësisht se presidenti premtoi se një emër do të dilte zyrtarisht në dritë deri në fund të kësaj jave, besohet se stoli i kombëtares shqiptare mund të jetë i detyruar të presë fillimin e javës së ardhshme.

Burime shumë të brendshme dhe të informuara në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) pohuan në linjë telefonike për “abc news” se vështirësitë janë të mëdha në përpjekjet për të finalizuar garën emocionuese për caktimin e pasardhësit të Josip Kuzhes.

Besnik Hasi mund të jetë vërtet trajneri i ri, por nuk mund të thuhet se kosovari është patjetër favorit, ndërsa emrat që rivalizojnë nuk mungojnë.

Presidenti Duka dhe drejtuesit e tjerë në Federatë pëlqejnë mjaft sllovenin Matjazh Kek, veçse fatura financiare mund të jetë ajo që mund të pengojë.

Kek, njeriu që drejtoi Slloveninë për në finalet e Kupës së Botës të vitit 2010 në Afrikën e Jugut, vlerësohet me të drejtë si një trajner i sprovuar teknikisht dhe që nuk ka të sharë, aq më shumë për një kombëtare jo të nivelit shumë të lartë si Shqipëria.

Por, nuk është vetëm financa që tremb, pasi siç thotë fjala popullore, në Federatë “pasi janë djegur nga qulli, duan t’i fryjnë edhe kosit”. Thënë më qartë, jo gjithnjë mjafton të jesh trajner i mirë për të pasur sukses në truallin shqiptar.

Duka mesa duket është i detyruar të shtyjë afatet, i bindur se ka më pak dëm të bësh kështu sesa të bësh një zgjedhje jo të studiuar deri në fund. Siç është shprehur një tjetër burim më parë në Federatë, “nëse do të mbetemi tek rroga e Kuzhes, duhet të jemi të kënaqur”.
Por, kjo mund të duket shumë për Besnik Hasin dhe pak Për Matjazh Kekun.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›