Ankaraja, fytyra urbane e Turqisë
Pa ndihmën e turqve nuk mund ta përshkojmë si duhet Ankaranë. Mikpritësit tanë janë TIKA (Agjencia Ndërkombëtare për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin) dhe një përfaqësues i tyre, që na shoqëron për çdo ditë, është përgjegjës për nevojat tona.
Dy përfaqësues të kryeministrisë nuk na ndahen po ashtu. Omeri, shoqëruesi ynë, mundohet të shpjegojë me një anglishte të keqe për qytetin dhe strukturat drejtuese, më pak për historinë. Është i sjellshëm dhe simpatik. Kur vetëm pak nga ne pyesin pak mbrapsht, një re e zezë i zbret në fytyrë dhe kjo do të thotë: mjaft. Në fakt, turqve, personalisht u jam mirënjohës për këtë ndihmë, për të njohur kulturën dhe strukturat e tyre drejtuese.
Ankaraja është tejet perëndimore. E pastër dhe e sistemuar. Pas kësaj zone, ku ti shikon ende Turqinë e shamikuqes, qyteti ka ndryshuar shumë dhe sot është vendbanimi për rreth 4.4 milionë banorë.
Dikur qyteti identifikohej me qendrën kulturore të Hititëve Ankuëas, megjithatë kjo mbetet për debat. Në antikitetin klasik dhe gjatë periudhës mesjetare, qyteti u njoh si Ankyra nga grekët. Por një ide është se emri ka zbritur prej pushtuesve selxhukë. Sot qyteti është një vend industrial e komercial dhe është qendra e qeverisë dhe presidentit turk.
Në Ankara, rezidenca e tij është e mbyllur pas një rrethimi të dyfishtë, ku ushtarë me gishtin në këmbëz rrinë gati në çdo moment. Qyteti ka shumë gjelbërim dhe pastërti, që kur krahasohet me Stambollin, mbetet mbresëlënëse. Turqit e sotëm kanë treguar se e kanë shpërfillur hapur natyrën: Me gjithë karakteristikat jo të mira natyrore, ngaqë Ankaraja është një nga pjesët më të thata të vendit, përveç një hapësirë pylli në jug, qyteti ka arritur të ketë sot gjelbërim 72m2 për kokë banori.
Në tekstet tona dikur thuhej se Turqia është si “I sëmuri i Bosforit”, por vendi që ende e kontrollon Bosforin, është bërë sot lojtari kryesor në hapësirat që ndajnë Perëndimin me Lindjen. Që kur Ataturku krijoi Turqinë moderne në vitin 1923, vendi është përplasur nga forca kundërshtare që kanë punuar brenda kulturës kombëtare dhe ndërgjegjes. Duke marrë parasysh myslimanizmin në rrënjë të tyre, qeveria e idealizuar nga Ataturku dhe e mbrojtur për shumë vjet nga ushtria kishte një imazh perëndimor, demokraci sekulare me një ndarje të qartë të shtetit me religjionin. Kur ushtria ndjente se diçka s’ishte mirë, të hiqte kokën. Kështu ndodhi jo shumë larg, por në vitin 1997, kur qeveria e Nexhmedin Erbakan u detyrua të japë dorëheqjen, sepse gjeneralët menduan se vendi po kalonte drejt një autokracie islamike, si Irani fqinj. Ajo që ka rrjedhë pas kësaj ngjarje është mbresëlënëse, megjithatë myslimanizmi është shtuar frikshëm.
Turqia është aty ku teoritë e liberal demokratëve perëndimorë përballen me autokracitë e vendeve islamike.
Ani pse situata e brendshme s’është aq dashamire. Kryeministri me mandatin e tretë rresht ose më të shumtin në historinë e Turqisë moderne, Rejjep Tayyip Erdogan, jo vetëm ka fituar, por e ka shpallur hapur sfidën e tij. Atij s’i bën përshtypje që opozita.
Edhe pse shkëlqesia e tij Rexhep Erdogan ka premtuar të punojë me opozitën për një kushtetutë të re, duket se pika e takimit është larg. Mos harroni: në Turqi gjithçka shkon si do kryeministri. Edhe ushtria pas arrestimeve të kohëve më parë, s’është më e frikshme për të. Me pak fjalë, fryma perëndimore e Ataturkut ka filluar të zbehet. Duke u kthyer te parlamenti me 550 ulëse, rreth 130 vende janë të partisë kryesore opozitare, ndërsa të pavarurit kanë 36 vende.
“Ne nuk betohemi nëse nuk gjendet mënyra që të votohen të gjithë deputetët tanë”, thotë ditët që jemi ne lideri i opozitës, Kemal Kilicdaroglu.
“Deri më 2025 Turqia do të jetë një nga 15 polet botërore dhe do të pretendojë një rol ndikimi mbi vendet e tjera”, ka thënë ditët e fundit Banka Botërore.
Por, Turqia nuk po qëndron indiferente edhe ndaj burimeve energjetike. Me Rusinë po vazhdojnë negociatat për rregullimet e çmimit të gazit dhe vendimit në lidhje për të ardhmen e kontratës së gazsjellësit në perëndim. E ashtu si në perëndim, vendi nuk harron t’i ketë sytë e drejtuar nga Lindja. Kur e gjithë bota vazhdon të shmangë Irakun, Erdogan ishte atje në krye të 200 biznesmenëve dhe mallrat turke e kanë pushtuar tregun në Bagdad.
Në Egjipt, parullat që hidheshin nga protestuesit e donin vendin të ishte si Turqia. Është bërë një vend kaq ambicioz, saqë në një Lindje të Mesme kaq turbulente, besohet se ajo ka rolin e vërtetë demokratik. Ajo është zëri më modern i gjithë zonës. Jo më kot, kur i kërkohet nevoja, ajo afrohet menjëherë si mediatore.
Që nga 2005, Turqia po bën bisedime të stërgjata me BE-në, por kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy thonë thjesht se për ta mjafton një “partneritet i privilegjuar” me Turqinë, se sa anëtarësimi i saj në union. Kjo e ka bërë Turqinë që të shtrojë pyetjen: Është Evropa një klub i krishterë apo është adresa e një komuniteti civilizimi.
Në shpirtin e tyre ka ende bërthamë perandorie. Ndaj, Erdogan në Dusseldorf tha para pak kohësh: “Fëmijët tanë vërtet duhet të mësojnë gjermanisht, por më parë duhet të mësojnë turqisht”.