Rrezikohen Gjirokastra e Berati
Gjirokastra mund të futet në listën e monumenteve të rrezikuara të UNESCO’s, u tha gjatë një debati për ngritjet e kapaciteteve për administrimin e qendrave shqiptare të përfshira në listën e pasurive botërore (si Berati, Gjirokastra, Butrinti), të organizuar nga UNESCO dhe Qendra Ndërkombëtare për Arkeologjinë Shqiptare.
Gjatë debatit u tha se në tetor në Shqipëri arrin një mision i posaçëm monitorues i ekspertëve ndërkombëtarë, i cili do të vendos nëse Gjirmkstra do të futet në listën e zonave të rrezikuara arkeologjike që rrezikojnë të dalin nga ombrella e UNESCO’s. Raporti i monitorimit do të diskutohet pastaj në vitin 2012. Sipas arkeologut, Lorenc Bejko, “Komiteti i Trashëgimisë Botërore, duke analizuar raportin për situatën në të cilën gjendet zona e mbrojtur historike e Gjirokastrës dhe Beratit, ka vendosur që për vitin 2011 të propozojë ngritjen e një misioni monitorues të ICOMOS’it për Beratin dhe Gjirokastrën. Kjo, me qëllim të vlerësimit nëse këto pasuri botërore të njerëzimit shfaqin elementë që klasifikohen si pjesë e trashëgimisë botërore në rrezik”.
Duke e vlerësuar gjendjen aktuale të të dy zonave si një “varkë që lëshon ujë” nga shumë vrima, problemet më shqetësuese që u ngritën gjatë debatit ndërlidheshin me bashkëpunimin e institucioneve të specializuara me autoritetet vendore, nivelin e ulët të ndërgjegjësimit të komunitetit për vlerat dhe për rreziqet nga ndërtimet pa leje, mungesën e kontrollit ndaj zhvillimin urban dhe të planeve specifike për mbrojtjen dhe menaxhimin e të dy qyteteve. Në debat u nënvizua se të gjithë faktorët dhe aktorët, që kanë lidhje me ruajtjen dhe menaxhimin e Gjirokastrës dhe Beratit, duhet të nxisin një politikë aktive për mbrojtjen e vlerës universale të kësaj pasurie, veçanërisht sa i përket menaxhimit të ndërtimeve urbane dhe të infrastrukturës për vizitorë.
Sipas vlerësimit të ekspertëve të UNESCO’s, gjendja e dy qyteteve ka qenë kënaqshme, ndonëse ajo ka ndryshuar falë zhvillimeve kaotike urbane. Sipas UNESCO’s, ndërtimet pa kriter dhe përfshirja e këtyre vlerave në listën e zonave të rrezikuara do të imponojë respektimin e rreptë të standardeve ndërkombëtare ndaj qeverisjes qendrore dhe asaj vendore.