E Diel, 1 Nëntor 2026

Ankaraja u ankua për shkelje të marrëveshjes

Shkak për ndryshimin e marrëveshjes tregtare është bërë edhe ankesa që pala turke ka pasur mbi mënyrën se si qeveria shqiptare po e zbatonte. Gazeta mëson faktin e letrës që qeveria e Ankarasë i ka dërguar Kryeministrit Sali Berisha, duke i kërkuar respektimin e marrëveshjes. Ankesa e shtetit turk erdhi pas shumë pretendimeve që bizneset e dy vendeve kishin ndaj diskriminimit në doganat shqiptare sa i takon zbatimit të taksave. Nga takimet dypalëshe, turqit ishin ankuar për referencat doganore që dogana shqiptare vendoste mbi mallrat e tyre që hynin në tregun tonë. Ndërsa pala shqiptare justifikohej me certifikimin dhe faturën e mallit, që nuk korrespondonte me realitetin. Diskutimet kanë vijuar më tej deri në gjetjen e zgjidhjes, duke ndryshuar procedurën e verifikimit të origjinës. Element i rëndësishëm në marrëveshjen e re është bashkëpunimi doganor dhe shkëmbimi i informacionit. Tashmë produkte origjine do të quhen edhe ato mallra që përpunohen me lëndë të parë të blerë nga një vend tjetër, rasti konkret Turqia. Që nga viti 2002, kur investimet turke shënonin vlerën e rreth 32 milionë eurove, tani ato e kanë kapërcyer shifrën 1 miliard, konkretisht në sektorë financiarë, telefoni, tregti, shëndetësi dhe arsim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›