E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ankesa e PS për rinumërimin e kutive në Shkodër

25-07-2013 / Gazeta 55

Kolegji Zgjedhor: Ankesa do shqyrtohet më 26 korrik - KQZ vijon rinumërimin

Kolegji Zgjedhor vendosi të shtyjë për në datën 26 korrik shqyrtimin në themel të kërkesës ankimore të Partisë Socialiste për Qarkun e Shkodrës, e cila kërkon shfuqizimin e vendimit të KQZ-së të 19 korrikut, për rinumërimin e 8 ZAZ-ve të qarkut Shkodër. Ndërkohë KQZ-ja do të ketë mundësi që gjatë këtyre dy ditëve të përmbyllë procesin e rinumërimit të votave të qarkut të Shkodrës. Përfaqësuesi i PS-së Koli Bele sqaroi për mediat se “Kolegji Zgjedhor për një shkak procedural të ngritur nga PR vendosi shtyrjen pas dy ditësh të gjykimit të themelit. Nuk ka ndonjë shqetësim nga PS për të sqaruar”, deklaroi Bele. Partia Republikane kërkoi përjashtimin e kryetares Gjinovefa Gaba. Ndërsa përfaqësuesit e PD-së janë shprehur se ndaj Gabës është dhënë një masë disiplinore në 2008, prandaj ajo duhet të përjashtohet nga ky relatim. Sipas përfaqësuesve të PS-së, kërkesa e PD nuk është serioze, ndërsa ajo e PR është e pabazuar. “Neni 151 nuk parashikon kërkesën”, thonë përfaqësuesit e PS. Ndërkohë  KQZ vijoi paraditen e sotme rinumërimin e votave të qarkut Shkodër me hapjen e kutive të ZAZ-së së pestë.  Nga 8 ZAZ që ka ky qark KQZ ka rinumëruar deri tani votat e katër prej tyre, nga ku nuk janë konstatuar parregullsi apo shkelje që të kenë ndikim në rezultat.  Rinumërimi i kutive të këtij qarku erdhi pas kërkesës ankimore të Partisë Republikane, e cila pretendon se në Shkodër i është marrë një mandat. Ndaj kësaj vendimmarrje të KQZ-së, PS është ankuar në Kolegjin Zgjedhor, i cili pritet të shqyrtojë sot kërkesën në fjalë.  Pas pranimit nga Kolegji të kërkesës ankimore për qarkun e Lezhës, sot PS do të kërkojë shfuqizimin e vendimit të KQZ-së të 19 korrikut, për rinumërimin e 8 ZAZ-ve të qarkut Shkodër. Dy ditë më parë Kolegji zgjedhor pas shqyrtimit të ankesës së PS-së e konsideroi ‘jo ligjore’ rinumërimin e votave nga KQZ për qarkun Lezhë, pasi procedura e ndjekur nuk është në përputhje me kodin zgjedhor, për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm të Komisionit.  Ndërkaq nënkryetari i PR-së, Arjan Madhi ka komentuar dje rinumërimin që vazhdon të kryhet në KQZ për votat e Qarkut të Shkodrës, pas kërkesës ankimore të kësaj force, që pretendon një mandat në këtë qark. Madhi u shpreh se me votat e rinumëruara deri më tani rezulton se ka pasur gabime njerëzore nëpër kutitë e votimit por edhe manipulime.  Madhi deklaroi më tej se PR i nevojiten 200 vota për të fituar një mandat, por se si do ecë trendi i rinumërimit, tha ai, kjo gjë nuk mund të parashikohet.  “Nuk mund te analizohet trendi i votave me numërimin e një KZAZ sepse deformimet mund të ndodhin edhe me 5 kuti dhe PR mund të fitojë mandatin. Na duhen 200 vota për të marrë një mandat, por nuk është numër i madh”, tha Madhi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›