E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama gjobëvënës, sulme të egra kundër investitorëve – koncesionet janë dhënë në përputhje me ligjin

25-07-2013 / Gazeta 55

Qeveria miraton vendimin për dhënien me koncesion të disa HEC-eve

Këshilli i Ministrave miratoi dje dhënien me koncesion të disa hidrocentraleve. Kryeministri Berisha iu referua edhe qëndrimit të Edi Ramës lidhur me sulmet kundër investitorëve. Sipas tij, zotimi për të anuluar koncesionet, pa paraqitur qoftë edhe një argument të vetëm edhe pa i dërguar dosjen në gjykatë, tregon se nuk ka qëllim tjetër përveç gjobëvënës. “Janë një seri hidrocentralesh. Me gjithë zotimin e zyrës së Kryeministrit të zgjedhur, siç po e shpall veten zoti Rama, se do të anulojë çdo koncesion, kjo qeveri vazhdon normalisht ushtrimin e detyrave të veta deri në mbledhjen e fundit të saj. Është kjo qeveri e cila ka hapur siparin dhe ka bërë të mundur që në Shqipëri nga viti 2008 e deri më sot të firmosen në sektorin privat mbi 130 kontrata për ndërtimin e mbi 370 hidrocentraleve, po të marrim edhe miratimin e këtyre sot. Kjo është një ndër historitë më të shkëlqyera të suksesit që ky vend ka pasur ndonjëherë, dëshmi e një besimi të madh të biznesit për klimën e investimeve në Shqipëri, por dëshmi e një kuadri të shkëlqyer ligjor që qeveria miratoi për shfrytëzimin sa më të madh të kësaj pasurie kombëtare që është edhe pasura e parë e shqiptarëve. Natyrisht, çdo qeveri është e detyruar të qëndrojë në mënyrë të vendosur ndaj çdo veprimi të pabazuar në ligj, por një qeveri apo një forcë politike që me megafon zotohet se do të anulojë këtë apo atë koncesion, pa paraqitur qoftë edhe një argument të vetëm edhe pa i dërguar dosjen në gjykatë, tregon se nuk ka qëllim tjetër përveç gjobëvënës. Kjo është shumë e rrezikshme dhe shumë e pandershme. Nuk duhet harruar se asgjë në këtë botë nuk trembet më shumë se paraja. Ajo trembet më shumë se çdo gjë tjetër. Në qoftë se nga selia mavi çdo ditë bëhen deklarata se do të anulojmë këto dhe ato, kjo do të thotë që qindra investitorë të rezervohen shumë për të investuar paratë e tyre në këtë vend”- u shpreh Berisha.
Kryeministri theksoi se kontratat koncensionare janë në përputhje me ligjin.
“Çdo kontratë, çdo vendim është transparent dhe i plotë dhe mund të merret jo vetëm nga forca politike që vjen në pushtet, por mund të merret nga cilido për ta parë nëse është i bazuar në ligj. Sulmet apriori kundër koncesioneve janë jashtëzakonisht të rrezikshme. Ato janë historia më e madhe e suksesit në këtë vend. Nga viti 2007 e më pas janë ndërtuar dhe janë në ndërtim e sipër qindra hidrocentrale”- tha ai.
Qeveria miratoi përcaktimin e autoritetit kontraktues për dhënien me koncesion të hidrocentralit “Driza 1”, të hidrocentralit “Gjadër”, të hidrocentralit “Zall Xhuxhe”, të hidrocentralit “Plepi”, të hidrocentralit “Kalivar”, të hidrocentralit “Kolosjan”, të hidrocentralit “Viliq”. “Siç e shihni, kjo është një ditë shumë e rëndësishme për energjetikën shqiptare. Ato janë në zona të thella, por janë në zona ku punësojnë, japin rroga, gjenerojnë mirëqenie edhe më pas do të gjenerojnë energji për shqiptarët. Edhe një herë e theksoj, këto sulme janë problematike”- përfundoi kryeministri Berisha. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›