E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Nishani në takimin e kryetarëve të procesit të Brdo-s

25-07-2013 / Gazeta 55

Ftesa e Presidentit Slloven, Pahor dhe Presidentit kroat, Josipovic

Me ftesë të Presidentit Slloven, Pahor dhe Presidentit kroat, Josipovic, Presidenti Bujar Nishani u nis dje për të marrë pjesë në Takimin e Kryetarëve të Procesit të Brdo-s. Në këtë takim marrin pjesë Kryetarët e Shteteve të Rajonit të Ballkanit Perëndimor si dhe për herë të parë, Presidenti i Francës, François Hollande. Procesi i Brdo-s është një inicitiavë e dy ish-kryeministrave të Kroacisë dhe Sllovenisë që daton në vitin 2010 dhe ka si qëllim forcimin e marrëdhënieve midis vendeve të rajonit, në kuadër të fqinjësisë së mirë, stabilitetit si dhe proceseve integruese në Bashkimin Evropian dhe strukturat euroatlantike. Risia e këtij takimi është përfshirja më direkte e institucioneve evropiane dhe vendeve anëtare të BE-së si dhe synimi për të lobuar në mbështetje të anëtarësimit të vendeve te Rajonit në Bashkimin Evropian bazuar në meritën e gjithsecilit. Gjithashtu në këtë takim do të marrë pjesë edhe ministrit i Jashtëm Bumçi, si pjesë e delegacionit shqiptar që kryesohet nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Nishani. Ky është takimi i parë i nismës së re të ndërmarrë nga Presidentët e Kroacisë dhe Sllovenisë ku përfshihen tetë vendet e rajonit të Evropës Juglindore: Kroacia, Sllovenia, Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnje e Hercegovina si dhe institucionet e BE-së. Grupi i tetë vendeve do të përfaqësojë një nismë të re rajonale që do të inkurajojë integrimin evropian. Në formatin e mësipërm do të zhvillohen takime mbi baza vjetore, ku përveç tetë vendeve, sipas momentit të ketë një institucion të BE-së (Këshilli Evropian, Komisioni Evropian, ose Parlamenti Evropian), ose vend i BE-së, që bashkohet me këtë nismë për të dhënë kontributin e vet.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›