Shqipëria vlerësohet për përmbushjen plotësisht të kërkesave të GRECO-s, për luftën antikorrupsion
Arritje, heqja e imunitetit të zyrtarëve të lartë
Kryeministri Berisha bëri të ditur dje gjatë mbledhjes së qeverisë se Shqipëria është nga më të paktat vende, sipas Këshillit të Evropës, që përmbushi plotësisht kërkesat e raundit të tretë të GRECO-s, Departamenti i Këshillit të Evropës për Luftën kundër Korrupsionit.
Referuar konkluzioneve të raportit, Kryeministri u shpreh se GRECO konkludon se Shqipëria ka trajtuar në mënyrë të kënaqshme të 12 rekomandimet që përmbahen në raundin e tretë të raportit të vlerësimit. “Kam kënaqësi të informoj shqiptarët se vendi ynë është nga më të paktat vende, sipas Këshillit të Evropës, që përmbushi plotësisht kërkesat e raundit të tretë të GRECO-s, Departamenti i Këshillit të Evropës për Luftën kundër Korrupsionit. Në Evropë GRECO është institucioni numër Një në aspektin legjislativ dhe të zbatimit të ligjeve. Në marrëdhëniet me Këshillin e Evropës ne kemi punuar ngushtë me këtë institucion, sepse pa diskutim ky institucion në Evropë është lider në rekomandimet e tij dhe në ekspertizën ligjore të tij për vendosjen e praktikave edhe standardeve më të mira. Këtu janë konkluzionet e një raporti të gjatë, por po lexoj përfundimin e tij, ku GRECO konkludon se Shqipëria ka trajtuar në mënyrë të kënaqshme të 12 rekomandimet që përmbahen në raundin e tretë të raportit të vlerësimit. Janë një seri ndryshimesh, të cilat u bënë në Kodin Penal, në financimin e partive, por mendoj se gjëja më kryesore ishte suksesi që ne arritëm me heqjen e imunitetit”- tha kryeministri.