E Diel, 1 Nëntor 2026

Ankesa e Plote e PS per kufirin

21/10/2009  Ankesa në Kushtetuese

Kërkohet kontrolli paraprak i kushtetutshmërisë së paktit detar

Partia Socialiste zyrtarizoi dje përmes ankimimit në Kushtetuese qëndrimin e saj kundër paktit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë. Ankesa e firmosur nga gjashtë parti politike u depozitua dje në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar prej këtij institucioni një kontroll paraprak të kushtetutshmërisë së marrëveshjes së nënshkruar mes dy vendeve. Përmes ankimimit parti të dy kaheve politike kërkojnë shqyrtimin e pajtueshmërisë me Kushtetutën e Shqipërisë të marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”. Ndërkohë në argumentet që sjellin në këtë ankesë për shkaqet që shtyjnë në verifikimin paraprak nga ana e Gjykatës Kushtetuese të kësaj marrëveshje veçohen mangësitë e dukshme në ushtrimin e kujdesit të duhur në mbrojtjen e interesave më të qenësishme të shtetit shqiptar, siç është kufiri i shtetit, nga ana e Këshillit të Ministrave, pushteti i vetëm që autorizon Kushtetuta të negociojë, hartojë apo adoptojë marrëveshja ndërkombëtare. Në gjykimin e përfaqësuesve ligjorë të Partisë Socialiste, e cila ishte iniciatorë e një sime të tillë, këto mangësi përveç elementeve të keqqeverisjes mund të prekin edhe dispozitat kushtetuese, siç është neni 3 i Kushtetutës, ku një nga detyrat themelore të shtetit është mbrojtja e tërësisë territoriale. Gjithashtu nga kontrolli paraprak i kushtetutshmërisë së kësaj marrëveshjeje ndër të tjera synohet qartësimi i pretendimeve të ngritura publikisht rreth kësaj marrëveshjeje, çka do të përbënte edhe një kontribut të rëndësishëm transparence në funksion të ruajtjes dhe konsolidimit të marrëdhënieve të shëndetshme ndërmjet dy popujve e dy shteteve kufitare të rajonit, duke qartësuar kështu çdo lloj dyshimi, që mund të përbëjë sot e në të ardhmen mundësi abuzimi në cenim të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë ndërmjet vendit tonë dhe fqinjëve tanë.

Deklarata

Tahiri: Presim fjalën e Kushtetueses

Deputeti iPartisë Socialiste Sajmir Tahiri dorëzoi dje në Gjykatën Kushtetuese kërkesën ankimore për marrëveshjen Shqipëri-Greqi për kufijtë detarë. “Unë sapo depozitova kërkesën e partive nënshkruese, me anë të së cilës ato formalizojnë vullnetin e tyre për ti kërkuar Gjykatës Kushtetuese shqyrtimin e pajtueshmërisë së kësaj marrëveshjeje me Kushtetutën. Është një marrëveshje së cilës i ka munguar transparenca në fazën në negocimit dhe në fazën e nënshkrimit”, - vuri në dukje Tahiri menjëherë pas dorëzimit në Kushtetuese të kësaj ankesë. Duke vijuar në po këtë linjë, deputeti socialist u ndal pikërisht në kontestimin e gjerë që has një marrëveshje e tillë mes dy vendeve. “Është një marrëveshje e kontestuar publikisht nga zërat më të rëndësishëm të opinionit publik të ekspertëve të pavarur, ndaj si e tillë është një marrëveshje që ngre të gjitha dyshimet e arsyeshme për të kërkuar nga Gjykata Kushtetuese shqyrtimin e pajtueshmërisë së saj, pra është kushtetuese kjo marrëveshje apo jo”, - vlerësoi Tahiri. Ndërkohë sipas tij, partitë nënshkruese të kësaj ankese presin që Gjykata Kushtetuese, si institucioni kryesor dhe i vetëm që mund të shprehet mbi kushtetutshmërinë e akteve ligjore dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, të marrë në shqyrtim kërkesën.

PBDNJ-ja refuzoi të ankimonte paktin

Dule: Përplasja me Greqinë mikropartiake

“Revokimi i së shkuarës në shërbim të interesave të së sotmes është një eksperiment i dështuar”

Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, u pozicionua dje kundër ankimimit të marrëveshjes Shqipëri-Greqi në Gjykatën Kushteteuse. Madje, Dule shkoi më tej duke e cilësuar si të dyshimtë qëllimin e kontestimit të këtij dokumenti nga opozita. “Është e drejta e gjithsecilit në demokraci, aq më tepër e formacioneve politike, që të vihen në dijeni për zhvillimet, të bëhet transparenca. Po kur kjo transparencë karakterizohet nga koniunkturat, kur karakterizohet nga tendencioziteti dhe kërkohet në një kohë të dytë, atëherë vetë në parim prishet thelbi i transparencës. PBDNJ-ja është e mendimit se Shqipëria është në të tjera kohë dhe se thirrja, revokimi i zërave të së shkuarës për tu shërbyer interesave të së sotmes dhe të së ardhmes është një eksperiment i dështuar”, - vlerësoi Dule menjëherë pas dorëzimit të ankesës kundër këtij pakti në Gjykatën Kushtetuese, nënshkruar nga gjashtë parti politike, ku iniciatore ishte Partia Socialiste. Ndërkohë, duke i mëshuar më tej kësaj çështjeje, kreu i PBDNJ-së nënvizoi se “me çdo kusht duhet që marrëdhëniet e jashtme, marrëdhëniet me partnerët tanë ti lëmë përtej përplasjes politike, aq më tepër mikropartiake të ditës, që mbizotërojnë me tepricë në realitetet tona politike”. Megjithatë, edhe pse kritik ndaj një nisme të tillë, sërish Dule nuk jep qartë qëndrimin e tij ndaj PS-së. Madje, ai shprehet në mënyrë krejt të kujdesur lidhur me marrëdhëniet mes partisë së tij dhe PS-së pas ankimimit në Gjykatë Kushtetuese të marrëveshjes për kufijtë detarë me Greqinë. “PBDNJ-ja nuk është e martuar me aleanca. PBDNJ-ja bëhet, lidhet dhe investohet në aleanca me objektiva të caktuar. Rrjedhimisht, PBDNJ-ja ka mendimin e veta, vlerësimin e vet dhe kriterin e vet të të bërit politikë”, - vuri në dukje Dule sa i takon një çështje të tillë. Kështu, pas aleancave të reja të krijuara mes PS-së dhe partive politike të ardhura nga e djathta, lidershipi socialist nuk arrit të garantojë firmën mbi një kërkesë të tillë të LZHK-së dhe të PBDNJ-së, ndryshe sa ndodhi me mbështetjen që këto dy parti i dhanë për bojkotin ndaj Kuvendit, ashtu dhe për protestat për hapjen e kutive.

Parti të majta e të djathta kërkojnë ndërhyrjen e kushtetueses për marrëveshjen

Në diskutim bazat e shtetit shqiptar

Pakti detar me Greqinë, ankesa parashtron arsyet e kontrollit paraprak të kushtetueshmërisë

Këshilli i Ministrave ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”, miratuar me vendimin nr. 653, datë 11.06.2009. Marrëveshja është duke u diskutuar në Kuvend dhe pritet që në një të ardhme shumë të afërt të kalojë në seancë plenare për ratifikim. Natyra, ajo çfarë rregullon kjo marrëveshje si dhe mënyra e hartimit dhe nxitimi i paprecedent i ekzekutivit për ta sjellë atë në Kuvend kanë ngritur shqetësime dhe debate të qenësishme në medie dhe opinionin publik shqiptar. Janë hedhur hije të forta dyshimi përmes argumentimeve me karakter shkencor se ratifikimi i kësaj marrëveshjeje ndërkombëtare nga Kuvendi i Shqipërisë do të ketë pasoja negative të pakthyeshme lidhur me hapësirën detare dhe interesa të tjera afatgjata politike dhe ekonomike të Republikës së Shqipërisë. Kompetenca e Gjykatës Kushtetuese për të vendosur mbi pajtueshmërinë e marrëveshjeve ndërkombëtare me Kushtetutën (para ratifikimit të tyre) parashikohet në nenin 131, germa “b” e Kushtetutës. Ky është një kontroll paraprak që ushtron Gjykata Kushtetuese mbi marrëveshjet ndërkombëtare për të parandaluar që burime të tilla të së drejtës, që janë gjithashtu edhe burime detyrimesh për shtetin shqiptar, të bëhen pjesë e legjislacionit të saj të brendshëm duke qenë në kundërshtim me aktin normativ më të lartë të vendit, me Kushtetutën. Partitë politike nënshkruese të kësaj kërkese i drejtohen Gjykatës Kushtetuese që kjo e fundit të ushtrojë kompetencën e saj për të vendosur mbi shqyrtimin e pajtueshmërisë me Kushtetutën e Shqipërisë të marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”. Sjellim në vëmendje se kjo kompetencë e parashikuar nga neni 131, germa “b” e Kushtetutës dallon specifikisht dhe cilësisht nga kompetenca e parashikuar nga germa “a” e të njëjtit nen në lidhje me të cilin janë bërë edhe detajimet e cituara më lart nga jurisprudenca kushtetuese. Në dallim të qartë nga sfidimi i produktit të vendimmarrjes së mazhorancës së përfaqësuesve të popullit në Kuvend, pra kërkimit të shpalljes së një ligji si antikushtetues, germa “b” e nenit 131 të Kushtetutës e drejton vëmendjen e kontrollit kushtetues te një akt që i vjen trupit të legjislacionit vendas nga jashtë. De facto dhe de jure???????(të lihen vetëm italik) një marrëveshje ndërkombëtare nuk është produkt i vullnetit të brendshëm spontan të deputetëve, vullnet i shpallur dhe i bërë publik gjatë fushatës elektorale e për zbatimin e të cilit ata janë mandatuar nga populli sovran. Duke pasur parasysh këtë specifikë të nenit 131, germa “b” dhe të rolit dhe funksionit të partisë politike, kemi bindjen se si përçues të vullnetit të mbi 60% të qytetarëve shqiptarë, që në testimin e fundit zgjedhor e hodhën votën e tyre për siglat tona, partitë politike nënshkruese të kësaj kërkese legjitimohen ti drejtohen me këtë kërkesë Gjykatës Kushtetuese. Legjitimimi ynë respekton edhe praktikën e Gjykatës Kushtetuese - vendimet 24/1996/, 13/1997, 25/2003/, 1/2005, 20/2006 etj., ku Gjykata ka legjitimuar persona juridikë privatë, sikundër është edhe partia politike, ti drejtohen asaj në lidhje me interesa të tyre të shpalosura në statutin/programin e themelimit të personave juridikë në fjalë. Është i dukshëm dallimi ndërmjet sfidimit të një norme të brendshme, vullnet i deputetëve të Kuvendit, për të cilën Gjykatës Kushtetuese i kërkohet “shpallja si në kundërshtim me Kushtetutën” me kërkesën “për kontroll paraprak të kushtetutshmërisë së një marrëveshjeje ndërkombëtare”. Në rastin e parë Gjykata bëhet kompetente vetëm pasi ligji është bërë i tillë në respekt të procedurave të parashikuara nga Kushtetuta, ai ka sjell pasoja reale dhe sipas rastit ka shkaktuar edhe dëme. Në dallim nga ligji, marrëveshja ndërkombëtare (e paratifikuar ende) ka specifikat e saj, të cilat automatikisht duhen marrë në konsideratë edhe kur shqyrtohet interesi i kërkuesit (legjitimiteti) për të nxitur Gjykatën Kushtetuese në respekt të parashikimit të nenit 131, germa “b” të Kushtetutës. Sepse këtu nuk bëhet fjalë posaçërisht për kilometra detarë të humbur, këtu janë në diskutim bazat e shtetit dhe askush nuk mund të thotë se partitë politike që kanë praktikisht 60% të elektoratit shqiptar në mbështetje të tyre nuk cenohen nga ndryshimi i këtyre bazave. Të gjitha partitë politike që kanë marrë pozicionin e kërkuesit në këtë çështje janë ndër forcat kryesore politike të vendit, të cilat realizojnë detyra mjaft thelbësore në sistemin politik. Për rrjedhojë, interesi i tyre për të iniciuar kontrollin e kushtetutshmërisë të një marrëveshje ndërkombëtare që në rastin në shqyrtim vë në dyshim një prej elementeve themeltare të bazës të shtetit: tërësinë territoriale të tij, është i ligjshëm, i sigurt, i drejtpërdrejtë, vetjak dhe aktual.

Përtej çdo dyshimi, dhurimi, shitja apo ndryshimi i territoreve shtetërore, cenimi i drejtësisë shoqërore, i rendit kushtetues, pluralizmit apo bashkëjetesës dhe mirëkuptimit ndërmjet shtetasve me përkatësi të ndryshme fetare apo etnike ndikon automatikisht në ideologjinë, qëllimin, forcën dhe formën e organizimit dhe të aksionit të një partie politike. Duke e konsideruar respektimin e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe legjislacionit në fuqi si kufijtë maksimalë të veprimtarisë dhe iniciativës shtetërore; zbatimin e konventave ndërkombëtare të nënshkruara nga Republika e Shqipërisë si një detyrim që buron nga Kushtetuta dhe angazhimet e saj në të drejtën ndërkombëtare; rëndësinë e marrëdhënieve diplomatike dhe të fqinjësisë së mirë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë; respektimin dhe mbrojtjen e tërësisë dhe sovranitetit territorial, si bazat e detyrimit më të lartë shtetëror,

Duke e vlerësuar Gjykatën Kushtetuese si institucionin që garanton respektimin e Kushtetutës dhe bën interpretimin përfundimtar të saj, si dhe vendos për pajtueshmërinë e marrëveshjeve ndërkombëtare me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë para ratifikimit të tyre,

Duke u bazuar te neni 131, germa “b” dhe neni 134, pika 1, germa “c” të Kushtetutës; neni 52 i ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”,

K Ë R K O J M Ë:

Shqyrtimin e pajtueshmërisë me Kushtetutën e Shqipërisë të marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”.

Mangësitë

1. Mungesa e plotë e transparencës që ka shoqëruar përgatitjen, negocimin dhe firmosjen e kësaj marrëveshjeje nga Këshilli i Ministrave.

2. Moskonsiderimi i fakteve historike lidhur me kufirin shqiptaro-grek. Ky kufi është vendosur dhe është njohur si i tillë nga fuqitë e mëdha me vendimin e Konferencës së Ambasadoreve të Londrës të 10 gushtit 1913, me Protokollin e Firences të dhjetorit 1913, është rikonfirmuar me protokollet e Firences të viteve 1925 dhe 1926, nuk është vënë në diskutim në asnjë nga takimet dhe aktet bilaterale të nënshkruara me Greqinë si për kufijtë pas viteve 1985 etj. (përkatësisht për rindërtimin, riparimin dhe mirëmbajtjen e piramidave dhe shenjave të tjera kufitare, si dhe për evitimin dhe shqyrtimin e incidenteve kufitare, për të cilat ekzistojnë një numër i shumtë marrëveshjesh e protokollesh bilaterale të miratuara në vite, të cilat disponohen nga shteti shqiptar).

3. Mungesa e hartës shoqëruese, që përcakton qartë dhe dukshëm vijat e përcaktimit të kufirit dhe të ndarjes së hapësirës detare (delimitimit) ndërmjet palëve nënshkruese.

Pretendimet

Vihet re mungesa e ushtrimit të kujdesit të domosdoshëm nga ana e autoriteteve shqiptare në përcaktimin e koordinatave të delimitimit të hapësirës detare, duke mos shfrytëzuar si duhet parashikimet në konventën e Kombeve të Bashkuara “Mbi të drejtën e detit” (UNCLOS). Neglizhenca e qeverisë ndaj reagimit të opinionit publik, ekspertëve të fushave të ndryshme, të cilët pretendojnë për mungesë konsultimi publik, si dhe refuzimin për të shfrytëzuar ekspertizën më të mirë të vendit në përcaktimin e kushteve të kësaj marrëveshjeje me interesa madhorë, si dhe ngutja për negocim të kësaj marrëveshjeje, kur çështje të tilla marrin shumë kohë negocimesh mes palëve. Marrëveshja e nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë vjen në kundërshtim dhe në shkelje të hapur me kufirin detar ekzistues ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, siç është përcaktuar nga të gjitha hartat e kohës që nga viti 1925 deri në ditët e sotme.

Shkeljet

Duke u nisur nga përcaktimi i njohur ndërkombëtar, sipas të cilit “vija ndarëse ujore detare në kanalin e Korfuzit kalon mes për mes tij...”, shkëmbi “Barketa” ndodhet 60 metra në lindje të vijës së mesme. Sipas këtij përcaktimi, ky shkëmb i takon Republikës së Shqipërisë. Në marrëveshjen e nënshkruar nga Republika e Shqipërisë dhe Republika e Greqisë, shkëmbi “Barketa” është konsideruar si pikë skajore e arkipelagut të Korfuzit, prej të cilit është matur vija e re e mesme. Kjo ka cenuar tërësinë territoriale të Republikës së Shqipërisë me një dëm prej 1.5 km. Në marrëveshje nuk janë marrë parasysh kushtet që parashikohen në UNCLOS për shtetet që ndodhen kundruall. Në këtë rast ngushtica e Otrantos u përket vetëm dy shteteve: Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë, fakt ky që nuk është mbajtur parasysh nga marrëveshja ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë. Konventa e së drejtës së detit nuk ka gjetur zbatimin e duhur, madje në dëm të Republikës së Shqipërisë.

Socialistët argumentojnë ankimin

Statuti dhe programi garantojnë të drejtën

“PS vepron në respekt të Kushtetutës, të ligjeve të shtetit të së drejtës”

Socialistët në ankesën e tyre kanë argumentuar juridikisht të drejtën për ankimim në Kushtetuese mbi një çështje të tillë. Në ankesë thuhet se duke iu referuar dokumenteve bazë mbi të cilat funksionon vetëm njëra prej partive politike nënshkruese të kësaj kërkese, sipas statutit të Partisë Socialiste (PSSH): “PSSH-ja vepron në respekt të Kushtetutës, të ligjeve të shtetit të së drejtës dhe të formës parlamentare të qeverisjes për mbrojtjen e sovranitetit kombëtar, rendit dhe drejtësisë. PSSH-ja ndjek objektiva politikë në përputhje me programin dhe statutin e saj përmes të cilave synon mbrojtjen dhe promovimin e vlerave e të interesave kombëtarë.” Ndërsa sipas programit të PSSH-së: “Politika e jashtme e PSSH-së ka në qendër mbrojtjen e interesave kombëtarë, të pavarësisë, lirisë e të sovranitetit të vendit, të paqes e të lirisë për të gjithë popujt (pika 5)... Çështja shqiptare, interesat kombëtarë të shqiptarëve, kudo që jetojnë, përbëjnë një përparësi kryesore për Partinë Socialiste (pika 5.1). Qëllimi kryesor i socialistëve në këtë fushë është sigurimi dhe mbrojtja e vendit, e interesave kombëtarë, e shoqërisë dhe e parimeve të jetës sonë (pika 5.3)” . Si struktura “sine qua non” të shtetit demokratik modern, partitë politike e kanë pavarësinë dhe tërësinë territoriale të shtetit një interes jetik jo vetëm si të tilla në vetvete, por para së gjithash si elemente që përbëjnë “bazën e këtij shteti”, sikundër i përkufizon Kushtetuta (neni 3). Baza e shtetit është nga ato interesa ndryshimi i të cilave ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në funksionimin e një partie politike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›