Ankesa e ushtarakëve, sot mblidhet kushtetuesja për ta shqyrtuar
Jonida Tashi
Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë sot Ligjin e shumëpërfolur Nr.10142, datë 15.05.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi dhe të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”. Kërkesa jo vetëm për shqyrtimin e këtij ligji, por edhe bllokimin e tij nga Kushtetuesja është bërë nga disa subjekte të interesuara për shfuqizimin e tij që janë: Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve; Avokati i Popullit; Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit; Shoqata dhe Organizata e Punonjësve të Policisë së Shtetit në Lirim; Shoqata “Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë”. Megjithëse subjektet e mësipërme i janë drejtuar në mënyrë individuale Gjykatës Kushtetuese, në thelb kërkesa e tyre ka qenë e njëjtë: Pezullimi i zbatimit të ligjit deri në hyrjen në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Kërkesa
Konkretisht, ish-ushtarakët dhe kategoritë e tjera të përfshira në Ligjin Nr.10142, kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese që ta shpall atë si të papajtueshëm me Kushtetutën dhe për rrjedhojë të bëjë edhe shfuqizimin e tij. Por pavarësisht kërkesës së palëve të interesuara, do të jetë Kushtetuesja ajo që do të vendos nëse ky ligj duhet të pezullohet, të shpallet i papajtueshëm me Kushtetutën apo të shfuqizohet. Sakaq, për t’i paraprirë çështjes së ditës së sotme, për shqyrtimin e këtij ligji, Kushtetuesja ka përcaktuar edhe subjektet e interesuara përfaqësuesit e të cilëve duhet të jenë të pranishëm në këtë seancë. Sipas Gjykatës Kushtetuese, përveç palëve kërkuese për shfuqizimin e Ligjit Nr.10142, duhet të marrin pjesë në këtë seancë edhe përfaqësues të këtyre institucioneve shtetërore si: Kuvendi i Republikës së Shqipërisë; Këshilli i Ministrave; Ministria e Financave; Ministria e Mbrojtjes; Instituti i Sigurimeve Shoqërore; Shoqata “Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë”.
Seanca
Seanca për shqyrtimin e ligjit do të nisë në orën 10.00 të paradites së sotme dhe pritet të zgjas për disa orë. Sakaq, Kryesia e Shoqatës së Ushtarakëve e parapërgatitur për “ditën e gjykimit” të ligjit, ka zgjedhur të përfaqësohet në këtë seancë me ish-ministrin e Punës, Anastas Duro.
Në listën e argumenteve më të fortë kundërshtues për këtë ligj, që drejtuesit e Shoqatës së Ushtarakëve i kanë paraqitur Gjykatës Kushtetuese janë përfshirë disa pika kryesore që kanë të bëjnë me përplasjet që sjell ligji i miratuar me disa dokumente të tjerë po ligjor. Sipas drejtuesve të Shoqatës së Ushtarakëve, së pari, ligji bie në kundërshtim me të drejtat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, me Kushtetutën e vendit tonë, me Statusin e Ushtarakut, si dhe me vendimin e mëparshëm të marrë po nga Gjykata Kushtetuese për ushtarakët në vitin 2007. Më 26 shkurt të vitit 2007, Gjykata Kushtetuese vendosi ta shfuqizojë si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë ligjin e atëhershëm të trajtimit financiar të ish-ushtarakëve.
Odiseja
Ligji i ri për pensionet e ish-ushtarakëve u depozitua për ankimim në Gjykatën Kushtetuese në mesin e muajit qershor të këtij viti. Duke qenë se ligji i miratuar nga qeveria nuk plotësonte as kërkesat më thelbësore të kësaj kategorie, ish-ushtarakët vendosën të mos i tërhiqnin pensionet e reja deri në nxjerrjen e një vendimi tjetër nga organet gjyqësore. Sipas ish-ushtarakëve, ligji i ri për trajtimin e tyre financiar që miratoi qeveria në mbyllje të mandatit të saj, përmban shumë probleme dhe diskriminime. Kjo bëri që në radhët e tyre të shtoheshin së tepërmi pakënaqësitë për këtë ligj, derisa ata morën vendimin për të nisur një tjetër betejë ligjore me qeverinë, që kishte të bënte me kontestimin e projektligjit të ri për pensionet. Ndonëse ish-ushtarakët iu drejtuan që para zgjedhjeve të 28 qershorit Gjykatës Kushtetuese për bllokimin e ligjit, vendimi për pranimin e kërkesës së tyre është bërë në ditët e fundit të muajit shtator. Vendimi i Kushtetueses është komentuar nga kreu i Shoqatës së Ushtarakëve si shenjë pozitive për zgjidhjen e problemit të tyre.
Vendimi i Kushtetueses më 2007: Ligji shfuqizohet si i papajtueshëm me Kushtetutën
Dy vite më parë, më 26 shkurt të vitit 2007, Gjykata Kushtetuese vendosi të shfuqizojë si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të neneve 1, 7 (shkronjat “a”, “b”) e 9 të Ligjit Nr.9481, datë 16.2.2006 “Për disa ndryshime në Ligjin Nr.9418, datë 20.5.2005 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”. Vendimi i vitit 2007 i marrë nga Gjykata Kushtetuese për pensionet i ndan në dy kategori ushtarakët e shërbimit aktiv të përhershëm për efekt të përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi: në ushtarakë që kanë dalë në pension deri më 29.4.2004 (data e hyrjes në fuqi e Ligjit Nr.2910, datë 23.3.2004, “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”) dhe në ushtarakë që kanë dalë në pension pas datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji. Për të dyja këto kategori, ligji i ndryshuar, ashtu edhe ai i mëparshëm, u njeh të gjithë ushtarakëve të drejtën e përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi në masën 50 për qind të pagës referuese, duke shtuar 2 për qind të kësaj page për çdo vit vjetërsie në shërbim mbi vjetërsinë prej 15 vjet për meshkujt e 12 vjet për femrat. Por, përsa i përket maksimumit të kësaj pagese, ligji i ri bën ndryshime esenciale në raport me Ligjin Nr.9418, datë 20.5.2005. Ndërsa me ligjin e mëparshëm pagesa e pensionit shkonte deri në katërfishin e pensionit bazë në shkallë vendi, me ligjin e ri ulet pagesa e pensionit të parakohshëm për ushtarakët e dalë në pension deri në datën e hyrjes në fuqi të ligjit për statusin. Për këta ushtarakë, kjo pagesë shkon deri në masën e pensionit maksimal në shkallë vendi, e barabartë me dyfishin e pensionit bazë. Përsa u përket ushtarakëve të dalë në pension të parakohshëm pas hyrjes në fuqi të ligjit për statusin, maksimumi i pagesës jepet i diferencuar sipas gradës dhe shumë më i favorshëm nga ajo që u jepet ushtarakëve që kanë dalë në pension para ligjit për statusin. Sipas ligjit, periudha 1.10.1993-31.12.1998 u njihet ushtarakëve si periudhë sigurimi për efekt të pensionit të pleqërisë kur ata plotësojnë kushtet për këtë pension, duke i ndarë në dy kategori: në ushtarakë që kanë përfituar pension të parakohshëm ngaqë e kishin vjetërsinë si ushtarakë, të cilëve do t’u derdhet kontribut për aq vite sa u nevojiten për efekt të përfitimit të pensionit të plotë të pleqërisë dhe në ushtarakë që nuk kanë përfituar pension të parakohshëm ngaqë nuk e kishin vjetërsinë si ushtarakë, të cilëve kontributi në sigurimet shoqërore nuk u derdhet për gjithë periudhën 1993-1998, por vetëm për dy vjet për burrat dhe tre vjet për gratë.
3 Nentor 2009