E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN: Qeveria shqiptare nuk i qarkullon paratë brenda vendit



Ervin KOÇI

“Qeveria shqiptare nuk ka asnjë skemë të mirëpërcaktuar për të ruajtur dhe mbajtur brenda vendit paratë që vijnë nga donatorët e huaj dhe që investohen në prona publike”. Ky është një konkluzion i nxjerrë nga një studim i ri i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili tregon se si fondet më të mëdha që investohen në vepra publike dalin shumë shpejt jashtë vendit. Shkak për këtë janë kompanitë e huaja të cilat qeveria u beson tenderët më kryesor të investimeve publike, duke bërë që paratë të mos merren nga kompani vendase por nga të huajat duke dalë jashtë vendit. Por kjo gjë rrezikon edhe thellimin e deficitit buxhetor në vend dhe kthimin e tij në një deficit korrent. Studimi i Fondit del në konkluzionin se në vendet e vogla dhe të hapura, deficiti buxhetor i qeverisë konvertohet 100 për qind në deficit të llogarisë korrente brenda një periudhe të shkurtër kohore. Studimi që u publikua javën e shkuar vëren gjithashtu se deficiti i lartë buxhetor sjell edhe rritje të interesave realë të paguara për kreditë, depozitat dhe borxhet publike, gjë që dëmton zhvillimin ekonomik nga shumë drejtime.

Studimi

"Duke marrë për analizë një vend të vogël, vërejmë se shpenzimet e larta nga buxheti i shtetit pasohen nga rritja e importeve, rritja e deficitit korrent dhe në terma afatgjatë në rënie ekonomike",- thonë studiuesit Michael Kumhof dhe Douglas Laxton të FMN-së. "Ne analizuam pasojat që prodhon një stimul fiskal i barabartë me 1 për qind të PBB-së",- thuhet në studim. "Pasojat janë se fillimisht rriten interesat reale (të borxhit të brendshëm) dhe pastaj, për shkak se ky vend importon një pjesë të konsiderueshme të konsumit të vet, fuqia blerëse ikën nga mallrat vendase dhe sjell një rënie ekonomike prej 0.3-0.4 për qind të PBB-së”, thuhet në studimin e FMN-së. Por rezultati më tronditës shfaqet tek ecuria e bilancit të llogarisë korrente. Një stimul prej 1 për qind të PBB-së sjell rritje të deficitit të llogarisë korrente pothuajse në të njëjtën masë.

Shqipëria

Qeveria shqiptare ka rritur deficitin buxhetor në 6.2 për qind të PBB-së për vitin 2008, nga 3.5 për qind në vitin 2007. Deficiti i llogarisë korrente të Shqipërisë u rrit nga -10.6 për qind në 2007 në -15.2 për qind në 2008-n. Deficiti i llogarisë korrente përfaqëson diferencën mes valutës së dalë dhe asaj që ka hyrë në ekonominë shqiptare. Rritja e deficitit përtej një pike të caktuar shoqërohet detyrimisht me zhvlerësim të monedhës kombëtare. Deficiti u rrit pjesërisht për të financuar rrugën Durrës-Kukës dhe pjesërisht për të rritur pagat dhe pensionet. Deficiti i lartë i buxhetit është mbuluar pjesërisht nga borxhet dhe pjesërisht nga të ardhurat nga privatizimi. Shumë studime kanë nxjerrë në dukje faktin se një pjesë e madhe e deficitit buxhetor në një mënyrë apo një tjetër largohet nga vendi, duke sjellë edhe presion mbi monedhën kombëtare. Në prill, Banka e Shqipërisë publikoi një studim, ku doli në konkluzionin se në rastin e Shqipërisë kishte një lidhje mes deficitit buxhetor dhe deficitit të llogarisë korrente, pa hyrë në detaje se sa kanë ndikuar shpenzimet e tepërta të qeverisë. Por FMN-ja në studimin e vet vëren një korrelacion deri në 100 për qind, gjë që do të thotë se çdo lek shtesë i hedhur nga qeveria, është konvertuar automatikisht në valutë dhe është larguar nga vendi. Qeveria nuk ka pranuar asnjë përgjegjësi në këtë çështje dhe ka akuzuar se zhvlerësimi i lekut është shkaktuar nga "forcimi i euros" apo nga një "komplot i opozitës".

Raporti i BERZH: “Rritja ekonomike e Shqipërisë 3%”

BERZH publikoi dje raportin vjetor të tranzicionit, ku Shqipëria parashikohet të ketë një rritje vjetore ekonomike prej 3 për qind në këtë vit krize. Vendi ynë listohet me rritjen ekonomike më të madhe në rajon, në këto momente të vështira që po kalon ekonomia globale. Por problem mbetet për ekonominë shqiptare rritja e bilancit tregtar dhe deficitit buxhetor, që ka arritur në shifra të larta këto dy vitet e fundit. Gjatë gjithë vitit 2009 pagesa e borxhit është rritur në nivelin 10 për qind. Sipas specialistëve të Ministrisë së Financave, rritja e pagesave të këtij borxhi ka qenë në nivelin e rritjes së euros, në dizavantazh me lekun. Aktualisht janë evidentuar dy efekte që janë shkaktuar menjëherë nga luhatjet e kursit të këmbimit, te shërbimet e borxhit, pra rriten pagesat dhe te rritja e stokut total të borxhit. Sipas ministrisë, borxhet më të mëdha qeveria shqiptare i ka ndaj bankave, si Banka Botërore, BERZH-it, BEI-t etj., kurse sa u takon shteteve, kryesisht Gjermania dhe Italia, vazhdojnë të jenë investitorët më të mëdhenj. Niveli i borxhit pësoi rritje të konsiderueshme në maj të këtij viti kur qeveria pranoi të merrte rreth 250 milionë euro kredi nga dy banka tregtare për financimin e rrugës Rrëshen-Kalimash. Sipas ekspertëve të Financave, ky borxh konsiderohet më i madhi i marrë ndonjëherë. I gjithë borxhi publik i Shqipërisë parashikohet të rritet me rreth 50 miliardë lekë, duke prekur totalin, afërsisht 720 miliardë lekë. Në totalin e borxhit përfshihen kreditë, donacionet, të marra brenda dhe jashtë vendit. Sa u takon bankave vendase, qeveria u ka borxh rreth 448 miliardë e 340 milionë lekë, kurse të huajve u detyrohet afërsisht 271 miliardë lekë. Në krahasim me vitin 2009, borxhi total për vitin tjetër parashikohet rreth 50 miliardë lekë. Pavarësisht rritjes së borxhit, në raport me GDP-në, parashikohet rënie e deficitit buxhetor, nga 6.4 për qind që është aktualisht, në 3.8 për qind. Të dhënat zyrtare tregojnë se, stoku i borxhit publik në muajin qershor arriti 54.05 për qind të PBB-së, ndërsa deri në vitin 2009 parashikohet të arrijë mbi 57 për qind. Sa i takon vitit 2010, qeveria parashikon një reduktim të borxhit me rreth 2 pikë përqindje. E njëjta gjë vihet re edhe për investimet e huaja, të cilat gjatë vitit 2009 kanë rënë në masën 30 për qind.

3 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›