E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partia e Petro Koçit, më shumë energji e harxhuar për paditë, sesa për politikën

Kalvari i gjyqeve të partisë më të re me më shumë padi në gjykatë. Më e fundit: nuk bihet dakord me kryetarin e ri, kërkohet të shfuqizohet vendimi

Laureta Rryçi

Në fillim u quajt Partia Socialiste ‘91, më pas, një vendim gjykate i detyroi ta pagëzonin me një tjetër emër: Partia Socialiste e Vërtetë ‘91. Megjithatë, më tepër njihet si partia e Petro Koçit. Ky i fundit, një nga eksponentët e Partisë Socialiste, i cili vendosi të jetë më vete pjesë e garës gjatë zgjedhjeve që lamë pas. Edhe pse renditet si një ndër partitë më të reja, pas më pak se një vit ekzistence, duket se drejtuesit e saj kanë harxhuar më tepër energji për paditë në Gjykatë, sesa në foltoren e politikës. Një fakt më tepër për këtë është edhe dështimi në zgjedhje, ku nuk arrit të merrej asnjë mandat. Gati një padi për çdo muaj është depozituar në Gjykatën e Tiranës në emër të kësaj partie. Herë çështje emri, herë çështje kryetari, duket se zgjidhjet i kanë të vështira për t’i gjetur jashtë dyerve të Gjykatës. Gazeta “Albania” ka siguruar të gjitha paditë që janë depozituar në emër të kësaj partie dhe i risjell ato në numrin e sotëm. Padia e parë është depozituar në muajin e fundit të vitit 2008, ku dhe kërkohej të Gjykata të ligjëronte “krijesën” e Petro Koçit dhe shumë anëtarëve të tjerë të kësaj partie. Ndërsa padia më e fundit është depozituar vetëm pak ditë më parë dhe kësaj radhe Gjykatës i kërkohet që të mos njohë si kryetar të ri të kësaj partie Gjergj Kojën.
Fillesa
Në vendimin e firmosur nga gjyqtari Artur Gaxhi, që datonte më 30 dhjetor të vitit 2008, theksohet se ka një përputhje emri ndërmjet subjektit të përfaqësuar nga Petro Koçi dhe Partisë Socialiste të Shqipërisë. “Nga dosja e regjistrimit të Partisë Socialiste të Shqipërisë rezulton se ajo është krijuar në vitin 1991, dhe pikërisht vënia e shifrave ‘91 pas emrit të kërkuesit jo vetëm që nuk e bën të dallueshëm qartë emërtimin e kësaj partie nga emërtimi i Partisë Socialiste të Shqipërisë, por e bën atë të njëjtë me të dhe konfuzion më tepër njerëzit e votuesit, duke krijuar përshtypjen që kemi të bëjmë me të njëjtën parti politike”, - thuhet në vendimin e Gjykatës. Vendimi i parë i dhënë nga Gjykata e Tiranës për partinë e re të Petro Koçit ishte rrëzimi i kërkesës duke i dhënë një mundësi tjetër për të bërë ndryshime në pikat kryesore kur krijohet një parti. Pas dy muajsh Koçi i rikthehet sërish rrugës ligjore për të regjistruar “krijesën” e tij me të cilën kërkonte të përfaqësohej si subjekt më vete politik në këto zgjedhje. Pas një procesi relativisht të gjatë në Gjykatë, Petro Koçi arriti ta regjistronte partinë e tij në shkurt të këtij viti. Mirëpo ndërsa nisi takimet e para elektorale, telashet për të rinisën sërish në Gjykatë. Kësaj radhe, atij i është dashur të përballet me kërkesat e partisë së tij të vjetër, nga e cila u shkëput rreth një vit më parë.
E fundit
Telashet me paditë vijuan edhe pas zgjedhjeve. Partia nuk arriti të fitonte asnjë mandat dhe për këtë Petro Koçi dha dorëheqjen, duke qenë i parë kryetar partie që largohej nga posti për shkak të humbjes. Petro Koçi u zëvendësua me Gjergj Kojën. Të paktën kështu thuhet në vendimin e Komitetit Drejtues të partisë. Për këtë arsye Gjergj Koja vazhdon traditën e padive duke i kërkuar Gjykatës: Depozitimin në Regjistrin e Partive Politike të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë të procesverbalit dhe vendimit të Komitetit Drejtues të Partisë Socialiste të Vërtetë – 91, dt. 25.08.2009, ku si kryetar i saj është zgjedhur kërkuesi Gjergji Koja. Pas shqyrtimit të kësaj kërkese Gjykata konstaton se dokumentet dhe kërkesa e paraqitur nga Koja qëndron, kështu që e njeh ligjërisht si kryetarin e ri. Teksa u mendua se paqja ra, ndoshta si për një zakon të vjetër, pak ditë më parë, një tjetër padi është depozituar për të disatën herë në Gjykatën e Tiranës. Kësaj here kërkohet që të shfuqizohet ky vendim gjykate në mënyrë që të mos njihet si kryetar Gjergj Koja. Padia i është nënshtruar procedurës së shortit elektronik dhe është në fazën e parë të shqyrtimit. Gjyqtarja Manjola Bejleri do të japë verdiktin e saj për këtë kërkesë. Ndërsa ne nuk mund të themi nëse kjo do të jetë padia e fundit apo historia e padive vazhdon për Partinë Socialiste të Vërtetë ‘91”.

Kalvari i gjyqeve....

30 dhjetor 2008
Gjykata e Rrethit të Tiranës rrëzon kërkesën e Petro Koçit, si përfaqësues i Partisë Socialiste ’91, për regjistrimin e këtij subjekti në Regjistrin e Partive Politike. Arsyeja e këtij vendimi qëndron në ngjashmërinë e emrit që ka ky subjekt politik me Partinë Socialiste. Vendimi Nr. 11340 i gjyqtarit Artur Gaxhi është marrë më 30 dhjetor të vitit të kaluar. Në këtë mënyrë, subjekti i ri politik i së majtës ka mbetur i paligjëruar dhe rrezikon të mos përfshihet në zgjedhjet e ardhshme nëse strukturat e partisë nuk vendosin për ndryshimin e emrit dhe rikompozimin e statutit dhe aktit të themelimit të saj.
Gjykata, bazuar në Nenin 12 dhe 15 të Ligjit Nr.8580, dt.17.02.2000, “Për Partitë Politike” dhe Nenin 306 e vijues të K.Pr.Civile. VENDOSI: -Refuzimin e kërkesës.
- Mosregjistrimin në Regjistrin e Partive Politike të Partisë “Partia Socialiste ’91”.

7 prill 2009
Petro Koçi është paditur sërish në Gjykatën e Tiranës. Emri i partisë së re që ai ka krijuar vetëm pak muaj më parë është ende i papërshtatshëm për partinë e vjetër të tij. Partia Socialiste i është drejtuar Gjykatës së Tiranës për ta detyruar Petro Koçin të ndryshojë emrin e partisë së re. Burime pranë kësaj gjykate shpjeguan se objekti i padisë ishte: Detyrimi i Partisë Socialiste të Vërtetë ‘91 të ndryshojë emrin dhe stemën e saj. Sigurimin e padisë; pezullimi i regjistrimit të Vendimit Nr. 1448, datë 26.02.2009, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për regjistrimin si person juridik të Partisë Socialiste të Vërtetë ‘91 në Regjistrin e Partive Politike pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë; ndalimi i përdorimit të emrit Partia Socialiste e Vërtetë ‘91 të inicialeve PSV ‘91 si dhe të stemës deri në zgjidhjen përfundimtare të konfliktit gjyqësor.

9 prill 2009
Gjykata e Tiranës ka rrëzuar pjesërisht kërkesën e Partisë Socialiste për partinë e Petro Koçit. Burime pranë kësaj gjykate shpjeguan për gazetën “Albania” se gjyqtarja Enkela Bajo nuk e ka pranuar kërkesën për pezullimin e regjistrimit të Vendimit Nr. 1448, datë 26.02.2009 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për regjistrimin si person juridik të Partisë Socialiste të Vërtetë ‘91 në Regjistrin e Partive Politike pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Burime pranë kësaj gjykate shpjeguan se objekti i padisë kësaj here është: Detyrimi i Partisë Socialiste të Vërtetë ‘91 të ndryshojë emrin dhe stemën e saj; sigurimin e padisë; pezullimin e regjistrimit të Vendimit Nr. 1448 datë 26.02.2009 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për regjistrimin si person juridik të Partisë Socialiste të Vërtetë ‘91 në Regjistrin e Partive Politike pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë; ndalimin e përdorimit të emrit Partia Socialiste e Vërtetë ‘91 të inicialeve PSV ‘91 si dhe të stemës deri në zgjidhjen përfundimtare të konfliktit gjyqësor.

7 tetor 2009
Gjykata e Tiranës njeh ligjërisht si kryetar të ri të partisë Gjergji Kojën. Këtë vendim Gjykata ka urdhëruar që të shënohet në Regjistrin e Partive. Në të vërtetë kërkesa kësaj radhe është bërë nga...........................

28 tetor 2009
Kërkohet deklarimi i pavlefshëm i Vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë Nr.7990, datë 07.10.2009 dhe mosdepozitimin e tij në Regjistrin e Partive Politike të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Dorëheqja e kryetarit Petro Koçi
8 korrik 2009

Petro Koçi i Partisë Socialiste të Vërtetë ‘91 ka dhënë dorëheqjen pas rezultateve të dobëta të partisë që drejton në zgjedhjet e përgjithshme, në të cilat nuk siguroi asnjë mandat deputeti. Burime nga Kryesia e PSV ‘91 ato ditë pohuan se nuk është pranuar dorëheqja e paraqitur nga kryetari i partisë Petro Koçi. Rezultatet në zgjedhjet e 28 qershorit sjellin dorëheqjen e parë të një kryetari partie. Partia e drejtuar nga Koçi, pjesë e koalicionit “Aleanca socialiste për integrim”, nuk arriti të marrë asnjë mandat deputeti për në Parlamentin e ri. Forumet drejtuese të partisë së tij kanë analizuar situatën dhe dorëheqjen e kreut të PSV ‘91. Burime nga Kryesia e PSV ‘91 pohojnë se nuk është pranuar dorëheqja e Petro Koçit.

3 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›