E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia në Itali, hapen dyert e mortit në Lezhë



Dy ditë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Itali në një familje shqiptare, të afërmit në qytetin e Lezhës tashmë i kanë hapur dyert e mortit për tri viktimat. Sipas informacioneve, priten që të mbërrijnë në Lezhë trupat e pajetë të Rina Melyshit, Ornela Ndoit dhe vogëlushes 3-vjeçare, që humbën jetën në Pavia të Italisë, pas vrasjes makabre nga Alfred Melyshi, kunati i Rinës. Familja e babait të dy motrave ka hapur dyert e mortit, ndërsa të gjithë janë në pritje të ardhjes së 3 viktimave. Babai, Ndue Ndoi, tregon se nuk kanë pasur asnjëherë asnjë konflikt me dhëndrin e tij apo me kunatin e vajzës, ndërsa bën apel ndaj shtetit shqiptar të mundësojë mbërritjen sa më shpejt në Shqipëri të trupave të pajetë të viktimave në mënyrë që të kryhet ceremonia mortore. Tragjedia ndodhi pasditen e së shtunës, kur Rina Melyshi, 24 vjeçe, vajza e saj 3-vjeçare dhe motra Ornela Ndoi, 19 vjeçe, u masakruan me thikë nga kunati i 24-vjeçares. Sipas informacioneve nga prokurorët italianë, Alfred Melyshi ka rrëfyer se e ka kryer krimin pas mosmarrëveshjeve të lindura në familje për konfliktin që Alfredi kishte krijuar me një tjetër familje shqiptare. Pas debateve të forta ku Alfred Melyshit iu kërkua largimi nga banesa ku jetonin prej vitesh bashkë, ky i fundit vrau me thikë motrat dhe mbesën e tij vetëm 3 vjeçe.

Vlorë, policia gjen kufomën e një 40-vjeçari

Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, një trup i pajetë, pjesërisht i dekompozuar, është gjetur pranë qendrës së qytetit të Vlorës. Menjëherë mësohet se janë sinjalizuar ekspertët e morgut dhe policia e qytetit bregdetar për të këqyrur vendngjarjen. Sipas informacioneve zyrtare nga policia, trupi i pajetë është gjetur pak metra larg sheshit “Flamuri” nga kalimtarë të rastit. Policia e ka identifikuar trupin si të shtetasit Dritan Muka. 40-vjeçari mësohet se është po nga qyteti i Vlorës. Kufoma ndodhet aktualisht në morgun e qytetit dhe mjekët po punojnë për të gjetur shkaqet e vdekjes. Nga analizat paraprake mësohet se 3 janë shkaqet e mundshme të vdekjes. Policia bën të ditur se 40-vjeçari ose mund të jetë vrarë, ose të ketë vdekur si pasojë e overdozës, ose të jetë një punëtor që është rrëzuar aksidentalisht për vdekje. Pritet rezultati përfundimtar i analizave mjeko-ligjore.

3 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›