Ankesa për ligjin e gjobave

Ndërtuesit kërkojnë që qeveria të heqë ligjin e gjobave, i cili detyron biznesin të parapaguajë 15 për qind të gjobës së tatimorëve para ankimimit. Për sa i përket projektligjit të procedurave tatimore në tërësi, ndërtuesit vlerësojnë se ai cenon në mënyrë të qartë parimin e vetëdeklarimit, duke paragjykuar bizneset dhe duke i dhënë fuqi të madhe administratës tatimore. Nëndrejtori ekzekutiv i Shoqatës së Ndërtuesve, Ilir Hebovija, pohon se ligji i gjobave penalizon biznesin dhe ashpërson klimën me autoritet qeverisëse. Hebovija duke u ndalur në hartimin e nenit 107 të projektligjit për procedurat tatimore, argumenton se fakti që Drejtoria e Apelimeve është në tatime, tregon që vendimet janë të paracaktuara. “Mendojmë se pika 5 e nenit 107 të projektligjit, e cila kërkon, përveç parapagimit detyrimit tatimor të ankimuar edhe parapagimin e 15 për qind të shumës së gjobave e të interesave, përpara se të depozitojë kërkesë-padinë për shqyrtim gjyqësor, duhet hequr. Fillimisht, ky është një qëndrim ekstrem i pakuptimtë, i cili ashpërson klimën e marrëdhënieve të biznesit në tërësi me administratën tatimore dhe me vetë shtetin në përgjithësi”, shprehet nëndrejtori ekzekutiv i Shoqatës së Ndërtuesve. Po ashtu, ndërtuesit nuk janë dakord me heqjen si shkallë apelimi në Komisionin e Apelimit të Tatimeve në Ministrinë e Financave, i cili kishte një farë pavarësie relative në vendimmarrje, pasi biznesi kishte përfaqësuesit e tij në të. “Për mënyrën absurde sesi është konceptuar tani sistemi i apelimit, ai kthehet totalisht në një sistem inekzistent, ku shteti në 100 për qind të rasteve do të jetë fitues. Është fare pakuptim që Drejtoria e Apelimit të ishte në përbërje të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, pasi kështu vendimet e saj janë të paracaktuara totalisht”, saktëson Hebovija. Kundër ligjit të gjobave janë edhe institucionet ndërkombëtare, të cilët kanë kërkuar që qeveria ta rishikojë. Nga ana tjetër, edhe deputetët e mazhorancës në Komision Parlamentar të Ekonomisë kanë rënë dakord që të heqin ligjin e gjobave, pasi cenon biznesin. Por burime pranë këtij komisioni kanë thënë për gazetën “Korrieri”, se deputetët për shqyrtimin e këtij vendimi duhet të konsultohen edhe me Ministrinë e Financave, e cila është hartuesja e ligjit. Po ashtu, sipas ndërtuesve, në nenin 71 të projektligjit për procedurat tatimore jepen rastet kur përdoren metodat alternative për përcaktimin e detyrimeve tatimore. Sipas ndërtuesve, me këtë projektligj administratës tatimore i janë krijuar hapësira të gjera dhe të tepërta për përdorimin e metodave alternative, gjë që do të krijojë premisa shumë të përshtatshme për kontrollorë të pandërgjegjshëm për të vepruar në mënyrë arbitrare dhe korruptive. Përdorimi i metodave alternative në përcaktimin e detyrimeve tatimore, bazuar edhe në praktikat më të mira botërore të administrimit tatimor, kufizohen vetëm në rastet e mosdeklarimit nga tatimpaguesit, në rastet e mosmbajtjes së dokumentacionit ose të mbajtjes së tij me të meta thelbësore dhe në rastin e moslejimit apo pengimit të kontrolleve tatimore. Pra, lista e rasteve kur mund të përdoren metodat alternative është shteruese, ndërkohë që projektligji i paraqitur e bën pothuajse të pakufizuar pushtetin e administratës tatimore në përdorimin e metodave alternative. Një gjë e tillë do të vërë në vështirësi sidomos bizneset e rregullta dhe serioze, dhe do të krijojë premisa për shmangie të bizneseve të parregullta, në marrëveshje me kontrollorë të pandërgjegjshëm e të papërgjegjshëm.