Po kthehen tifozët

TIRANË – Farruk Sejdini është i kënaqur që kampionati shqiptar ka gjetur rivalitetin dhe mendon se në Shqipëri futbolli ekziston. Trajneri i sotëm i Bylisit të Ballshit, beson se Partizani është një shembull për t’u ndjekur dhe pohon se “presidentit Xhani i kanë ardhur mendtë”. Për Dinamon, ish-dinamovitit të vjetër thjesht i vjen keq që lëshoi kaq shumë dhe që u eliminua në atë mënyrë në kupë. Përsa i përket të ardhmes së tij, “xhaxhi” shikon me frikë vetëm kilometrat e rrugës Tiranë-Ballsh dhe asgjë tjetër. Prandaj është në mëdyshje ...
-Z.Sejdini, si e shikoni rivalitetin mes Dinamos dhe Partizanit?
“Mendoj se është gjë e mirë. Titulli kampion po diskutohet fort mes dy ekipeve dhe ka interesim. Ne ishim mësuar, për shumë sezonet e fundit, që Tirana të shkëputej 7 pikë apo më shumë nga vendi i dytë dhe normalisht kjo i largonte tifozët nga stadiumi. Tani, këta po kthehen të ndjekin ndeshjet”.
-Cila nga dy skuadrat duket më e favorizuar?
“Është e vështirë ta thuash, por Dinamo ka dy pikë më shumë. Kjo është epërsia e vetme e Dinamos. Nga ana tjetër, më vjen keq që ish-ekipi im e solli veten në këtë situatë. Sipas mendimit tim, mund të ishte më i larguar nga vendi i dytë, por sikur u tremb vetë, sikur lëshoi”.
-Po Partizani?
“Është për t’u përgëzuar Partizani i këtij sezoni. Ka një ekip të ri dhe simpatik. Më në fund, iu mbush mendja presidentit Xhani që të mos bënte eksperimente dhe kjo po jep fryte. Nuk ka të huaj që shkojnë e vijnë, trajneri është lënë të punojë i qetë. Edhe nëse nuk fiton titullin kampion, të paktën krijoi një skuadër pretendonte. Kjo është më e rëndësishme. Besoj se nga kjo do të mësojë edhe Tirana, Vllaznia apo skuadrat e tjera”.
-Sikur e kishim harruar rivalitetin Dinamo-Partizani, ka ndodhur për herë të fundit në sezonin 1989-1990 ...
“E vërtetë. Kohët ndryshuan dhe Dinamo e Partizani nuk kanë qenë shumë të qendrueshëm. Atë sezon titullin e fitoi Dinamo, këtë herë të presim”.
-Përveç rivalitetit, a mendoni se ky kampionat ka edhe vlera futbolli?
“Futboll ka. Kampionati nuk është pa vlera. Një problem i madh është se tek ne ka shumë thashetheme për lëshime, për pazare. Nuk them se nuk duhet të ketë dyshime, apo se nuk ka pazare, por nuk mund të flitet për gjithçka”.
-A mund të jeni më i qartë?
“Patjetër. Le të marrim rastin e Dinamos apo Vllaznisë. Kjo e fundit nuk ka pretendime në kampionat dhe sa herë humb një ndeshje thuhet se ka bërë pazar. Në të vërtetë ajo mendon për kupën, kampionati nuk i intereson. Ajo thjesht bën llogari dhe i del që nuk duhet të shpenzojë energji për diçka që nuk i vlen. Kjo nuk është një gjë e keqe. Përsa i përket Dinamos, më vjen keq që u vetëeleminua nga kupa. Dinamo i kishte mundësitë të luante më ndryshe në kupë, le të eliminohej, por jo me ato rezultate dhe ato paraqitje. Kjo i solli dobësi edhe për kampionatin, sepse skuadrat e tjera, konkretisht Partizani, vërejti një Dinamo që thyhej, që mund të ishte edhe shumë e dobët”.
-Z.Sejdini, le të ndërrojmë temë. A jeni i kënaqur me punën tuaj si trajner i Bylisit?
“Jam i kënaqur. I kemi kushtet normale për punë. Edhe nga ana teknike, punoj i qetë. Nga ana financiare jemi shumë mirë dhe nuk e kam fjalën vetëm për pagesën time, por për kushtet e skuadrës në përgjithësi”.
-Si është ekipi i Ballshit?
“Për këtë kategori ku jemi është mjaft i mirë ...”.
-A do të vazhdoni sezonin e ardhshëm në Ballsh?
“Jam në mëdyshje. Nuk është se kam stres në punë, apo nuk kam kushte. Por është distancë e gjatë nga Tirana në Ballsh dhe unë jam i detyruar të qëndroj këtu gjatë gjithë javës. Unë kam problemet e mia dhe familjare se po të ishte ndryshe, nuk do të kisha mëdyshje”.