E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lamtumirë Ryker!

Mediat kosovare thone se ka ardhur ora e largimit te gjermanit te UNMIK-ut. Gueheno mund te jete kreu i ri i misionit te OKB

Zhan-Mari Gueheno pritet të jetë kreu i ri i misionit të OKB-së në Kosovë, me rikonfigurimin e tij pas 15 qershorit, kur pritet të hyjë në fuqi dhe kushtetuta e shtetit të ri. E përditshmja kosovare “Zëri” raportoi dje, duke iu referuar burimeve diplomatike perëndimore, se nënsekretari aktual i OKB-së për operacionet paqeruajtëse do të drejtojë misionin që nga Nju Jorku. Sipas gazetës, ky vendim i Kombeve të Bashkuara pritet të njoftohet zyrtarisht gjatë vizitës së Guehenos në Prishtinë, në ditët e ardhshme. “Zëri” shkruan se, nëse Gueheno bindet për të marrë këtë post, atëherë shefi aktual i UNMIK-ut, Joakim Ryker, dhe zëvendësi i tij, Larri Rosin, do të largohen nga Kosova në muajin qershor. “Gjithsesi, duhet ende të shihet nëse sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, do të bjerë dakord me një plan të tillë, ndërsa janë ende të paqarta rolet dhe formati i UNMIK-ut mbetet ende i paqartë”, - shkruan gazeta. Kushtetuta e Kosovës pritet të hyjë në fuqi në 15 qershor, dhe pas kësaj date sipas planit të Ahtisarit, misioni i BE-së pritet të marrë kompetencat nga UNMIK-u. Por analistët argumentojnë se një gjë e tillë është e vështirë të ndodhë, për shkak të presionit nga Rusia e Serbia, të cilat kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës. Pikërisht dje, e njëjta gazetë shkruante se Rusia ka propozuar që shefi i zgjedhur i EULEX-it, Yves de Kermabon, të bëhet kreu i UNMIK-ut, ndërsa shefi aktual i misionit të BE-së, Piter Feith, do të bëhet kreu i shtyllës së UNMIK-ut, përgjegjës për zhvillimin ekonomik. Megjithatë, sipas gazetës, ky propozim është i papranueshëm për pjesën më të madhe të vendeve perëndimore, të cilët e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. “Ndërsa sipas propozimit rus, UNMIK-u do të vazhdojë të kryejë detyrën e tij dhe do të ketë të njëjtin autoritet edhe pas 15 qershorit, kur të hyjë në fuqi kushtetuta e Kosovës”, - shkruan “Zëri”. Gazeta shton gjithashtu, se ky propozim nuk pranohet nga vendet evropiane dhe SHBA-të, pasi kjo do të thoshte rikthimin e të gjitha çështjeve në lidhje me Kosovën në Këshillin e Sigurimit, pikërisht aty ku nuk ishte e mundur gjetja e një zgjidhjeje nga mungesa e konsensusit mes anëtarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›