Lesi: Ndoka i pabesë

Ish-kryetari i PDK-së, Nikollë Lesi, thotë se nuk ka ndikuar në krijimin e problemeve brenda PDK-së, edhe pse deklaratat e tij dhe pjesëmarrjet në mbledhjet e të pakënaqurve të kësaj partie, tregojnë të kundërtën. Gjatë intervistës, Lesi nuk ngurron të akuzojë kreun e PDK-së, Nard Ndokën, edhe pse pak vite më parë ia ka dhuruar vetë postin e kreut të partisë. Ai thotë se ndjehet i penduar për këtë “dhurim”, ndërsa mohon që të ketë pasur ndikime nga ana e Partisë Demokratike për këtë akt. Duke komentuar përçarjen në PDK, Lesi mohon në mënyrë kategorike që kryeparlamentarja Jozefina Topalli apo Partia Demokratike të kenë ndikuar në krijimin e këtyre problemeve brenda PDK-së. Sipas Lesit, problemet në PDK kanë ardhur vetëm si pasojë e indiferentizmit të kreut aktual. Ai thotë se do të kërkojë sërish largimin e ministrit të Shëndetësisë, Nard Ndokës, ndërkohë që “nën mëngë ka asin e tij”. Lesi do t’i propozojë kryeministrit Berisha që zëvendëskryetari i LDK-së të futet në kabinetin qeveritar me postin e zëvendësministrit të Kulturës. Ndërkohë, Lesi deklaron se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, nëse LDK-ja nuk do të marrë mbi 3 për qind të votave në rang kombëtar, atëherë ai do të tërhiqet nga politika dhe do t’i përkushtohet vetëm gazetarisë...
-Zoti Lesi, keni qenë një ndër drejtuesit e PDK-së. Si e shihni aktualisht këtë parti?
“Në kuotat më të ulëta publike e politike që prej 17 vitesh. Nuk varet se sa veta ka PDK-ja tashmë në qeveri, por nga performanca që përfaqësuesit e saj kanë manifestuar në punën e tyre. Mënyra sesi po administrohet sot PDK-ja, mendoj se është krejtësisht familjare e nuk ka lidhje me demokristianët”.
-A keni “gisht” ju në krijimin e përçarjeve në PDK? Ju keni marrë pjesë në një mbledhje të disa ditëve më parë, të pjesës së pakënaqur të PDK-së?
“Jo. Po të kisha gisht, kishte rrëzim të menjëhershëm të Ndokës, por nuk jam ngatërruar në punët e brendshme të tyre, pasi unë kam krijuar LDK-në, Lidhjen Demokristiane Shqiptare, e cila ka bazamentin e votave të 3 korrikut 2005. Bile, edhe në aktivin e para disa ditësh unë mora fjalën e fola si kryetar i LDK-së, pasi pjesa e parë ishte aktiv i zgjeruar, dhe më pas ne u larguam dhe vazhduan me dyer të mbyllura si Këshill Kombëtar”.
-Megjithatë, ju jeni afruar me një pjesë të PDK-së dhe kjo vihet re nga deklaratat tuaja. Pse ky afrim?
“Përderisa kam dhënë afro 4 vite kontribut në ngritjen e kësaj force politike, duke e çuar për herë të parë me këmbët e saj në Parlament, me 3. 4 për qind të votave kombëtare, nuk ka kam sesi të hesht apo të mos dhimbset se në duart e kujt e lashë atë. Por brenda rregullave të lojës politike e juridike, mendoj se unë kam thënë atë çka mund të thuhej për momentin”.
-Në momentin kur dorëzuat postin e kreut të PDK-së, ky veprim u cilësua si “dhuratë”. A jeni penduar për këtë “dhuratë”?
“Pas gjithë këtyre që po ndodhin në PDK dhe shkatërrimit total të imazhit të saj pozitiv e modest ndër vite, mund t’u them se jam penduar. Penduar në sensin e pabesisë së Ndokës, të cilit asokohe ia kam dorëzuar vullnetarisht e me shpirt drejtimin e PDK-së, me synimin që bashkërisht, pasi kam forcë në media e në politikë, të ngrinim forcën demokristiane. Natyrisht, duke qenë Ndoka numri një dhe vendimtari, ai bëri atë që nuk duhej të bënte për karrierën e tij: më shkarkoi nga kryetar grupi parlamentar, nuk më ftonte në asnjë takim demokristian dhe, de facto, më përjashtoi dhe synonte që të më largonte nga radhët e PDK-së, dhe fatkeqësisht për atë e për mua, ia arriti të më përjashtojë edhe “de jure”. Por ai ka gabuar në mënyrën sesi e ka konceptuar drejtimin e një partie të vogël. Ai synon të jetë vetë i garantuar në pushtet e deputet, ndërsa për të tjerët nuk do t’ia dijë fare, madje nuk i interesojnë emra VIP përreth vetes, ndofta dhe për fajin e inferioritetit kulturor që ndjen. Kam bërë akuzë publikisht, që duhet që zoti Ndoka të paraqesë para medias dokumenta autentike se ku e ka mbaruar shkollën. Por, që ta ndihmoj atë dje i kam kërkuar ministrit të Arsimit, Pollo të më sjellë dokumentet e shkollës së mesme të ministrit Ndoka, gjithnjë nëse i ka”.
-Tashmë po dalin fakte dhe deklarata të reja, që ju keni qenë në njëfarë mënyre edhe nën presionin e Partisë Demokratike për të bërë “dhurimin”. Sa qëndron kjo?
“Asnjë fakt nuk ka. I vetmi fakt mbetet që unë ia dhurova vetë drejtimin e PDK-së, nisur nga ajo që kam thënë disa herë, që të forcoheshim në numra deputetesh në Parlament e të çonim emrat më profesionistë në qeverisje, për të dhënë një imazh pozitiv në publik. Partia Demokratike ka qenë në “autobus” në lidhje me këtë dhurim timin”.
-A ka rol Partia Demokratike apo Jozefina Topalli në krijimin e këtyre problemeve, sikurse pretendohet?
“Mendoj se jo. Të paktën tek unë as që flitet, pasi kam pavarësinë time publike. Edhe për zonjën Topalli, në mënyre kategorike jo, pasi të përçash partinë e Ndokës nuk ka ndonjë vështirësi, pasi siç ju thashë, është vetëm ai shkaktari i përçarjes dhe mënyra puniste sesi e drejton PDK-në”.
-Duket se brenda PDK-së ka pasur gjithnjë dy ose më shumë rryma të ndryshme. Duke qenë se ju e njihni PDK-në, si janë krijuar ato?
“Është mirë për një parti që të ketë sa më shumë rryma që janë brenda një filozofie, pasi rrit konkurrencën, forcën dhe tregon se ka demokraci të brendshme. Natyrisht jo siç kanë arritur tani në PDK, në një konflikt antagonist. Ka pasur dhe në kohën time dhe në kohën e zotit Bushati rryma, që gjithsesi sillnin demokraci e një mendim më të shëndoshë në vendimmarrje. Por zoti Ndoka nuk po lejon asnjë element demokracie brenda PDK-së. A nuk ka kulturën e nevojshme apo nuk do, këtë ende nuk mund ta them, porse faktet tregojnë se ai ka larguar e po largon të gjithë ata që kanë dhënë për PDK-në në të gjitha format: Bushatin e Gurakuqin, Kurtin e Tonajn, Mati Pepën e Leonard Kirin, mua dhe Ujkën, e plot të tjerë që kanë mendim oponent për mënyrën e drejtimit e strategjitë e PDK-së”.
-Mos jeni të zhgënjyer nga mosmarrja e posteve?
“Absolutisht jo! Po të ishte për post, e kisha që pas 3 korrikut 2005, nëse tregohesha servil apo shërbëtor i PD-së. Nuk manifestoj gjeste apo mendime servile ndaj kujtdo qoftë, aq më pak ndaj një njeriu që quhet Nard Ndoka”.
-Do të kërkoni sërish edhe largimin e tij nga qeveria, sikurse e keni bërë edhe herë të tjera?
“Patjetër. Është vonë çdo ditë që kalon. Madje, siç ndjej politikisht, ai do të largohet me akuzë, mundet dhe penale”.
-Kërkesa për largimin e Ndokës mos do të shoqërohet me ndonjë kërkesë tjetër për përfshirjen tuaj në qeveri?
“Po, por jo për vete. Mendoj se një post zëvendësministri, mundet në Kulturë-Turizëm, na takon, pasi kemi pedagogun vlonjat, Erion Haderaj, si kandidaturë perfekte, që zotëron një kulturë poliedrike dhe është nënkryetar i LDK-së. Mendoj se në momentin e duhur kryeministri do ta pranojë një kandidaturë të tillë”.
-Cili është hapi juaj i ardhshëm në politikë, në lidhje me LDK-në dhe pjesën e pakënaqur të PDK-së?
“Problemet e PDK-së janë probleme të brendshme të tyre dhe nuk mund të merrem me ata, pasi kam një forcë tjetër politike, e cila ngjason për spektrin dhe filozofinë me atë që kisha, por ndryshon nga drejtimi e konceptimi sesi mund të jetë një forcë kristiane në politikë. Kam tjetër filozofi drejtimi nga ai i Ndokës dhe zgjedhjet e vitit 2009 do ta provojnë. Nëse nuk kap mbi 3 për qind të votave kombëtare, jap në mënyrë të padiskutueshme dorëheqjen edhe nga LDK-ja, e përfundimisht do të merrem vetëm me median. Por mendoj se do të jetë LDK-ja, një prej surprizave elektorale, falë edhe turpit që po shkakton PDK-ja e Ndokës në politikë”.