Largohuni!

Bjellorusia urdhëroi dje një numër diplomatësh amerikanë që të largohen nga vendi. Veprimi më i fundit i ish-republikës sovjetike vjen në një kohë kur Bjellorusia akuzohet për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe pas dëbimit të ambasadorit amerikan në muajin mars. Ministria e Jashtme në Minsk i dërgoi diplomatit më të lartë amerikan në vend një listë me zyrtarë të shpallur “persona non grata”, duke u kërkuar të largoheshin nga vendi. Xhonatan Mur tha se i është dhënë një listë me 10 diplomatë amerikanë, të cilët duhet të largohen brenda 72 orësh. “Ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur që ata të largohen nga vendi brenda limitit të kërkuar”, - tha Mur. Dëbimet diplomatike u urdhëruan, pasi Uashingtoni vendosi sanksione ndaj kompanisë shtetërore të përpunimit të naftës “Belneftekhim”. Reagimi qe i menjëhershëm, pasi Bjellorusia shkurtoi në 6 vetë personelin e ambasadës së saj në Uashington, dhe kërkoi largimin e diplomatëve amerikanë. Veç kësaj, një tjetër arsye që duket se ka shkaktuar zemërimin e Minskut, ishte vendimi i SHBA-ve dhe BE-së që të kufizonin udhëtimet e presidentit autoritar bjellorus Aleksandër Lukashenko dhe të anëtareve të rrethit të tij më të ngushtë. Gjatë fjalimit të përvitshëm që mbajti të martën, Lukashenko u shpreh moskokëçarës ndaj presionit amerikan dhe atij evropian për lirimin e të burgosurve politikë. “Nëse amerikanët vendosin sanksione të reja dhe mendojnë se ne do të dorëzohemi, këto janë gjepura”, - tha ai, duke shtuar se nuk ka ndërmend të lirojë asnjë të burgosur politik.