E Diel, 1 Nëntor 2026

Ankesat, Ina Rama urdhëron kontroll në Prokurorinë e Tiranës

Drejtoria e Inspektimit në Prokurorinë e Përgjithshme ka nisur një "hetim" në akuzën e kryeqytetit, pas ankesave të qytetarëve dhe kontrollit nga ana e Ministrisë së Drejtësisë. Afatet e hetimit dhe klasifikimi i veprave penale nga prokurorët janë dy nga problemet të konstatuara në këtë prokurori, e cila konsiderohet më e madhja në vend për nga numri i dosjeve që ka nën hetim dhe gjykim. Katër prokurorë dhe hetues të Prokurorisë së Përgjithshme do të qëndrojnë në prokurorinë e kryeqytetit një muaj për të përgatitur prej andej rekomandime dhe raporte për secilin hetues të Tiranës. Disa javë më parë, Ministria e Drejtësisë i ka dorëzuar kryeprokurores Ina Rama një raport voluminoz kontrolli të zhvilluar në Prokurorinë e Tiranës. Akt-kontrolli i dorëzuar në Prokurorinë e Përgjithshme pretendon se 34 prokurorë të Prokurorisë së Tiranës janë gjetur me shkelje të ndryshme në punën e tyre. 12 nga prokurorët kanë kryer shkelje që duhet të ndëshkohen me shkarkim nga detyra, 10 prokurorë duhet të ndëshkohen me masën e transferimit, ndërsa 12 të tjerë me masën e paralajmërimit. Objekt i kontrollit kanë qenë dosjet penale të regjistruara nga gjysma e dytë e vitit 2007, deri në fund të vitit 2008. Pas përfundimit të kontrollit të inspektorëve të Ministrisë së Drejtësisë, kjo e fundit e ka dërguar raportin në Prokurorinë e Përgjithshme, duke propozuar masat konkrete për shkelësit, sipas ligjit "Për prokurorinë" të ndryshuar në vitin 2008.

Kontrollet
Kontrolli i Ministrisë së Drejtësisë dhe kontrolli i tanishëm i akuzës qendrore do t‘i vihen në dispozicion kryeprokurores Ina Ramës. Raporti i Ministrisë së Drejtësisë ka disa kohë që është dorëzuar në Prokurorinë e Përgjithshme. Megjithatë, Ina Rama ka vendosur të zbatojë hapësirat që i jep ligji, duke dërguar inspektorët e Prokurorisë së Përgjithshme, për të kontrolluar dosjet e gjetura me shkelje në Prokurorinë e Tiranës. Ndërkaq, pak kohë më parë, të gjithë prokurorëve të përmendur në raportin e Ministrisë së Drejtësisë u është kërkuar të bëjnë oponencën me shkrim për shkeljet e pretenduara nga kontrollorët e Ministrisë së Drejtësisë. Kryeprokurorja Ina Rama duket se është në pritje të përfundimit të akt-kontrollit të Drejtorisë së Inspektimit në Prokurorinë e Përgjithshme dhe oponencës së prokurorëve të gjetur me shkelje, në mënyrë që më pas të zyrtarizojë masat konkrete ndëshkimore që do të marrë. Burime zyrtare nga organi qendror i akuzës nuk bënë komente në lidhje me këtë fakt.

Shkeljet e prokurorëve
Ministria e Drejtësisë shprehet në raportin e saj ende të papublikuar, se abuzimet kryesore të prokurorëve të Tiranës kanë të bëjnë me kualifikimin e veprave penale. Sipas ministrisë, ka raste kur vrasje të mbetura në tentativë janë klasifikuar dhe hetuar me akuzën e plagosjes, duke lehtësuar kështu autorët e ngjarjeve. Kontrollorët e Ministrisë së Drejtësisë pretendojnë më tej se prokurorët e kryeqytetit kanë shkelur afatet e hetimit të dosjeve, duke i zvarritur ato, si dhe kanë gabuar në disa raste në aplikimin e masave të sigurimit. Ministria e Drejtësisë konsideron se ka pasur vendime të gabuara dhe jo në zbatim të drejtë të ligjit në disa raste, kur prokurorët kanë vendosur mosfillimin e çështjeve penale për të cilat ka pasur prova të qarta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›