Ankesat e minatorëve, Prifti ngre grup pune për statusin
Realizimi i Statusit të Minatorit do të jetë objekt diskutimi i një grupi pune, ngritur pranë Ministrisë së Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, i cili do të hartojë një studim mbi mundësinë konkrete për realizimin e këtij statusi. Në një njoftim të Ministrisë së Ekonomisë bëhet e ditur se kjo nismë vjen me urdhër të ministrit Dritan Prifti, në bazë të urdhrit të të Kryeministrit "Për ngritjen e grupit ndërinstitucional të punës për Statusin e Minatorit". Ndërmarrja për hartimin e studimit vjen pas protestave të vazhdueshme që kanë zhvilluar minatorët, e cila më e fundit u zhvillua gjatë javës së kaluar dhe ku minatorët parashtruan edhe kërkesën për statusin. Duket se kreu i Qeverisë i ka dhënë "ok" Ministrisë së Ekonomisë, që të merret me zgjidhen e këtij problemi dhe kjo e fundit ka reaguar duke ngritur menjëherë grupin e punës. Në përbërje të tij do të jenë ekspertë nga një sërë institucionesh, si Ministria e Ekonomisë, Ministria e Financave, Ministria e Punës, çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Ministria e Drejtësisë, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Në krye të këtij grupi do të jetë zëvendësministri i Ministrisë së Ekonomisë, Neritan Alibali. Deri në javën e parë të prillit, grupi pritet që të hartojë studimin mbi mundësitë konkrete për realizimin e statusit të minatorit, si dhe t'i paraqesë Kryeministrit propozimet për këto mundësi, së bashku me aktet e nevojshme ligjore dhe nënligjore, lidhur me Statusin e Minatorit. Në përfundim të punës për hartimin e dokumenteve mbi statusin e minatorit, grupi i punës do të konsultohet me aktorët e tjerë të interesit.