Nik Xhelilajt i hyn në qejf kërcimi, kapet në pub me një bionde
Aktori i ri më i preferuar i regjisorëve për momentin, tani që po provon sfidën më të re të jetës artistike, atë të garës mes VIP-sh në kërcim në spektaklin “Dancing with the stars”, duket se po i hyn në qejf kërcimi dhe jeta e natës. Paparaci ynë e ka fotografuar në fundjavë në karaoken “Magic 4”, në shoqërinë e një vajze bionde për të cilën nuk dihet shumë se ç’lidhje mund të ketë, nëse është thjesht një mikeshë apo diçka më shumë. Gjithsesi është çudi ta shohësh Nik Xhelilajn të frekuentojë jetën e natës, pasi nuk hyn tek artistët që dëfrehen fundjavave në pub-e. Pas përfundimit të Akademisë së Arteve të Bukura, Niku ka pasur shancin të provojë disa role njëri pas tjetrit në filmin artistik shqiptar, duke u bërë i njohur për një kohë shumë të shkurtër. Roli i tij i parë ishte në filmin “Trishtimi i zonjës Shnajder”, i Pirro Milkanit u pasua nga disa role të tjerë, ndërkohë që së fundmi është përfshirë në një projekt të ri, ku është përzgjedhur si aktori kryesor i filmit që mban titullin në gjermanisht “Der Albaner” (Shqiptari), pasi u përzgjodh nga regjisori Johannes Naber.