E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë-Elbasan, Berisha zbulon projektin



Edhe pse nuk dha një datë për fillimin e punimeve, Berisha u tregua i sigurt që autostrada Tiranë-Elbasan do të dojë vetëm dy vite për t'u përfunduar. Në prezantimin, i pari i turit të ri "Dialog me Qytetarët", Kryeministri shpjegoi në Elbasan projektin e zgjedhur për ndërtimin e autostradës. Qeveria ka vendosur të zgjedhë variantin më të shkurtër, por më të kushtueshëm të rrugës së re me tunel. Rruga do të kalojë në dalje të Tiranës, përmes Lundrës, Mulletit, më pas do të futet në tunelin e Qaf Krrabës, për të dalës sërish në hyrje të Elbasanit, aty ku kalon rruga ekzistuese. Qeveria, pati tre variante dhe zgjodhi pikërisht projektin me dy tunele, që është më i shkurtri por edhe më i kushtueshmi. Burime nga Ministria e Transporteve tregojnë se kosto e përafërt e rrugës shkon diku te 200 milionë eurot, por me një limit, deri në 270 milionë euro. "Kjo autostradë shkurton ose u kursen së paku 40 minuta kohë, jo vetëm qytetarëve të Elbasanit, por edhe të gjithë qytetarëve të Shqipërisë juglindore dhe jugore, sepse me ndërtimin e Boshtit të Jugut, segmenti i parë i të cilës është autostrada Tiranë-Elbasan, rruga kryesore drejt kryeqytetit për qytetarët e Sarandës, Konispolit, Delvinës, Gjirokastrës, Tepelenës, Përmetit, Skraparit, Beratit, Gramshit do të jetë kjo autostradë. Po e tillë do të jetë ajo për Kolonjën, Korçën, Pogradecin, Librazhdin", theksoi dje Berisha. Sipas projektit, parashikohet që tunelet të kenë një gjatësi prej 2.1 kilometrash, ose në total të dy tubat të jenë 4.3 kilometra të gjatë. E gjithë rruga, do të jetë 31.17 kilometra dhe do të ketë katër korsi me gjerësi 3.75 metra secila. Parashikohet që shpejtësia të jetë 100-120 kilometra në orë. Po dje, Berisha rikonfirmoi se janë gjetur edhe financimet për ndërtimin e autostradës. Në fakt Berisha ju referua boshtit të jugut, projekt i cili do të prezantohet në Berat, si investimin më të madh të Shqipërisë. "Kemi përfunduar edhe projektin e Boshtit të Jugut, Berat-Tepelenë, 40 kilometra, gjysmë ore nga Memaliaj në Berat. Një projekt ky tmerrësisht i kushtueshëm, me dy tunele, me ura po kaq problematike. Pra, në kompleks Boshti i Jugut, segmenti i parë i të cilit është autostrada Tiranë-Elbasan, ka një kosto shumë të lartë, më të lartë ndoshta, sesa autostrada Tiranë-Morinë, por është e domosdoshme, sepse nuk mundet që shqiptarët të shkojmë më shpejt nga Tirana në Prishtinë, sesa nga Tirana në Sarandë." Sipas parashikimeve të Ministrisë së Financave, projekti mund të fillojë nga zbatimi në shtator të këtij viti. Dhe fondet duket se janë gjetur, për pjesën më të rëndësishme të rrugës Tiranë-Elbasan. Specialistët parashikojnë që vetëm tuneli i rrugës do të kushtojë rreth 100 milionë euro. Por duket se Berisha u shpreh i sigurt për ndërtimin e të gjithë Boshtit të Jugut. "Pjesa e tunelit, duhet t'ju them se është investim, është kredi e butë pothuajse falas e Emirateve të Bashkuara Arabe. Për Boshtin e Jugut, një Qeveri mike, kompanitë kuvajtiane e përfunduan projektin. Jam i bindur se do bëjnë edhe kontribut të madh në financim, edhe pse nuk them se do të financohet krejt se është shumë i madh, por do të ketë financim".

Tre alternativat

1: Tirana- Lundre-Mullet-Elbasan 31.17 kilometra

2: Vaqarr -Arbana -Paper 37.88 kilometra

3: Peze e Vogël -Vrap -Bicaj 33.554 kilometra

Të dhënat e rrugës

Tiranë-Lundër-Mullet-Elbasan

GJATESIA TOTALE 31.17 kilometra

Shpejtësia e projektuar 100-120 km/h

Gjerësia e një vije kalimi 3.75 metra

Gjatësia totale e tunelit (dy tubat) 4.3 kilometra

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›