Faturat, OSSH shkarkon 100 faturistë
nertila maho
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka përfunduar kontrollin e plotë të sistemit të faturimit të energjisë për janarin dhe nga kjo janë konstatuar 105 milionë lekë shkelje. Për efekt të kësaj janë pushuar nga puna 100 faturistë dhe drejtori i shitjes. Në një konferencë për shtyp, kreu çek i OSSH-së, Jozef Hejsek ka deklaruar se gjatë kontrollit që i është bërë faturimit të 2009-ës nuk ka dalë një rezultat i keq, por gjithsesi janë konstatuar shkelje të cilat përfshijnë një përqindje të vogël. "Them se 105 milionë lekë nuk janë shumë, por ama janë të mjaftueshme për të bërë ndryshime në OSSH", tha Hejsek. Ai u shpreh se CEZ Albania po punon për verifikimin e të gjitha çështjeve të pazgjidhura brenda OSSH-së, të cilat midis të tjerave kanë të bëjnë me kulturën e vjetër të punës së punonjësve të Operatorit. "është një sistem faturimi shumë problematik, për të cilin po punojmë intensivisht që të rindërtojmë dhe performancën e keqe të shumë faturistëve, të cilët po i identifikojmë, po i pushojmë, po i ndjekim penalisht dhe po i zëvendësojmë me njerëz të rinj", tha Hejsek. Ndërkohë, që lidhur me faturat e shtrenjta, ai ka renditur një sërë arsyesh se pse janari ka kushtuar më shtrenjtë duke filluar me aplikimin e çmimit të ri, apo konsumin e lartë si efekt i të ftohtit. Gjithsesi Hejsek ka theksuar se pavarësisht vëzhgimit që i është bërë sistemit të faturimit këto kohë, do të ketë edhe një fazë tjetër ku do të rilexohet edhe një herë matësi në praninë e konsumatorit, për të evituar kështu çdo lloj abuzimi. Kompania ka sjellë ekspertë çekë, të cilët do të merren me verifikimin e rasteve apo do të ushtrojnë kontrollin e zakonshëm për një rast si ky. "Në lidhje me faturat e janarit, çdo klient gëzon të drejtën të vërtetojë saktësinë e faturës. Bazuar mbi kërkesën e klientit dhe pas një kontrolli në sistemin tonë të brendshëm, i cili do të kryhet me ekspertë ndërkombëtarë, ne do të shkojmë dhe do të kontrollojmë fizikisht matësit në prezencë të klientit, pasi ta kemi njoftuar atë dhe nëse pretendimi vërtetohet, shuma e mbifaturuar do t'i zbritet klientit në faturën pasardhëse. Ditët e muajit dhjetor në janar do llogariten me tarifat e vjetra", sqaroi Hejsek. Kreu i CEZ theksoi se kompensimi për shkeljet do të bëhet gjatë muajve mars apo prill. Ndërkohë, përveç kompensimit për qytetarët që kanë marrë fatura më të shtrenjta, drejtuesit e OSSH-së dje dhanë detaje edhe për anën tjetër të medaljes. Hejsek tha se nga kontrollet e deritanishme, që ka bërë OSSH, ka konstatuar edhe 5300 shkelje në dëm të saj. "Janë raste të vjedhjes së energjisë, të cilat shkojnë në një vlerë prej 235 milionë lekësh dhe të gjitha këto raste do të ndiqen një për një në Gjykatë", tha Hejsek. Drejtori i ri i shitjeve pranë OSSH-së, Ales Konrad ka shpalosur projektin e investimeve që CEZ do të kryejë, sidomos në sistemin e faturimit dhe parashikohet që më 1 janar 2012-të, shqiptarët të kenë një sistem matjeje të pakontestueshëm.
Derdhjet nga porta 300 m3/s
Situata dje (ora 17:00)
Fierza
Prurjet 500 m3/s
Niveli i liqenit 293.75 metra
Niveli maksimal 296 metra
Derdhjet porta 0 m3/s
Turbinat në punë 4
Komani
Prurjet 110 m3/s
Niveli i liqenit 171.66 metra
Niveli maksimal 175 metra
Derdhje porta 0 m3/s
Turbina në punë 4
Vau i Dejës
Prurjet 20 m3/s (anësore)
Niveli i liqenit 75.19 metra
Niveli maksimal 76 metra
Derdhjet porta 300 m3/s
Turbina në punë 5
KESH, shkarkime në Vaun e Dejës
KESH ka hapur portën e shkarkimit në hidrocentralin e Vaut të Dejës, ndërkohë që dy hidrocentralet e tjerë, Fierza dhe Komani shkarkojnë vetëm nga turbinat. Korporata ka informuar se situata në kaskadën e Drinit është në kontroll të plotë dhe se shkarkimet në Vaun e Dejës janë minimale pa ndonjë efekt për zonat e Shkodrës dhe Nënshkodrës. Ndërkohë që përsa i përket niveleve të liqeneve në kaskadën e Drinit, Fierza ka shënuar 293.75 metra dhe prurje në nivelin e 500 m3/s. Komani dje ishte në nivelin e 171.66 dhe me prurje 110 m3/s ndërsa Vau i Dejës dje shënonte një nivel 75.19 dhe me prurje anësore 20 m3/s. Në hidrocentrale konfirmohet se po prodhohet maksimalisht energji dhe me kapacitete të plota. Ndërkohë që në nivele të larta vazhdon edhe eksporti i energjisë. Gjatë tre muajve të fundit, KESH ka arritur të grumbullojë rreth 37 milionë euro, nga të cilat 70% shkojnë për të shlyer borxhin ndërsa pjesa tjetër për të mbuluar shpenzimet e kompanisë. Ndërkohë që përsa i përket shkarkimeve në Vaun e Dejës, mund të thuhet se ato kanë filluar rreth një javë pas shkarkimeve të fundit që u bënë nga KESH, si efekt i prurjeve të larta nga shirat. Për këtë vit kjo është hera e tretë që merret vendimi për të shkarkuar ujë nga liqenet e kaskadës së Drinit. Shkarkimet e fundit të bëra gjatë shkurtit erdhën si rezultat i reshjeve të dendura të shiut dhe shkarkimeve që shteti fqinj Maqedonia bënte nga Liqeni i Ohrit.