Meta, vizitë historike në Beograd
Nga i dërguari ynë në Beograd Aristir Lumezi
Zv.kryeministri Ilir Meta nisi dje vizitën historike dy ditore në Serbi, ku fillimisht bëri homazhe në varrin e ish-kryeministrit Gjingjiç. Kreu i diplomacisë shqiptare u takua në Beograd me Presidentin Boris Tadiç, dhe homologun e tij Vuk Jeremiç. Në konferencën e përbashkët për shtyp me Ministrin e Jashtëm serb, Meta tha se "vizita ime këtu korrespondon me përvjetorin e shtatë të vrasjes brutale të mikut tim, i cili na mungon shumë, kryeministrin e ndjerë Zoran Xhinxhiç, një burrë i cili u qëndroi sfidave dhe kishte një vizion dhe një kurajo të jashtëzakonshme për të kuptuar rëndësinë e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë, në dritën e integrimit evropian të vendeve tona". "Pata sot diskutime konstruktive me Presidentin Tadiç dhe zv.kryeministrat Daçiç dhe Gjeliç, dhe homologun tim Jeremiç, rreth erës së re në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë, të cilat i konsideroj si një moment historik për stabilitetin e rajonit dhe zgjerimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat në interes të përbashkët mes dy vendeve", thekoi më tej Meta. Gjatë vizitës në Beograd u firmos edhe Protokolli i Bashkëpunimit, i cili sipas kreut të diplomacisë shqiptare afirmon forcimin në të ardhmen të marrëdhënieve mes dy vendeve bazuar në vlerat e përbashkëta në paqe e prosperitet, si dhe në kontributin për të ardhmen tonë të përbashkët në rajon. "Lidhur me çështjen e Kosovës, dy qeveritë tona kanë diferenca të qarta në qëndrime, por ne ramë dakord që e ardhmja e gjithë rajonit është brenda Bashkimit Evropian dhe nuk mund të lëmë dikë jashtë tij. Ne e mirëpresim angazhimin e autoriteteve serbe dhe në veçanti të Presidentit Tadiç, i cili më konfirmoi mua gjatë takimit për të rritur nivelin e investimeve dhe për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe integrimit social për minoritetin shqiptar të Preshevës, të cilin do ta vizitoj nesër", theksoi më tej Ministri i Jashtëm shqiptar. Ndërsa homologu i tij, Vuk Jeremiç theksoi se "ishte një vizitë historike. Ne ramë dakord për të ardhmen e Ballkanit që është integrimi i rajonit në BE. Paqja dhe stabiliteti në rajon varet nga marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve. Ne jetojmë në të njëjtin rajon, nuk kemi vend tjetër dhe është i rëndësishëm bashkëpunimi". Në të njëjtën kohë Ministri i Jashtëm serb theksoi se në këtë takim nuk u arrit që të minimizoheshin diferencat mes dy vendeve përsa i përket çështjes së Kosovës. "Gjatë bisedës kishim diferenca të mëdha për çështjen e Kosovës mes Tiranës dhe Beogradit dhe këto nuk u arrit të minimizohen sot. Duhet të punojmë për të zhdukur këto diferenca. Ka potencial për të bashkëpunuar në fushat ekonomike e arsimore", tha më tej Jeremiç. Sipas tij, dy vendet do t'i kushtojnë vëmendje minoritetit serb në Shqipëri dhe atij shqiptar në Serbi. Në ditën e parë të vizitës në Beograd, zv.kryeministri Ilir Meta u takua edhe me zv.kryeministrin për Integrimin Evropian, Bozhidar Gjeliç, dhe zv.kryeministrin dhe Ministrin e Brendshëm, Ivica Daçiç.
Homazhe në varrin e Xhinxhiç
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta e nisi vizitën e tij zyrtare në Beograd duke bërë homazhe pranë varrit të ish-kryeministrit serb, Zoran Xhinxhiç. Këto homazhe përkojnë me 7-vjetorin e vrasjes së Xhinxhiç. Gjatë homazheve, kryediplomati u shoqërua nga bashkëshortja e të ndjerit, Ruzhica Xhinxhiç dhe bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi. "Ishte një obligim i imi, ta nisja këtë vizitë zyrtare në Beograd, duke bërë homazhe dhe duke nderuar kujtimin e Kryeministrit të ndjerë Zoran Xhinxhiç, pikërisht këtu në banesën e tij të fundit. Xhinxhiç, pa asnjë diskutim që mbetet një frymëzim jo vetëm për demokratët dhe forcat progresiste e pro evropiane në Serbi, por në të gjithë rajonin tonë, pasi falë vizionit të tij, falë kurajos së tij të jashtëzakonshme, Serbia është në një stad të ri të integrimit evropian dhe të gjithë procesit të integrimit në komunitetin ndërkombëtar. Falë këtij vizioni dhe kurajoje edhe marrëdhëniet mes dy vendeve tona kanë përparuar, ndoshta jo aq sa do dëshironin shumë si unë", tha Meta.