E Diel, 1 Nëntor 2026

Ankesat, maturantët kanë të drejtë të ndryshojnë rezultatin e provimit

Nëse nuk janë dakord me rezultatin e marrë pas vlerësimit të provimeve të tyre, të gjithë maturantët e këtij viti kanë mundësi që të ndryshojnë pikët. Kjo për rastet kur parregullsitë e vëna re prej tyre verifikohen dhe konsiderohen të drejta edhe nga një komision i posaçëm i Ministrisë së Arsimit, që do të ngrihet pikërisht për të zgjidhur një problematikë të tillë.

Ky komision mësohet se do të funksionojë pranë Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA).

Drejtori i Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Fatmir Vejsiu, ka bërë të ditur se të gjithë maturantët e pakënaqur kanë të drejtë që të ankimojnë rezultatin.

"Këtë vit, ndryshe nga herët e tjera, maturantët kanë të drejtë të kërkojnë rivlerësim të tezave të tyre, që do të bëhen nga komisione të posaçme, të cilët do të ngrihen pranë AVA-s", thekson Vejsiu. Ai shton se "e drejta e nxënësve për të kërkuar rivlerësim, mbetet përsëri. Ata mund të marrin fotokopjen e testit të tyre dhe pasi ta shohin atë mund të kërkojnë dhe rivlerësim".

Rregullorja e provimeve për 2009-n ka ndryshuar lidhur me procesin e ankimit të rezultateve, ndryshe nga ato të maturave të mëparshme. Çdo maturant pas shpalljes së rezultateve të provimit, në bazë të njohjes me skemat e publikuara të vlerësimit, ka të drejtë të kërkojë nga AVA rivlerësim të testit të tij.

Për këtë, brenda 4 ditëve pas shpalljes së rezultateve të provimit ai paraqet pranë komisionit të Maturës Shtetërore të shkollës një kërkesë dhe mandat-arkëtimin e pagesës së një tarife. Pas grumbullimit, të gjitha kërkesat u përcillen drejtorive arsimore përkatëse, të cilat duhet t‘i risjellin në AVA, ku mund të bëhet rivlerësimi. Kjo procedurë duhet të kryhet brenda pesë ditëve nga shpallja e rezultateve të provimit, ndërsa në AVA kërkesat duhet të dorëzohen 7 ditë që nga shpallja e rezultateve. Pranë kësaj agjencie ngrihen grupet e vlerësimit të testeve me vlerësues të trajnuar. Rivlerësimi bëhet me të njëjtat rregulla e procedura si për testet. Rezultatet e korrektuara dërgohen zyrtarisht nga AVA pranë drejtorive arsimore, brenda një afati nga 15 deri 30 ditë nga data e shpalljes së tyre. Ato konsiderohen rezultate përfundimtare të nxënësve. Drejtoritë arsimore njoftojnë shkollat sipas një rendi të caktuar për çdo ankesë të bërë dhe ndryshimin e rezultatit për rastet kur është parë e nevojshme.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›