E Diel, 1 Nëntor 2026

Emigrantët, mundësi informacioni "online" për marrjen e pensioneve

Emigrantët mund të kenë informacion të saktë për pensionet, për kontributet dhe skemën e sigurimeve shoqërore në vendet ku ndodhen. Ndërkohë që është në fazë diskutimi, ideja që pensionistët të mund të tërheqin pensionet në vendet ku ndodhen nëpërmjet bankave ndërkombëtare.

Në vijim të protokoll-marrëveshjes së nënshkruar mes Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe partnerëve italianë të INAS-CISL, i cili është edhe instituti më i madh i asistencës sociale për emigrantët në Itali, u zhvillua dje në Tiranë një takim mes drejtuesve të këtyre institucioneve. Në fjalën e saj, drejtoresha e përgjithshme e ISSH-së, Evelina Koldashi, theksoi se: "Ne kemi rënë dakord për zgjerimin e marrëveshjes që ky protokoll të funksionojë në të gjitha degët që ka INAS-CISL edhe në Kanada, SHBA dhe të gjitha vendet evropiane, çka do t‘u japë mundësinë e informimit edhe shqiptarëve që ndodhen në këto vende lidhur me historikun kontributiv dhe ndryshimet në legjislacionin e sigurimeve shoqërore". Sipas saj, është në fazë bisedimesh për arritjen e marrëveshjes për të bërë të mundur transferimin e pensioneve për të gjithë pensionistët që dëshirojnë ta tërheqin atë në vendin ku jetojnë. "Ne kemi mbledhur shumë modele komunikimi gjatë përvojës tonë të asistencës me emigrantët dhe tashmë jemi në gjendje të ofrojmë modelin më të mirë edhe për emigrantët shqiptarë. Mund të them se shumë emigrantë kanë marrë tashmë asistencën nga ana jonë. Ne dëshirojmë që përmes punës sonë ta shkurtojmë largësinë që kanë emigrantët me vendin e tyre. Pas këtyre hapave, qytetarët shqiptarë në Itali mund ta konsiderojnë INAS-in një institucion të integruar me Sigurimet Shoqërore në Shqipëri", tha Presidenti i Patronatit INAS-CISL, Anttonino Sorgi. Përmes kësaj marrëveshjeje do të bëhej e mundur një bashkëpunim mes dy institucioneve me qëllim që t‘u ofrohet falas të gjithë emigrantëve që jetojnë në Itali informacion lidhur me legjislacionin shqiptar të Sigurimeve Shoqërore dhe të gjitha ndryshimet që i bëhen këtij legjislacioni në kohë reale.

Të gjithë emigrantëve shqiptarë që jetojnë në Itali u krijohet mundësia që të mbledhin informacion për historikun e tyre kontributiv që ata kanë realizuar në Shqipëri, direkt nga vendet ku jetojnë, pa qenë e nevojshme që ata të shpenzojnë kohën dhe pushimet e tyre në Shqipëri për të mbledhur këtë informacion.

Po kështu, të gjithë ata që konsiderojnë si mundësi rindërtimin e periudhave të tyre kontributeve në shtetin shqiptar me qëllim mbrojtjen sociale në rastet e pleqërisë, invaliditetit dhe humbjes së mbajtësit të familjes, nëpërmjet kësaj protokoll- marrëveshjeje u krijohet mundësia e marrjes së informacionit dhe futjes në skemë, direkt nga vendet ku jetojnë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›