E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një mesazh për liderët shqiptarë

I

Më 24 Maj të këtij viti në një emision televiziv, u dha një kronikë mbi asfaltimin e rrugës së një fshati, në afërsi të Tiranës. Pas 18 vitesh, ky fshat kishte arritur të asfaltojë rrugën, rreth 5 kilometra të gjatë. Ajo rrugë kishte rëndësi të madhe për banorët e saj, sepse kishte ndryshuar imazhin dhe jetën e fshatarëve. Ky fshat, për çudi të kujtonte fshatin socialist të "Utopisë" së Tomas Mor-it, dhe nga pamja televizive, dukej shumë i bukur, me shtëpi të mira e pamje piktoreske.

Mbi 90 për qind e banorëve të fshatit ishin të punësuar; dikush në tregti, dikush në bujqësi e dikush gjetiu. Nuk kishte njerëz të papunë, veç ndonjë pensionisti që kishte dalë në kafenenë e fshatit për ta ngritur ndonjë dolli. Banorët deklaronin se të gjithë fshatarët punojnë dhe nuk kanë kohë të merren me punë të kota, me llafe të huaja. Ajo çfarë më intrigoi nga kjo kronikë ishte deklarata e një fshatari. Ai tha se, për 40 vjet në këtë fshat nuk kishte pasur ndonjë ngatërresë apo problem mes bashkëfshatarëve.

Shumica prej tyre jetonin në lumturi dhe harmoni të plotë mes tyre. Padyshim, që kjo më la mbresë të madhe dhe në mendjen time hyri "një inat" ndaj kësaj, e unë i shtroja pyetjen vetes: Pse të gjithë shqiptarët nuk janë si banorët e këtij fshati? Kronika televizive, nga njëra anë më shpuri në dilemë, dhe mendoja: vallë ndoshta për zili e ka Evropa që nuk po na integron në bashkësinë e saj?! Sepse, sipas kësaj kronike televizive rezultonte që, ne, shqiptarët kemi kritere e standarde edhe më të mira se disa vende të kësaj Evrope...

Po ashtu, mendoja se pse kjo Evropë na shikon me sy të dyshimtë e nuk na shikon si popujt tjerë, si të barabartë, dhe të jetojnë në një mirëqenie më të mirë ekonomike?! Bile, në një moment mendova pse ky fshat nuk shërben si shembull për të gjithë shqiptarët, se si duhet punuar, si duhet jetuar në harmoni, por madje edhe të shërbejë për ndonjë vend të Evropës. Në fund gjykova, se si është e mundur që pas kësaj harmonie e lumturie të këtyre banorëve, pushteti i këtij vendi më në fund, pas shumë vitesh, kishte arritur të asfaltojë rrugën, që vërtet e kishte ndryshuar fshatin shumë, shumë...

II

Të nesërmen, më 25 Maj, po në një emision tjetër televiziv, por në një tjetër stacion, u dha një kronikë për një fshat të rajonit të Bulqizës, i cili që nga koha e xhaxhit Enver kishin mbetur pa drita. Kjo kronikë përshkruante gjendjen e tmerrshme ku jetonin banorët e saj për 18 vite pa energji elektrike. Kjo gjendje të kujtonte poezinë e qiririt në "Poemën e Mjerimit" të Migjenit. Këtu, jeta ishte ndalur në shekullin e kaluar, ajo bëhet me qiri. Banorët e këtij fshati kryesisht merreshin me blegtori dhe bënin një jetë shumë të mundimshme. Deri më tani, rrëfehen banorët para kamerës televizive, në këtë fshat nuk kishte shkelur këmba e pushtetit, por as edhe të ndonjë faktori tjetër politik. Ata ishin lënë në mëshirën e Zotit e të natyrës.

Edhe në këtë kronikë, në fund, më intrigoi thënia e një banoreje të këtij fshati, e cila tha se kush u ofron drita këtyre fshatarëve, ata do të votojnë për ta, ndërsa për punësim, shëndetësi, arsim dhe plotësim të ndonjë standardi tjetër jetësor, as që bëhej fjalë. Këta fshatarë i kishte dërrmuar skamja. Kësi pamjesh, sigurisht, që nuk kishte në asnjë vend të Evropës.

Në mendjen time filluan të përplasen paragjykime të ndryshme për këtë vend. U shqetësova pa masë. Mendja dhe zemra nuk donin të pranonin një gjendje të tillë. Vetëm brenda një natë më humbi ai ngazëllimi dhe krenaria që pata për shembullin e parë dhe jetën e një fshati shqiptar. Mendoja se si është e mundur që, në një vend kaq të vogël, të ketë dy ekstreme të tilla.

Kontrasti i parë kishte të bëjë me Shqipërinë londineze bashkëkohore e demokratike, ashtu siç është edhe pjesa tjetër e botës, ndërsa i dyti paraqet Shqipërinë londineze të së kaluarës, skamjes, tmerrit dhe ferrit.

III

Tani, kur në këtë vend kemi fushatën zgjedhore dhe kemi premtime të mëdha të liderëve të tyre për ndryshime, dhe slogani kryesor i të gjitha subjektet politike, si të majtë, të djathtë, republikanë, demokristianë, socialdemokratë etj, është "Shqipëria po ndryshon", "Shqipëria ndryshe", "Shqipëria me politikë të re" etj. Këta liderë, elektoratit shqiptar u premtojnë kulla e pallate, qumësht zogu dhe mjaltë, vetëm që ata t‘u japin votën për pushtet, ndërsa po harrojnë të shikojnë këto kronika televizive, të ulen, të mendojnë, por jo vetëm kaq. Por edhe të veprojnë, në mënyrë që ky ndryshim i madh shoqëror sadopak të zbutet në këtë vend.

Të jetohet me qiri në ditë sotshme në një vend anëtar të NATO-s e të dalësh në televizion, të trumbetosh inkuadrimin në Bashkimin Evropian, kjo nuk është serioze dhe paraqet një demagogji të madhe politike. Këta liderë, të majtë a të djathtë duhet të zbresin në tokë, të zbresin në vendbanimet e këtij populli, të shohin si jetojnë ata, a kanë ujë, drita, bukë, kripë. Evropa nuk i zgjidh problemet tona. Ne që kemi jetuar, e dimë mirë se ajo nuk na jep drita falas, as ujin, as bukën. Besa nuk na jep asgjë. Ajo mund të na ndihmojë me ndonjë lëmoshë apo donacion, por ky vend njëherë e përgjithmonë duhet të mësohet të jetojë nga puna e vet: të ndryshojë në qasje të zhvillimit e saj.

Askush nuk mund ta mohojë progresin e arritur, por jo që të kemi dy ekstreme të tilla. Kjo politikë duhet të rishikohet, pa marrë parasysh a do të jenë të majtët apo të djathtët në pushtet. Nuk është serioze të flitet për ndërtimin e centralit bërthamor, kur në një pjesë të këtij vendi banorët e saj jetojnë me qirinj, pa drita elektrike. Ose rasti i mbytjes së një gruaje, së bashku me vajzën e saj shtatë vjeçare në një lumë, për shkak të mungesës së një ure për të kaluar. Këto janë imazhe të këqija për një vend, që pretendon të bëhet pjesë e shoqërive të zhvilluara evropiane.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›