E Diel, 1 Nëntor 2026

Qendra e Fëmijëve të Ngujuar, shkon në katër numri i të akuzuarve

Denoncoi dy vite më parë bashkinë e qytetit për abuzime me qendrën të cilën drejtonte, tashmë do të procedohet penalisht për abuzime me fondet. Pas hetimeve disamujore nga Prokuroria e Beratit, çështja e shumëpërfolur për fëmijët e ngujuar të Poliçanit ka katër të pandehur. Pas dy ish-zyrtarëve të lartë, Barka e Ajlushani dhe financierit të qendrës, do të procedohet edhe kryetarja e shoqatës, Liliana Luani. Shumë shpejt çështja do të mbërrijë para togave të zeza të gjykatës. Kryetarja e Shoqatës së Fëmijëve të Ngujuar, Liliana Luani, e cila drejtoi për më tepër se një vit e gjysmë këtë shoqatë të palicencuar, është e akuzuara e katërt e kësaj çështjeje. Luani është njohur dje me akuzën nga vetë prokurori i rrethit Berat, Xhemal Saliasi, i cili i ka komunikuar se zyrtarisht ajo është nën hetim. Prokurori i Rrethit Gjyqësor në Berat, zoti Saliasi, ka pohuar për gazetën "Shqip", se kryetarja e shoqatës, Liliana Luani, është thirrur mesditën e së mërkurës pranë kësaj prokurorie, ku dhe i është komunikuar akuza e që prej kësaj dite ajo është nën hetim në gjendje të lirë. Ndaj Luanit rëndon akuza e "vjedhjes me anë të mashtrimit e falsifikimit", ndërkohë që Saliasi shprehet se ashtu si të akuzuarit e tjerë, ish-ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Kosta Barka, ish-financieri i qendrës Demir Hasanbelliu, ish-drejtori i bordit drejtues të qendrës, Ajli Aluashi, të cilëve u është komunikuar akuza dhe janë tashmë nën hetim, edhe Luani do të përballet me akuzën. Saliasi pohon se tashmë çështja konsiderohet e zbardhur dhe shumë shpejt do të mbërrijë për gjykim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor në Berat. Pranë Qendrës së Fëmijëve të Ngujuar në Poliçan, e cila në fakt vetëm emrin kishte të tillë, pasi nuk dispononte statusin e një qendre të licencuar, mësohet se kanë kaluar miliona lekë që sipas hetimeve dyshohet se janë vjedhur nëpërmjet mashtrimeve dhe falsifikimeve për përdorimin e tyre për interesa të qendrës. Rasti më flagrant i abuzimeve që bëhej në kurriz të fëmijëve të Veriut të vendit që kishin ardhur në qytezën e Poliçanit për t‘i shpëtuar gjakmarrjes është shuma prej 50 milionë lekësh të reja, një donacion ky i dhënë nga Banka Botërore për këtë qendër, por që nuk u përdor kurrë për interesat e fëmijëve që jetonin në të. Faktet treguan se fëmijët që jetonin në qendër kishin kushte skandaloze jetese dhe ushqeheshin keq. Hetimet, sipas prokurorisë kanë nisur dy vite më parë, duke u shtrirë nga qendra e fëmijëve të ngujuar, në pushtetin vendor dhe Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Rezultati janë katër të pandehur dy ish-ministrat Kosta Barka e Ajli Alushani, i cili ishte dhe drejtuesi i bordit të qendrës, financieri Demir Hasanbelliu, si dhe kryetarja e shoqatës ilegale, Liliana Luani. Burime të prokurorisë janë shprehur se hetimet vazhdojnë.

Letra

Ajli Alushani: Nuk janë

bërë ende verifikime

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ajli Alushani, njëri ndër personat e vënë nën akuzë për abuzimin me fondet e Qendrës së Fëmijëve të Ngujuar në Poliçan, i konsideron të pavërteta pretendimet e prokurorisë. Me anë të një letre të dërguar në redaksinë e gazetës "Shqip", Alushani kërkon të sqarojë opinionin publik se "Akuza nuk qëndron, madje më habit dëshira dhe ngutja e prokurorit për ta nxjerrë njoftimin në media, kur akoma nuk e ka verifikuar këtë problem, pasi akoma nuk ka ekzaminuar dokumentet ekonomiko-financiare, të shpenzimit të fondeve nga shoqata jonë". Sipas Alushanit, shifrat e abuzimit që ka nxjerrë prokuroria janë të habitshme. "Atë qendër mezi e mbajtëm me atë ndihmë të vogël prej 24 mijë dollarësh që na erdhën nga Banka Botërore, mezi e menaxhuam deri sa arritëm t‘ia japim shtetit për menaxhim", thotë Alushani.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›